Sylvinho: Nisim një vit të rëndësishëm, kemi një ëndërr

  • A.P /
  • 15 March 2025 - 14:20
Sylvinho: Nisim një vit të rëndësishëm, kemi një ëndërr

Pas publikimit të listës së Kombëtares, me emrat e grumbulluar për dy sfidat ndaj Anglisë dhe Andorrës, të vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2026, trajneri Silvinjo doli sot në konferencën zyrtare për media.

Tekniku kuqezi foli për lojtarët e ftuar, risitë, mungesat e rëndësishme për shkak të dëmtimit dhe për dy ndeshjet e para ndaj Anglisë dhe Andorrës.

Konferencën e nisi me një sqarim për mediat për katër lojtarët që mungojnë për shkak të dëmtimeve: Mario Mitaj, Elseid Hysaj, Mirlind Dakun dhe Keidi Barën.

“Do mundohem të flas pak dhe do t’ju lejoj ju të flisni më shumë. Do ta nis me 4 lojtarët që nuk janë në listë për shkak dëmtimi. Mario Mitaj ka problem në pubalgji dhe është vendosur të operohet. Keidi Bare ka dëmtim në pulpë dhe nuk është i disponueshëm për momentin, ka pasur komunikim mes doktorit tonë dhe klubit të Zaragoza-s. Me Elseid Hysajn kam komunikuar vetë dhe mund të jetë i gatshëm për t’u rikthyer pas pauzës së Kombëtares për t’u trajnuar me ekipin e tij. Daku ka të njëjtin problem, pra në pubalgji, dhe do të ketë mundësi të trajtohet për t’u rikthyer shpejt me ne dhe skuadrën e tij,” – tha Silvinjo.

Më poshtë konferenca e plotë e trajnerit Silvinjo:

Objektivi për dy ndeshjet e marsit? – Dëmtimet janë për ne dhe për ta, për të gjithë, për fat të keq ndodhin. Kombëtarja është gjithmonë e hapur, mbërrijnë lojtarë të ndryshëm, kjo është puna. Kemi dy ndeshje të vështira, shumë të ndryshme nga njëra-tjetra, duhet të punojmë shumë për të dyja. Sa i përket Anglisë, jam dakord, është ndër më të fortat në botë, ka lojtarë shumë të fortë, tani ka një trajner shumë të madh, siç ishte edhe Gareth Southgate që arriti dy finale europiani. Tani vjen një trajner tjetër i rëndësishëm, të pret një ekip me nivel të lartë. Ne duhet të punojmë shumë. Më shqetësojnë të dy ndeshjet. Duhet të punojmë dhe t’i përgatisim shumë mirë ndeshjet, sepse janë të ndryshme.

Mungesa e Seferit? – Në aspektin strategjik të përgatitjes së dy ndeshjeve të radhës, mendoj që kemi më tepër lojtarë në krahun e majtë: Seferi, Hoxha, Muçi, Bajrami, Mehmeti, kemi shumë alternativa. Seferi ka një rrugëtim të mirë me Kombëtaren, ka bërë mirë, ka ndihmuar, është një lojtar që jep gjithçka në fushë. Ne nisim një vit shumë të rëndësishëm dhe kemi një ëndërr për të shkuar në Botëror. Ky është një mesazh për të gjithë lojtarët, jo vetëm për të. Mund të vijë pyetje për Mehmetin, që sot nuk është, por nesër mund të jetë. Kombëtarja ka nevojë për të gjithë. Kombëtarja është e hapur, duhet të mendojmë në mënyrë strategjike sa i përket ndeshjeve. Majtas kemi Hoxhën, Muçin, Bajramin, Mehmetin, Seferin, të gjithë preferojnë të luajnë majtas, por unë mund të marr dy apo tre prej tyre.

A ke një qasje tjetër për të shkuar në Kupën e Botës? – Jam dakord që në 2 vite njeh lojtarët dhe mentalitetin e tyre. Ne punojmë shumë që ata të përmirësohen dhe përqendrohemi te qasja e tyre. Ne kemi humbur disa ndeshje për shkak të përqendrimit dhe kemi marrë eksperiencë në EURO 2024. Përballja me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë na ka mësuar shumë dhe ne do të punojmë shumë për t’ia dalë mbanë. Ne jemi një Kombëtare e vogël, por që jemi vazhdimisht në rritje. Sigurisht që do të bëjmë ndryshime të rëndësishme, stimuj të tjerë, më shumë në fokusin e përqendrimit dhe në aspektin teknik apo taktik, por gjithmonë duke mos humbur ekuilibrin e skuadrës, sepse ai është i rëndësishëm.

Adrian Ismajli dhe Armando Broja? – Ne kemi punuar për më shumë se 10 ditë me lojtarët, janë dy situata të ndryshme, të dy janë jashtë prej disa kohësh. Ismajli ka një ripërsëritje të problemit, ndërsa Broja është rikthyer pas një dëmtimi të gjatë. Të dy janë të grumbulluar në skuadrat e tyre këtë fundjavë. Kjo do të thotë që ata janë të shëndetshëm dhe në gjendje për të ardhur. Në momentin që ata do të vijnë, do të bëjmë një vlerësim të gjendjes së tyre. Ritheksoj që janë dy ndeshje shumë të ndryshme. Do të kemi stërvitje të ndryshme. Kemi mbi tre muaj pa i parë lojtarët; e dëgjova dhe në një intervistë të një trajneri tjetër që është diçka që të mungon fusha dhe stërvitja në këto raste. Pavarësisht se ne jemi gjithmonë duke punuar dhe vizitojmë lojtarët, por fusha është ajo që të mungon. Ne do të bëjmë vlerësimet e duhura gjatë ditëve në vazhdim.

