Tronditet bota e modës/ Akuza për ngacmim seksual në familjen Gucci
Një sekret i mbajtur fshehur nga trashëgimtarët e familjes Gucci për vite me radhë, duket se ka tronditur botën e modës dhe jo vetëm.
Akuzat e Alexandra Zarini-t, mbesës 35-vjeçare të themeluesit të një prej markave më të famshme të modës në botë, janë shumë të rënda.
Padia, e paraqitur në një gjykatë në Los Angeles, përshkruan vitet e abuzimit seksual nga ish njerku, Joseph Ruffalo, bashkëpunimin dhe fshehjen nga ana e nënës së saj, Patricia Gucci dhe gjyshes, Bruna Palombo.
Padia e saj pretendon se Ruffalo abuzoi me të nga mosha 6 deri në moshën 22-vjeçare.
Në procesin gjyqësor, i cili u raportua për herë të parë nga New York Times, pretendohet se Ruffalo hynte rregullisht në shtratin e saj i zhveshur, e përkëdhelte Alexandra-n, përpiqej ta prekte me duar dhe t’i tregonte organet gjenitale.
Ajo çfarë ngelet më e rëndë dhe ka arritur ti shokojë të gjithë është fakti që 35-vjeçarja pohoi se nëna e saj, jo vetëm që lejoi një sjellje të tillë, por ajo dhe gjyshja e saj e kërcënuan duke i thënë se nëse do të tregonte, do të humbiste familjen.
Me sa duket, ata u përpoqën të shmangnin me çdo kusht skandalin që mund njolloste emrin Gucci dhe do t’u kushtonte miliona dollarë.
Në padi, Alexandra akuzon gjithashtu të ëmën për dhunë.
Ajo tregoi se Ruffalo, shtirej sikur “shpëtonte” Alexandra-n dhe abuzonte me pretendimin se ishte mbrojtësi i saj.
Por jo vetëm kaq, por sipas saj ai e kishte detyruar të përdorte kokainë dhe lloje të tjera drogërash.
Nëna e saj Patricia, e cila jeton në Zvicër, mohoi pretendimet e Zarinit kundër saj dhe gjyshes.
’ Jam thellësisht e mërzitur për dhimbjen që Joseph Ruffalo i ka shkaktuar Alexandra-s . Ajo që ai i bëri asaj është e pafalshme, unë u shokova kur ajo më zbuloi gjithçka në Londër në shtator 2007 dhe menjëherë fillova procedurat e divorcit’ duke shtuar :
"Por jam po aq e shkatërruar nga akuzat plotësisht të rreme kundër meje dhe gjyshes së saj."
Përgjatë viteve të fundit, familja Gucci ka qenë e përfshirë në evazion fiskal, sherre dhe vrasje, por me sa duket ngjarjet në këtë familje nuk paskan të mbaruar.
(Kosova Sot Online)