Ish-trajneri i Realit: Dyshja Mbappe – Vinicius nuk po funksionon

  • A.P /
  • 08 March 2025 - 10:00
Ish-trajneri i Realit: Dyshja Mbappe – Vinicius nuk po funksionon

Ish-trajneri i Real Madridit, Fabio Capello nuk është impresionuar nga sezoni debutues i Kylian Mbappes në kryeqytetin spanjoll.

“Los Blancos” pas shumë viteve duke e kërkuar, më në fund e kompletuan transferimin e tij në qershor të verës së kaluar.

Debati më i madh i shkaktuar ishte se si Carlo Ancelotti do ta përfshinte francezin në ekipin e Realit, duke marrë parasysh se aty ishte edhe Vinicius Jr.

Mbappe kishte shkëlqyer gjithmonë te PSG-ja në një rol më të lirë, më shumë në anën e majtë të sulmit, aty ku Vinicius luan më së shumti.

Pas një fillimi me lëndime, Kylian Mbappe tashmë e ka kapur formën e tij, me Ancelottin që është i kënaqur me paraqitjen e tij në sulm.

Mbappe deri më tani ka shënuar 28 gola në 41 ndeshje me Real Madridin këtë edicion, derisa Viniciusi ka 18 sosh në 37 ndeshje.

Megjithatë, Capello – i cili e ka fituar dy herë La Ligan me Real Madridin – beson se dyshja në fjalë nuk po përshtaten ende me njëri-tjetrin.

“Mbappe e Vinicius Jr luajnë në të njëjtin pozicion, ata po e pengojnë njëri-tjetrin”, tha Capello në një intervistë për “Flashscore”.

 “Si individë, ata mund të bëjnë gjithçka që shumë lojtarë nuk mund ta bëjnë në pozita të ngushta, mirëpo kjo nuk është harmonia e ekipit”, shtoi trajneri italian.

“Reali ka sulmin më të mirë në botë, por ka probleme në mesfushë pas pensionimit të Toni Kroos, dhe po ashtu probleme me lëndime në mbrojtje”, përfundoi Capello.

(Kosova Sot Online)