Lexoni edhe:
Hashim Thaçi gaboi me nisjen e mbrapsht të dialogut me Serbinë, tash nuk është mençuri politike kërkesa për ndërprerje të këtij procesi
E pas këtyre thashethemeve, ishte vetë vajza bionde që e vërtetoi këtë fakt. Në “Instagram”-in e Blertës u postua një selfie e Majk me mbishkrimin “Hacked”, e cila u konsiderua një “përgjigje” ndaj zërave të këtyre ditëve, për një lidhje të mundshme mes saj dhe reperit të famshëm të “Babastars”.
Por nuk vonoi e postimi i saj në “InstaStory” u fshi nga profili i Blerta Veselit, duke ndezuar një tjetër debat mes komentuesve. Nuk vonoi shumë dhe brenda 24 orëve, Majk e fshiu Blertën nga miqtë e “Instagram”-it, i acaruar me të dhe mediat online që shpërndanë me shpejtësinë e dritës detaje nga jeta e tij private, të cilën ai me fanatizëm po e ruan të fshehtë që pas ndarjes nga Majlinda Zeka, modelja e “Instagram”-it me të cilën kanë një djalë.
Sipas burimeve pranë çiftit, Majk i ka dhënë fund brenda natës historisë me Miss-in, sepse Majk është nevrikosur me faktin që Blerta postoi foton e tij në “Instagram”, me dëshirën për “ta privatizuar” Majkun.
Por duket se strategjia nuk i ka ecur ashtu si duhet, pasi Majk ka marrë vendim drastik. Ndoshta ky është një acarim i momentit i reperit 30-vjeçar, dhe ndoshta ai e afron sërish Miss-in.
Po kush është Blerta, “vajza me kurorë missi”, dhe zgjedhja e fundit e Majkut, artistit mjaft të pëlqyer nga vajzat që ka kryesuar shpesh toplistat muzikore me këngën e tij si krahu i djathtë i Getoar Selimit në “Babastars”?
Në finalen e “Miss Universe Albania dhe Kosova 2020”, Blerta Veseli ishte biondja që u kurorëzua mbretëresha e re dhe u bë përfaqësuesja zyrtare e Kosovës në “Miss Universe 2020”.
Studentja 23-vjeçare e arkitekturës dha një performancë të bukur në finale, duke kaluar gjashtë vajzat e tjera për të fituar kurorën kombëtare.
Ajo ka lindur në Gjilan dhe tani jeton në Prishtinë, qyteti ku dhe është takuar dhe lidhur me Majkun. Ajo tregoi pas fitores se u përgatit për konkurrimin e saj me vendosmëri dhe sinqeritet absolute, deklaratë që i bëri përshtypje më shumë jurisë.
Blerta beson në citatin “Fuqia individuale e secilit mund të sjellë ndryshime në komunitet”. Pasuesja e Fatbardha Hoxhës do të përfaqësojë Kosovën në konkursin e 69-të “Miss Universe”, që do të mbahet vitin e ardhshëm, ndërkohë që ka zbuluar detaje nga jeta e saj në intervistat e para që ka dhënë në media pasi fitoi kurorën.
RRËFIMI I BLERTËS PËR VETEN: MË PËLQEN TË MERREM ME PSIKOLOGJINË E TJETRIT, NË JETË VETËM TË FITOJ!
Pyetjes se kush është Blerta Veseli, emri që tashmë u bë i njohur për popullin shqiptar si fituese e “Miss Universe Kosovo 2020”, ajo i përgjigjet kështu: “Blerta është një vajzë shumë ambicioze dhe shumë e vendosur për gjërat që dëshiron në jetë, shumë punëtore dhe gjithnjë duke përkrahur femrat e tjera për t’i arritur dëshirat dhe synimet në jetë. Emri im nuk është që u bë publik për herë të parë nga kompeticioni i bukurisë “Miss Universe Albania & Kosovo”, kam pasur eksperienca modelingu jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë.
Në momentin që u tha emri im si fituese, normal që më bëri të kisha shumë emocione. Por ishte ai momenti që unë e kuptova që po merrja një përgjegjësi të madhe mbi vete, dhe po e ndjeja peshën që po më jepte titulli i ri.
Në garë hyra për të fituar, normale, sepse ky kompeticion bukurie është garë vetëbesimi, qëndrimi dhe gjithashtu zgjidhet vajza që ka potencial ta mbajë këtë peshë dhe ta prezantojë Kosovën në mënyrën më të dinjitetshme. Të gjitha vajzat ishin shumë të mira, ndaj u uroj vajzave më të mirat në jetë dhe shumë suksese në të ardhmen.
Të gjitha vajzat e mendonin fitoren, mirëpo doli që kjo përgjegjësi më është besuar mua! Dua të them se nuk ishte diçka e rastësishme pjesëmarrja ime në atë garë. Ka qenë dëshirë e imja e fëmijërisë dhe jam shumë e lumtur që e realizova këtë ëndërr.”
Nëse nuk do të kishte qenë pjesë e modës, cilin profesion do t’i pëlqente të vazhdonte?
