“Bebi po vjen” / Afërdita Dreshaj: Ju rrëfej udhëtimin më të bukur të jetës

  • G.g /
  • 30 January 2021 - 11:11
“Bebi po vjen” / Afërdita Dreshaj: Ju rrëfej udhëtimin më të bukur të jetës

Jo i bukur thjesht dhe vetëm se Afërdita po bëhet mami. Sigurisht edhe kaq do të mjaftonte, por është i bukur në të gjitha kuptimet, sepse bebi jo vetëm që i ka dhënë lajmin më fantastik të jetës, por edhe sepse është sjellë shumë mirë. Nuk i ka shkaktuar mamit të tij as të përziera, as lodhje, as dhimbje, as shqetësime, aq më pak frikë. Vetëm ndonjë shkelm të vogël e të ëmbël, që Afërdita po e shijon shumë, si të vetmen prekje e sinjal prej tij derisa ta ketë të voglin e saj në krahë. Dhe për sa kohë ka pasur fatin të ketë një shtatzëni aq të mbarë, ka vazhduar jetën e planet e saj, me palestrën, ushtrimet, udhëtimet, plazhin dhe me ushqimet që i ka dashur qejfi, pa e kufizuar veten në asnjë gjë. Shtoji këtyre edhe bisedat për bebin me Jakub, për emrin, për dhomën, për dëshirat, për padurimin, atëherë përfundimi është një pritje e ëmbël mjaltë dhe ka qenë vërtet e tillë.

Çifti është duke numëruar ditët. Siç thotë edhe vetë, ky është momenti më i vështirë, kur ka ngelur vetëm pak kohë sa më në fund të quhen zyrtarisht mami Afërdita dhe babi Jakub. Përgatitjet janë drejt fundit, në pritje të djalit. Por para se të mbyllet edhe muaji i nëntë, bënë edhe të fundit gjë: një udhëtim drejt studios së fotografit Fadil Berisha, për të fiksuar shtatzëninë në fotot që vetëm nga duart e një mjeshtri si ai mund të realizohen dhe një rrëfim në revistën Who për gjithë detajet e vogla e të mëdha, që përmbledhin udhëtimin më të bukur të jetës, që sapo ka filluar…

Para se të merrje përgjigjen e testit, a ishit ju të dy gati për t’u bërë prindër?

Gati nuk është asnjëherë askush, sepse askush nuk e di se çfarë e pret dhe çfarë do t’i ndodhë, por Zoti të jep 9 muaj kohë të bëhesh gati dhe ta ndjesh e kuptosh që një mrekulli po ndodh në jetën tënde dhe sigurisht të përgatitesh në të gjitha kuptimet për ta pritur.

Patët një periudhë të gjatë me “dua një beb” apo ishit të vendosur që në fillim për ta zgjeruar familjen tuaj tuaj të vogël?

Jo nuk patëm një periudhë të gjatë që e dëshironim një beb. Ne ishim duke shijuar njëri-tjetrin dhe dashurinë tonë. Ndodhi që bebi vendosi të vinte shpejt dhe ne s’mund të ishim veçse shumë të lumtur.

Ne të gjithë jemi pak si shumë kuriozë të dimë momentin e testit. Ku ishe, çfarë bëre, si u ndjeve?

Ahhhhh! Momenti i testit. E mbaj mend si tani: Po bëhesha gati për palestër, Jakub ishte në krevat duke parë televizor. Bëra testin dhe bërtita me të madhe: “Oh my god, I’m pregnant”. Jakub erdhi me vrap, bëmë edhe dy teste të tjerë për të qenë të sigurt dhe akoma nuk arrinim ta besonim deri sa shkuam te doktori për ta konfirmuar. Mora vesh që jam shtatzënë ekzaktësisht një javë para ditëlindjes time. A mund të kisha marrë dhuratë më të bukur se kaq?

Kujt ia dhe lajmin të parit?

Mbas Jakub, motrës sime Jehonës. E thirra në Facetime duke qarë dhe i dhashë lajmin.

Eko e parë çfarë ndjesish ju solli?

Është e çuditshme që ti e di që je shtatzënë sepse ke parë një test, ke bërë një vizitë, por e gjitha duket aq e pabesueshme dhe e paprekshme derisa e përjeton dhe e dëgjon vetë atë rrahjen e zemrës dhe aty, pasi merr shenjën e parë të ekzistencës së tij, thua “this is real”! Kjo është mrekulli që nuk zëvendësohet me asnjë ndjesi tjetër në botë.


