Foda publikon listën e futbollistëve për dy ndeshjet ndaj Islandës

  • A.P /
  • 15 March 2025 - 14:40
Foda publikon listën e futbollistëve për dy ndeshjet ndaj Islandës

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda e ka bërë publike listën e futbollistëve që do t’i ketë në dispozicion për dy ndeshjet e “play-off”-it të Ligës së Kombeve kundër Islandës, që zhvillohen më 20 dhe 23 mars.

Edhe kësaj radhe, Foda krahas listës prej 26 futbollistëve, e ka përpiluar edhe listën e zgjeruar prej 9 futbollistëve.

Duelet kundër Islandës luhen në kuadër të play-Offit për të siguruar kalimin në Ligën B, apo qëndrimin në atë C.

Ndeshja e parë e Dardanëve, zhvillohet më 20 mars në Prishtinë, ndërsa tri ditë më pas, dueli i kthimit luhet në Mursia të Spanjës, kjo për shkak se stadiumi i kombëtares së Islandës, është në rinovim.

Në listën e Fodës, janë të zakonshmit, por që përzgjedhësi gjerman ka ftuar edhe tre emra të rinj, janë këta, Dion Gallapeni, Vesel Demaku dhe Lirjon Abdullahu.

Në listën e zgjeruar janë nëntë futbollistë, në mesin e të cilëve, edhe Bersant Celina, i dashuri i publikut.

Mungesa më e madhe e këtij grumbullimi është Edon Zhegrova, i cili vazhdon të shëroj lëndimin e pësuar me skuadrën e tij Lille.

Dardanët fillojnë grumbullimin të hënën, ku stërvitjen e parë e zhvillojnë në orën 17.30. Paraprakisht në orën 12:00 në hotel “Emerald” Foda do të paraqitet në konferencë për media.


(Kosova Sot Online)