
Kush do ta fitojë Championsin?

Mbrëmë është mbyllur faza e parë e së tetës së finales së Ligës së Kampionëve, me disa konfirmime, me befasi të ndryshme dhe me pasionantët e futbollit që kanë nisur ta kenë një ide se kush ka më shumë shanse sesa të tjerët për ta ngritur trofeun më prestigjioz të futbollit evropian.
Por, kush janë favoritët sot për sot për të triumfuar në fund?
Një kriter objektiv nuk ka dhe kjo është e qartë, por për t’u marrë me këtë punë është angazhuar “superkompjuteri” i Opta, i cili i analizon sukseset e çdo skuadre.
Në vendin e parë të këtij projeksioni është Liverpooli, i cili pasi e mposhti Paris Saint-Germainin në udhëtim, ndonëse francezët dominuan absolutisht, i ka 43% të mundësive për ta arritur finalen, me 26% të mundësive për ta fituar trofeun.
Pas “Reds” gjendet Barcelona: 37,9% të mundësive për të shkuar në finale, 17,3% për ta fituar Championsin.
Në vendin e tretë e gjejmë Interin. “Nerazzurri” e kanë një përqindje të lartë prej 96,8% për të kaluar në çerekfinale, ndërsa kanë gjasa 56,4% për të shkuar në gjysmëfinale, 32,7% për ta arritur finalen dhe 15,5% për ta fituar trofeun, gjithnjë sipas “Opta”.
Arsenalit i janë dhënë 13,8% të mundësive për ta fituar trofeun e Ligës së Kampionëve, Real Madridit 9,2%, Bayern Munichu është i gjashti me ‘8%, e më pas PSG (3,1%), Atletico Madrid (2,2%), Aston Villa (1,6%) dhe Top 10 mbyllet nga Lille i Edon Zhegrovës me 1,5%.
(Kosova Sot Online)