Një mami në pritje që shkon në palestër, që udhëton, që shkon me pushime, që vazhdon të shijojë jetën, është një mami e informuar apo që s’e njeh fare frikën?

Mirë bëre që më pyete, sepse marr shumë pyetje të tilla në ‘instagram’. Për fat të mirë, kam pas një shtatzëni të mrekullueshme, pa asnjë problem, asnjë shqetësim, nga fillimi e deri tani. Ushtrohem, ha shëndetshëm, udhëtoj, gjithmonë në kujdesin dhe aprovimin e doktorit tim. E informuar dhe sigurisht shumë e kujdesshme. Të vazhdosh jetën dhe të shijosh shtatzëninë nuk do të thotë që po neglizhon. Përkundrazi…

Në ‘instagram’ shtatzënia jote duket si pupël. Po, e dimë që mamat e lumtura në pritje, postojnë vetëm momentet e bukura, por duket kaq e pabesueshme që s’ke pasur shqetësime, vështirësi, momente jo dhe aq rozë…

Asnjë problem! Vetëm barku që rritet dhe bebi që shkelmon, kaq (buzëqesh).

Para se të mësonit se prisni një djalë, a kishit ti dhe Jakub preferencat tuaja? Kush e donte vajzë?

Në fakt, Jakub mendonte gjithë kohës se ishte vajzë, mami mendonte se ishte vajzë, kurse unë thoja është djalë, po ashtu dhe Jehona… Nuk e di pse e ndjeja që ishte djalë! U gëzova që do të jetë djalë dhe shok në të njëjtën kohë për Jakub, që ta marrë me vete në hockey dhe t’i rrëfejë botën. Të bëhet si i ati, për mua do ishte lumturia më e madhe.

Është zgjedhur emri? Kush fitoi, ti apo Jakub?

Janë zgjedhur dy-tre emra dhe po presim ta shohim për herë të parë për të vendosur se cili emër i shkon më shumë. Të dy kemi punuar shumë për emrin…unë pak më shumë (qesh).

Kanë ndodhur bisedat e përfytyrimit të tipareve të bebit, si t’i ketë sytë, si t’i ketë flokët? Kujt do doje që t’i ngjante?

Oh my god, edhe sot në mëngjes u zgjuam dhe thashë: po vdes ta shoh. Si ka mundësi që duhet të presim edhe 1 muaj… ‘Kujt do t’i ngjajë më shumë?’, – e pyeta Jakub. Ai mendon se të dyve nga pak.

I ke bërë ti në mendje që tani planet e të ardhmes së bebit tënd, apo je mami ‘le t’i marrim gjërat si të vijnë’?

Pak plane dhe pak si të vijnë…

Kemi parë disa detaje nga veshjet e bebit. A është gjithçka gati për pritjen e tij?

Dhoma është pothuajse gati! Dollapin dhe rrobat ia bëra gati. O Zot saaaa të vogla që janëëëë, është një gjë shumë e bukur.


Duket sikur pandemia nuk ekziston ne flluskën tënde. Në fakt, si ka qenë për ty që je ne situatë delikate kjo përiudhë e vështirë për të gjithë?

Normalisht që ekziston. Kemi treguar shumë kujdes, ishte një periudhë shumë e vështirë për të gjithë, por më në fund po shohim një dritë në fund të tunelit dhe shpresoj t’ia dalim. Me gjithë situatën time të lumtur, unë kam qenë dhe jam pjesë e realietit.

Si ndihet një grua në ditët e fundit, pasi ka pritur më shumë se tetë muaj të shohë më në fund fytyrën e bebit?

Kjo qenka gjëja më e vështirë, ta mbash, ta ndjesh, ta duash dhe të presësh ta njohësh. Padurim i pashpjegueshëm dhe mrekulli më vete..

Ju jeni të dy personazhe të njohur. Nuk e keni mbajtur të fshehtë pritjen e ëmbël, por çfarë keni vendosur, pasi të vijë bebi, do postoni foto të tij apo vetëm dorën?

Këtë pjesë akoma po e mendojmë… nuk besoj që do ta fsheh, po kush e di? Ndoshta do ndryshoj mendim. Jakub më thotë si të duash ti. Dhe në fakt kur e mendoj, pse mos ta ndaj dashurinë më të bukur në botë me gjithë botën? 

(Kosova Sot Online)