Si e ka njohur ish-bashkëshortin dhe pse u nda nga ai? E zbulon pas shumë vitesh Eli Fara
Këngëtarja Eli Fara në një intervistë siç nuk jemi mësuar ta shohim më parë ka folur si rrallë herë për jetën e saj private.
E ftuar te E Diela Shqiptare ka qenë këngëtarja e njohur Eli Fara dhe Ardit Gjebrea realizuar një intervistë mjaft të këndshme në qytetin e këngëtares në Korçë, mes këngëve dhe humorit.
Eli Fara për herë të parë ka folur për jetën e saj private, si e ka njohur ish-bashkëshortin dhe arsyen pse u nda nga ai.
Nuk ke folur asnjëherë për jetën tënde private, nuk të kam dëgjuar, është një vajzë në jetën tënde, si erdhi, cila është historia?
Eli Fara: Vajza ka ardhur në jetë kur unë isha shumë e re, isha vetëm 18 vjeç, kështu që kuptohet se jam martuar shumë e re në një situatë jo fort komode. Jo fort komode edhe për ta thënë. Unë isha në shkollën e mesme dhe studioja për kanto dhe merrja pjesë në aktivitete kulturore. Shumë shpesh isha për prova në pallatin e kulturës dhe aty kalonin djem çapkënë korçarë. Njëri prej tyre mu qep keq, nuk shpëtova dot.
Ishte dashuria e parë, ato emocionet e para, ndjenjat që të lindnin për dikë që nuk e di se kush është. Unë u dashurova vetëm duke parë pamjen. Ishte çun simpatik dhe nuk mendoja për të tjerat sepse isha adoleshente, nuk më interesonte se kishte një shkollë, profesion apo çfarë punonte, apo se çfarë bënte në jetë. Unë isha 17 vjeç, shumë shpejt familja e mori vesh që unë po dilja me dikë dhe u bë një shqetësim, tërmet i madh.
Jetonim bashkë të gjithë xhaxhallarët e mi, me dajën, me hallat, ishin shumë familje që rrinin bashkë dhe bëheshin me njëri-tjetrin shumë. Fisi bëri një mbledhje të madhe dhe kujtoj që u ndjeva e fyer dhe e turpëruar sepse ndoshta varet nga karakteri dhe natyra, kisha një krenari të tepruar edhe pse shumë e re dhe vendosa që nëse djali do pranonte, unë do ikja nga shtëpia. Ai u tregua i gatshëm dhe ndodhi. Sigurisht tani që jam pjekur, që kam Marinën, nuk jam krenare për atë që bëra, por janë gabime të një moshe shumë të re.
Çfarë të bëri që të ikje, dashuria?
Eli Fara: Nuk isha e sigurt nëse më bëri dashuria të largohesha, por u ndjeva e lënduar, e mendova veten që mbas kësaj që ndodhi në qoftë se do rrija, do kisha turp t’i shihja në sy njerëzit e familjes dhe të afërmit dhe nga kjo u nisa. Gjithsesi në mendjen time e kisha që isha e përgatitur në jetë sepse nuk kisha ndonjë jetë me përkëdhelira, si të gjitha familjet shqiptare që janë rritur në vuajtje.
(Kosova Sot Online)