
Spanja pranë sigurimit të vendit të pestë në Ligën e Kampionëve

Për herë të parë në historinë e tyre, Spanja është pranë sigurimit të një vendi të pestë në Ligën e Kampionëve përmes pozicionimit në ligë. Me Italinë si rivalin më të afërt, fitorja e Athletic Club ndaj Romës në Europa League rriti ndjeshëm gjasat që La Liga ta rrëmbejë këtë vend nga Serie A.
Sezonin e kaluar, Bundesliga dhe Serie A siguruan nga pesë skuadra në Ligën e Kampionëve, por këtë vit, Premier League dhe La Liga janë në krye të garës për vendet shtesë, të cilat bazohen në pikët e koeficientit të UEFA-s. Sipas Lorenzo Carlit dhe Football Rankings, Spanja ka 98% mundësi për të siguruar vendin e pestë në dëm të Italisë.
Anglia kryeson garën me 24.250 pikë, ndërsa Spanja ka një epërsi prej 1.741 pikësh ndaj Italisë, duke regjistruar aktualisht 21.678 pikë. Fitorja e Athletic në “San Mamés” të enjten në mbrëmje ka lënë Serie A me vetëm tre skuadra në garat evropiane: Interin në Ligën e Kampionëve, Lazion në Europa League dhe Fiorentinën në Conference League.
Ndërkohë, La Liga ka ende katër skuadra në garë. Real Madrid dhe Barcelona vazhdojnë të konkurrojnë në Ligën e Kampionëve, Athletic mban flamurin në Europa League me synimin për të luajtur finalen në “San Mamés” në maj, ndërsa Real Betis kaloi lehtësisht Vitoria Guimaraes në Conference League me rezultatin e përgjithshëm 6-2.
Vendi i pestë në Champions do t’i siguronte Athletic një mundësi shtesë në rast se ecuria e tyre në Europa League do të ndikonte në formën e tyre në kampionat. Aktualisht, Villarreal është në vendin e pestë me 44 pikë dhe një ndeshje më pak se rivalët e afërt. Real Betis ndodhet tre pikë prapa dhe duhet të rikuperojë nëse dëshiron të përfitojë nga ndonjë lëshim i skuadrave të tjera.
Ky skenar rrit ndjeshëm motivimin për skuadrat që ndjekin, me vetëm katër pikë diferencë mes vendit të shtatë dhe vendit të 14-të në La Liga. Nëse Spanja siguron vendin e pestë dhe një nga tre ekipet e mëdha e fiton Kupën e Mbretit në vend të Real Sociedad, atëherë edhe vendi i tetë do të ishte i mjaftueshëm për një vend në garat evropiane, ku për momentin do të përfshiheshin Betis, Mallorca dhe Rayo Vallecano.
(Kosova Sot Online)