
Foda e tregon arsyen e mosftesës së Meriton Korenicës

Selektori Franco Foda e ka treguar sot në konferencë për shtyp mosftesën e Meriton Korenicës në Kombëtaren e Kosovës për dy ndeshjet e marsit ndaj Islandës në “play-off” të Ligës së Kombeve.
Mirëpo, trajneri gjerman i ka dhënë shpresë futbollistit të Clujit, duke paralajmëruar se mund të ftojë atë në grumbullimin e radhës,.
“Fatkeqësisht nuk mund t’i ftojmë 30 lojtarë, kemi menduar t’i ftojmë vetëm 25 lojtarë, këta na kanë bindur se janë të duhurit. Në qershor i kemi ndeshjet tjera, nëse lojtari në fjalë (Korenica) vazhdon me formë të tillë, atëherë mund të ketë ftesë edhe për të”, deklaroi Foda.
Në një lidhje direkte që e bëri mbrëmë në emisionin “Favorit” në T7, Korenica e shprehu dëshpërimin e tij, por u tregua i matur dhe i durueshëm, duke thënë se do të presë ftesë në të ardhmen, ndërkohë që shokëve të skuadrës iu uroi suksese në dy sfidat e këtij muaji.
(Kosova Sot Online)