Kjo është përgjigjja e Ushtrisë së Kosovës pas paralajmërimit të Vuçiqit
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka paralajmëruar krijimin e një organi special për të “ndjekur penalisht këdo që shkel të drejtat e serbëve”. Në konferencën e sontme për media, ai ka njoftur se brenda 45 ditëve do të miratohet ligji që do ta ketë detyrë të veçantë “hetimin dhe ndjekjen e “veprat antiligjore dhe kriminale të zyrtarëve të Prishtinës”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Duke i shpallur “masat” si përgjigje ndaj situatës në Veri të Kosovës, Vuçiq ka thënë se “kapitulli i katërt i referohet vendimeve të mëdha dhe të rëndësishme politike” për të cilat, sipas tij janë marrë vesh me përfaqësuesit e Listës Serbe.
“Bëhet fjalë për themelimin e një organi të prokurorisë speciale në Serbi”, ka thënë Vuçiq.
Ai ka pohuar se organet shtetërore serbe – MPB-ja, Prokuroria, gjyqësori – “asnjëherë nuk janë marrë mjaftueshëm me Kosovën dhe se kështu ka qenë që nga Lufta e Dytë Botërore”.
Sipas tij, ky trup do të funksinojë përkohësisht.
“Kjo do të zgjasë vetëm deri në vendosjen dhe respektimin e vendosjes së normave të dakorduara dhe të nënshkruara në Bruksel dhe respektimin e marrëveshjes së Brukselit. Këtu po plotësohet vakuumi ligjor”, tha ai.
“Ky organ i akuzës do të merret me të gjithë, gjegjësisht do të mundësojë në formë të lex specialis ndjekjen penale të atyre që marrin pjesë në përndjekjen, dëbimin, ngacmimet dhe ata që gjuajnë me armë serbët”.
Me këtë, ai pati një mesazh edhe për serbët e Kosovës duke iu thënë se mund të jenë cak nëse punojnë për “policinë sekrete të Kosovës dhe marrin pjesë në përndjekjen e popullatës sonë”.
(Kosova Sot Online)