E pranoi se e plagosi Valin, çfarë tha tjetër e akuzuara për këtë vepër

  • G.g /
  • 07 October 2022 - 08:58
E pranoi se e plagosi Valin, çfarë tha tjetër e akuzuara për këtë vepër

Gjykata Themelore e Gjilanit e ka shpallur fajtore të akuzuarën A.S., duke e dënuar me 1 mijë euro gjobë, për akuzën se nën ndikimin e substancave narkotike, e kishte plagosur të dëmtuarin Princ Valentino Corleone, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Aktgjykimin ndaj të akuzuarës S. e shpalli të enjten, kryetari i trupit gjykues Aziz Shaqir, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit, e akuzuara A.S, për të tri veprat penale me të cilat e ngarkonte aktakuza, dënohet me një gjobë kumulative në vlerë prej 1 mijë euro, të cilën obligohet ta paguajë në një afat prej 30 ditësh.

Në rast se e akuzuara nuk e paguan gjobën, dënimi me gjobë i zëvendësohet në dënim me burgim prej 50 ditësh.

Paraprakisht, në seancën e sotme e akuzuara A.S. përmes avokatit të saj Ramadan Leka ka pranuar fajësinë për të tri veprat penale me të cilat e ngarkonte akuza.

E akuzuara dhe i dëmtuari Princ Valentino Corleone, gjatë dëshmive të tyre para trupit gjykues, kanë deklaruar se ngjarja kishte ndodhur në mënyrë aksidentale dhe pa paramendim për të shkaktuar rrezik për të pranishmit dhe se e njëjta kishte ardhur si pasojë e ndikimit të substancave narkotike.

E pandehura S. para trupit gjykues është zotuar se nuk do të përsëriste vepra të ngjashme apo të tjera me karakter penal, duke shtuar se gjatë qëndrimit në paraburgim, e kishte kuptuar se mund të jetonte edhe pa përdorimin e substancave narkotike.

Mbrojtësi i të pandehurës, avokati Leka ka kërkuar nga trupi gjykues që për të mbrojturën e tij të merren parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese, duke iu referuar të kaluarës së saj të shkëlqyer dhe arritjeve të rëndësishme edhe në gara ndërkombëtare të diturisë, pendimit të shprehur para trupit gjykues, si dhe zotimit të saj publik se nuk do të përfshihet në asnjë lloj vepre tjetër penale në të ardhmen.

Ai kërkoi nga trupi gjykues që të mbrojturës së tij t’i hiqet masa e paraburgimit dhe t’i shqiptohet dënim alternativ me gjobë.

Prokurorja Bahtije Ademi, nga ana tjetër, nuk e ka kundërshtuar pranimin e fajësisë nga ana e të pandehurës për të tre veprat penale që i ngarkohen sipas përshkrimit faktik dhe kualifikimit ligjor të aktit me kushtet ligjore nga neni 248, paragrafi 1 i KPRK-së.

Ajo ka kërkuar nga trupi gjykues që të pandehurës t’i shqiptohet dënim adekuat në konsideratë të rrethanave në të cilat janë konsumuar veprat penale.

Ndryshe, sipas aktakuzës, më 11 gusht 2022, e pandehura A.S, në Gjilan nga pakujdesia kishte shkrepur me armë, duke shkaktuar rrezik të madh për jetën e dy të pranishmëve tjerë në dhomën e objektit të banimit ku po qëndronin – të dëmtuarin Princ Valentino Corleone dhe mysafiren e tyre M.Zh.

Tutje, sipas aktakuzës, e pandehura godet të dëmtuarin Princ Valentino Corleone, në këmbën e djathtë, në pjesën e muskulit nën gju, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore, të cilat janë konstatuar me ekspertizën mjeko-ligjore, të 17 shtatorit 2022, të lëshuar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Me këtë, e akuzuara A.S ngarkohej se ka kryer veprat penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356, paragrafi 6 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, “Mbajtja në pronësi të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 i Kodit Penal dhe “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” nga neni 269, paragrafi 2 të Kodit Penal.

Ndryshe, i dëmtuari i këtij rasti, Princ Vali Corleone edhe më herët ishte përfshirë në veprat të ngjashme penale, por në cilësinë e të akuzuarit.

Në mars të këtij viti, atij i ishte caktuar masa prej një muaj paraburgim, nën dyshimin se kishte ushtruar dhunë ndaj prindërve të tij.

Kurse, në maj të vitit 2021 ishte dënuar me 5 mijë e 200 euro gjobë për armëmbajtje pa leje dhe posedim të substancave narkotike.

(Kosova Sot Online)