Kush ua publikoi videon Princ Lekës dhe Elia Zaharisë?

  • A.P /
  • 18 June 2024 - 19:30
Kush ua publikoi videon Princ Lekës dhe Elia Zaharisë?

Prokuroria e Tiranës, pasi ka çuar për gjykim dosjen për dhunë në familje ndaj Princ Lekës, Elia Zaharisë dhe babait të saj Gjergj Zaharia, ka pushuar çështjen për nxjerrjen e sekretit hetimor, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

 

Bëhet fjalë për hetimet që nisën pas publikimit në rrjet të videos së bujshme, ku Princ Leka dhe Elia Zaharia sulmonin fizikisht njëri-tjetrin.

Në deklarimet publike, Princ Leka ka hedhur dyshimin se kjo video është nxjerrë nga strukturat e policisë, apo nga prokuroria kur ai dorëzoi videon.

Prokuroria e Tiranës ka dalë në konkluzionin se kjo video ka dalë nga vetë princ Leka, i cili ishte krijuesi dhe poseduesi i këtij materiali filmik. Celulari është kërkuar nga prokuroria por ky i fundit nuk e ka dorëzuar, duke deklaruar se e ka thyer nga stresi, raporton TCH.

Nga verifikimet ka rezultuar se kjo video i është dërguar mikeshës së tij me të cilën dyshohet se është në lidhje, Blerta Celibashi. Kjo e fundit pasi ka marrë videon, pamjet i dërguar në kancelari për t’i kaluar në usb. Kur prokuroria i ka kërkuar celularin Blertës, ajo ka deklaruar se e ka futur në lavatriçe.

Është bërë verifikimi në kancelari, por punonjësja që ka asistuar Blertën ka thënë që është fshirë dhe nuk ka pasur mundësi ta shpërndajë.

Në këto kushte janë pushuar hetimet, por Prokuroria bën përgjegjës Princ Lekën sepse pamjet e shpërndara në media janë më të gjata se ato që ka prokuroria.

Image

(Kosova Sot Online)