“Që nga fëmijëria kam pasur gjithmonë dëshirë për kreativitet dhe modë. Kur kisha kohën për të zgjedhur drejtimin për shkollim, zgjodha arkitekturën, sepse më jepte mundësi të mëdha për të shprehur kreativitetin, pastaj pasi isha gati në përfundim të shkollimit, e ndjeva veten të gatshme që të futem në garë për ‘Miss’,”- tha ajo.
E si është një ditë e zakonshme për Blertën dhe sa ka ndryshuar qasja e njerëzve ndaj saj, përfshirë këtu edhe rrjetet sociale ditëve të fundit?
“Më pëlqen shumë të lexoj libra që kanë të bëjnë me psikologjinë e njeriut, bëj palestër dy-tri herë në javë, dieta strikte, për momentin po merrem me përfundimin e studimeve. Natyrisht se rrjetet sociale janë shumë të rëndësishme këto ditë dhe ndryshimi është vërejtur që nga ajo mbrëmje”.
Nëse e ardhmja e saj i takon modelingut apo arkitekturës, ajo shprehet: “Besoj që deri në një moshë të caktuar do të vazhdoj me modeling, pastaj pas një kohe e shoh veten duke u marrë me diçka që ka të bëjë me kreativitet, sepse aty është pjesa ku unë e shpreh veten tamam. Gjithesi, dua të them se për të fituar në jetë, parimi im është të jem vetja, sepse askush nuk mundet me qenë ti, dhe kjo është arsyeja pse je unik në këtë botë. Unë jam me filozofinë: “Puno shumë në jetë për të nxjerrë versionin më të mirë nga vetja.”
MAJK DHE HISTORIA E TIJ E PARË PUBLIKE TRI VITE PAS NDARJES NGA NËNA E DJALIT!
Ndërkohë, historia e Majk me miss-in Blerta Veseli, mund të themi se është e para që merr përmasa mediatike, tri vite pas ndarjes nga nëna e djalit të tij Roan, Majlinda Zeka.
Dy muaj pasi erdhi në jetë djali Roan, Majk vendosi të postojë fotot e para me të birin nga lidhja me modelen e “Instagram”-it Majlinda Zeka. Më në fund ai pranoi statusin e babait, pas një periudhe të gjatë paqartësie në publik nëse ai ishte babai biologjik i fëmijës ose jo. Kjo situatë konfuzioni u krijua pasi ai i kishte dhënë fund lidhjes me Majlindën, ndërkohë që ajo deklaroi se ishte shtatzënë.
Reperi i “Babastars”, Majk, nuk e pohoi asnjëherë, por as e mohoi faktin që ai ishte babai i fëmijës deri në momentin që fëmija erdhi në jetë. Më pas ai vendosi të bënte një postim në “Instastory”, duke lënë të kuptohej se ai u bë baba, edhe pse lidhja me Majlindën kishte dështuar.
Ish-e dashura e tij, Majlinda Zeka, solli në jetë fëmijën e tyre, duke e pagëzuar me emrin Roan.
Marrëdhënia e tyre ishte problematike kur fëmija erdhi në jetë, pasi ish-e dashura fillimisht e regjistroi djalin me mbiemrin e saj dhe jo të Majkut. Në “Instagram”, ajo publikoi foto të djalit pas lindjes me statusin: “Çdo sakrificë për ty ia vlen, mirë se erdhe në jetë Roan! Bota ime. Faleminderit Allah!”.
Në këtë postim kuptohej që ajo po e gëzonte e vetme statusin nënë, e braktisur nga babai i djalit. Nuk vonoi dhe Majk i dha fund enigmës që i ngjasonte një telenovele të vërtetë, duke bërë postimin e parë si baba. Ai publikoi një foto me djalin 2-muajsh, ndërsa flinte në kraharorin e tij, foto mbi të cilën kishte vendosur thjesht mbishkrimin “Roan”.
Ishte ky pikërisht postimi që u dha fund pikëpyetjeve. Edhe pse Majk dhe Majlinda ishin ndarë keq, flitet se ata gjatë një takimi në një nga kafet e Prishtinës ranë dakord që të kujdeseshin bashkë për fëmijën. Historia e dashurisë dhe ndarjes e reperit Kastriot Rexha me Majlindën bëri bujë në rrjetet sociale, për faktin se ajo më parë u mbyll se filloi.
Çifti më interesant i showbiz-it i dhanë fund lidhjes për çështje xhelozie, vetëm pak javë pasi Majk e bëri publike historinë e tij. Ai ndau me fansat foton e parë me Majlindën, duke deklaruar se ndihej i bekuar pranë saj.
Por çiftit nuk i zgjati shumë lidhja romantike, pasi vetëm pas pak javësh histori, Majk dhe Majlinda i fshinë të gjitha fotografitë e tyre të përbashkëta, duke mos lënë asnjë gjurmë në llogaritë e tyre në “Instagram”.
Ata fillimisht e kishin mbajtur të fshehtë romancën për disa muaj dhe për çudinë e të gjithëve i dhanë fund kur dolën hapur. Majk, i cili u bë i famshëm me duetet e tij me Getoar Selimin, me sa duket, qenka pak tip i vështirë me vajzat, përderisa historitë e tij mbarojnë para se të fillojnë.
(Kosova Sot Online)