Vedati i “Stupcave” pjesë e filmit turk “Elif Ana”
Kinematografia turke do të pasurohet edhe me një projekt që synon të ekranizojë jetën e një personi me mjaft ndikim, sidomos në komunitetin ku ajo veproi. Një grup filmbërësish ia kanë mësyrë që të shpalosin në projektor historinë e Elif Sugan, e cila njihet si Elif Ana.
Për komunitetin që e ka pasur prijëse shpirtërore e ata që thonë se u ndihmoi t’i kalojnë vështirësitë shëndetësore, misionarja fetare, e lindur më 1903 afër qytetit turk Pazarcık, është një shenjtore. E tillë konsiderohet edhe në Tyrben e saj në fshatin e lindjes Akdemir, që si objekt kulti numëron goxha pelegrinë. Në kastin e filmit kushtuar Anas janë edhe dy aktorë shqiptarë. Komediani Vedat Bajrami nga Kosova, i njohur si Vedati i “Stupcave”, dhe aktori nga Kumanova e Maqedonisë së Veriut, Vildan Maksuti, plotësojnë mozaikun e artistëve të përfshirë në projekt.
Në konferencën për medie, që është mbajtur në fundjavë në Stamboll, producentët Ökkeş Zengin, Ali Bilmeç, Hasan Bilmeç, Bilal Bilmeç kanë shpalosur detaje për film. Ky projekt kinematografik llogaritet të jetë më i madhi i realizuar deri më tash sa i përket Elif Anas, e cila vdiq më 1991. Humanistja do të portretizohet nga aktorja turke Aliye Uzunatağan. Pjesë e filmit do të jetë edhe aktori i njohur turk Kazım Çarman. Përfaqësuesit e produksionit “Life is a Movie” kanë bërë të ditur se regjisorë të filmit do të jenë Semir Aslanyürek dhe Kazım Öz. Xhirimet e filmit do të zhvillohen në rrethinën e Kahramanmaraş, rajon ky ku edhe ushtroi veprimtarinë Ana, e cila njihet edhe si ringjallëse e alevizmit në vendin ku jetoi. Alevijtë janë grup besimtarësh mysliman që i takojnë tarikatit bektashi dhe besojnë se janë pasues të prijësit fetar imam Aliut. Ana, përtej prijëses fetare, njihet edhe si humaniste e mjeke popullore.
“Ajo ka qenë engjëll i së mirës. E ne për ta bartur te gjeneratat e reja mundin e saj e kemi marrë si obligim njerëzor realizimin kinematografik. I falënderojmë mbështetësit tanë, të cilët na pasuruan me informacione dhe kujtime për të, familjarët dhe të gjithë ata që na përkrahën për realizimin e qëllimit tonë”, ka thënë aktori Kazım Çarman.
Erkan Oğur do të punojë për kolonën zanore të filmit, skenari i të cilit është shkruar nga Nihat Behram, Semir Aslanyürek dhe Kazım Öz.
E aktori kosovar Vedat Bajrami në konferencë ka thënë se Elif Ana është një figurë e rëndësishme.
“Elif Ana në Turqi është si Nënë Tereza në vendin tonë. Është kënaqësi të jem këtu në Stamboll”, ka thënë ai. Ka treguar se është hera e parë që merr pjesë në një film turk.
“Jam shumë krenar për ofertën që më është dhënë që të vij në Stamboll dhe të marr pjesë në një film të këtij kalibri”, ka thënë ai. Shenjtoren të cilës i kushtohet filmi e ka përshkruar si figurë të njohur që ka luftuar për të drejtat e njeriut, iu ka shërbyer të varfërve dhe iu ka ndihmuar shumë njerëzve.
E Vildan Maksuti ka thënë se emri Elif Ana është tashmë i njohur. “Për të luajtur këtë film duhet të kemi aktorë shumë të mirë dhe për mua është kënaqësi e madhe me qenë pjesë e këtij projekti”, ka thënë ai. Midis aktorëve që janë të përfshirë në projekt janë edhe” Ali Sürmeli, Necmettin Çobanoğlu, Orhan Aydın, Cezmi Baskin, Füsun Demirel, Turgay Tanülkü e të tjerë.
(Kosova Sot Online)