Etnik Brruti? – Duhet të shpjegoj pak punën tonë si staf teknik. Ne jemi një grup që merremi me vlerësimin teknik të lojtarëve. Unë jam përgjegjësi, e pastaj janë Doriva, Zabaleta dhe Bulku. Pastaj kemi anën teknike me Bushin dhe drejtorin Pea. Jemi të gjithë përgjegjës për vlerësimin teknik të lojtarëve. Ne ndjekim shumë. Sa i përket Brrutit, ai është një lojtar që ne e kemi ndjekur dhe që ka karakteristika të mira. Është mëngjarash dhe është një lojtar që na mungon. E kam shpjeguar edhe më parë, Muçolli ishte një lojtar që i kishte këto karakteristika, por që fatkeqësisht ka disa kohë që është i dëmtuar dhe humbi edhe Europianin. Është një lojtar shumë i mirë që na pëlqen dhe uroj të rikthehet. E thashë edhe më parë, kemi mbingarkesë në të majtën, në të djathtën kemi më pak, edhe në mesfushë. Rikthehet edhe Pajaziti, jam shumë i lumtur, është një lojtar polivalent që mund të bëjë disa role. Brruti është një lojtar me të majtën, që e kemi vlerësuar dhe meriton të vijë te ne dhe jam i bindur se mund të bëjë gjëra të rëndësishme. Polemikat? – Në këtë rast është gjithmonë përgjigja e lojtarit nëse ai dëshiron të përfaqësojë Kombëtaren. Profesioni që ne kemi, ka gjithmonë presion. Duhet të jetojmë me presionin. Presioni është i pranishëm, pasi do të luajmë në “Wembley”. Shoh intervista trajnerësh që flasin për lojtarë të rëndësishëm dhe thonë që duhet të rriten, luajnë në “Camp Nou”, “Santiago Bernabeu”, “Wembley”. Ne duhet të jetojmë me këtë situatë. Në Kombëtare ai ka mbështetjen tonë, do t’i flasim dhe të gjithë do ta mbështesim për të ecur përpara.

Do të luajmë si në kualifikueset e Nations League apo si në kualifikueset e Euro 2024? – Janë kompeticione të ndryshme, nuk duhet të harrojmë që ka kundërshtarë përballë. Unë dua të sulmoj Spanjën, por nuk më lejon. Një skuadër tjetër të lejon më shumë. Ky kompeticion që nisim është shumë i vështirë, por është një ëndërr e bukur. Ne jemi këtu për të punuar për një kohë të mjaftueshme për të marrë pikët. Duhet të fitojmë, të bëjmë ndeshje perfekte. Duhen ndeshje perfekte, sepse rregulli është i ndryshëm, vetëm një shkon direkt. Është një grup i vështirë, por jo i pamundur se e nisin të gjithë nga zero. Nga dita e parë e them se ajo që nuk duhet të na mungojë kurrë është shpirti, djersa e zemra. Nuk ka munguar, pastaj ndonjëherë fitohet, barazohet e humbet, por punohet të fitojmë më shumë. Por ajo që nuk duhet të negociojmë me askënd, është që në fushë shkohet me zemër, djersë, se përfaqësojmë një komb, kjo nuk duhet të mungojë kurrë.

Skema ndaj Anglisë dhe Juljan Shehu? – Po është e vërtetë Juljan po bën mirë, e prisja një pyetje për të. Është lojtar që jep centimetra, luan mirë, ka grintë, është lojtar me eksperiencë. Dua të jap një spunto për atë që kemi marrë nga U21, ka pasur një lloj rrugëtimi. Si lojtar ai është teknikisht i mirë. Përsa i përket skemës mund të bësh gjithçka, por të mos humbasësh ekuilibrin e skuadrës. E keqja është që nuk kemi shumë kohë për të punuar, por patjetër kemi një plan B dhe C, por duhet ta shohim njëherë planin A, pasi kemi opsione. Kemi rikthimin e Gjimshitit, por çdo gjë vlerësohet në ditët në vijim kur të vijnë të gjithë lojtarët.

Albion Marku? -Duhet të respektojmë tranzicionin e lojtarëve. Pas Hysaj dhe Balliut kemi Hadrojin . Hadroj ka bërë një transferim në Ukrainë, kemi besim te ai. Momentalisht na mungon një lojtar në anën tjetër, vjen Aliji, lojtar te i cili kemi besim, ka bërë dy europianë, mëngjarash, i mësuar të luajë. Por mungesa e Marios na vë në vështirësi, sepse në të majtë nuk kemi një tjetër që luan me të majtën. Duke marrë në konsideratë punën që kemi bërë, ai që vjen pas Hysaj dhe Balliut është Hadroj.

Ramadani apo Berisha? – Berisha është një tjetër i ri që vjen nga U21, ka bërë Europianin me ne, ka cilësi teknike e fizike. Më kënaq fakti që u kthye me Leçen, se vinte nga dëmtimi prej muajsh. Pastaj për ne është njëlloj. Vjen lojtari, duhet të shohim kush është në formë e kush jo. Ramadani është një lojtar që te ne ka bërë shumë mirë gjithmonë, kemi besim te ai dhe do ta vlerësojmë. Ne duhet të presim që të vijë lojtari. Kjo puna e Kombëtares është e vështirë se e sheh në video një lojtar, ndjek ndeshje, por më e mira është kur vjen, se sheh nëse është në situatë të mirë apo në formë. Për mua sa herë luajnë me klubin, është e mirë dhe jam i lumtur për Berishën.

(Kosova Sot Online)