Gjyle Qollaku: Publiku shqiptar ruan një dashuri të madhe për këngën tradicionale

  • A.P /
  • 01 January 2025 - 14:15
Gjyle Qollaku: Publiku shqiptar ruan një dashuri të madhe për këngën tradicionale

INTERVISTË ME KËNGËTAREN GJYLE QOLLAKU

Këngëtarja e njohur Gjyle Qollaku, si rrallë herë ka folur mbi karrierën dhe jetën e saj në një intervistë ekskluizve për gazetën “Kosova Sot”.

Ajo është shprehur me dashuri për fëmijërinë e saj në Shkup, duke ruajtur kujtime të gjalla që mbeten të paharruara në memorien e saj.

Image

Pavarësisht kalimit të kohës, ajo shpreh mirënjohje për të gjithë ata me të cilët ka ndarë momentet e mira dhe të këqija, dhe mbi të gjitha, falënderon Zotin për gjithçka në jetë.

Për më tepër rreth jetës dhe karrierës së këngëtarës mund të kuptoni duke lexuar intervistën në tërësi...

Dy këngët e fundit që keni publikuar me videoklip janë "A ke harru" dhe “Nuse”, kush janë autorët dhe sa jeni ndarë e kënaqur me realizimin e këngës në tërësi?

Gjyle Qollaku: Kënga “A ke harru” është një baladë dashurie, tekstin e ka shkruar Kreshnik Avdiu, orkestrimi është i Labinot Mezinit dhe videoproduksioni është i “Urban Films – Arboni”. Edhe për këngën me motive dasmash “Nuse” kemi punuar me të njëjtit njerëz. Kemi bërë një punë të jashtëzakonshme, ndërsa të njëjtat këngë janë mirëpritur shumë mirë edhe nga publiku.

Image

Thuhet se vitet e fëmijërisë janë më të ëmblat, na kujtoni ndonjë ngjarje për të cilën edhe sot ke nostalgji?

Gjyle Qollaku: Kthimi në kohë, edhe pse është i pamundur, për mua mbetet një kujtesë e pashlyer. Nostalgjia për vitet e fëmijërisë në Shkup është e thellë, ato momente janë të paharrueshme për mua. Megjithatë, i jam mirënjohëse të gjithëve me të cilët kam ndarë të mirën dhe të keqen, por për gjithçka në jetë, i jam mirënjohëse Zotit.

Image

Sipas teje, a është e nevojshme që një këngëtar/e të provokojë në skenë, apo nuk mund të kuptohet një këngëtar/e, i/e pëlqyer sot pa provokime?

Gjyle Qollaku: Kërkesa e provokimit në skenë është një opinion shumë i diskutueshëm. Unë mendoj se nuk është e nevojshme, dhe përgjithësisht, varet nga niveli i muzikës që bën artisti. Si këngëtare, gjatë gjithë karrierës time kam përmbajtur një etikë të lartë dhe kam krijuar muzikë të cilësisë, të cilën mund ta dëgjojë çdo person, kudo. Nuk është e nevojshme që të provokoj për të pasur sukses, dhe për këtë arsye, gjithnjë kam qëndruar besnike stilit tim. Nuk paragjykoj asnjë artist për paraqitjen e tij/saj, ndoshta zhanri që ata ndjekin kërkon provokime të tilla. Por, unë nuk e kam praktikuar dhe nuk e praktikoj këtë. Stili i muzikës sime është familjar dhe popullor.

Image

A ka ndonjë moment që dëshironi ta ndryshonit në jetën dhe karrierën tuaj?

Gjyle Qollaku: Ndoshta, ndoshta modestinë e tepërt (qesh). Nuk mendoj që kam ndonjë moment të veçantë që do doja ta ndryshoja, përveç ndoshta se do kisha mundur të isha pak më pak e rezervuar në disa raste.

Image

Si e përjetoni reagimin e publikut kur performoni live?

Gjyle Qollaku: Performancat live janë një mundësi e jashtëzakonshme për të qenë pranë publikut dhe për të krijuar një lidhje të veçantë me ta. Kur shoh reagimet e publikut, shoh se ata argëtohen, këndojnë me ne, dhe shumë prej tyre duan të bëjnë foto për të ruajtur kujtime nga momenti. Kjo është një përvojë fantastike dhe na jep më shumë stimul për të punuar dhe për të qenë më afër publikut.

Image

A ka ndonjë artist me të cilin dëshironi të bashkëpunoni, por ende nuk keni pasur mundësinë?

Gjyle Qollaku: Gjatë gjithë karrierës time kam pasur mundësinë të bashkëpunoj me emra të njohur të estradës shqiptare. Në këtë aspekt, mund të them se jam e plotësuar. Megjithatë, unë gjithmonë kam qenë e hapur për bashkëpunime të reja. Mbase do të ishte interesante një bashkëpunim me një këngëtar/e nga gjenerata më e re. Besoj se mund të sjellim një risi për publikun, duke kombinuar zhanre të ndryshme muzikore.

Image

Cila ka qenë përvoja më interesante që keni përjetuar gjatë udhëtimeve si këngëtare?

Gjyle Qollaku: Janë shumë udhëtime dhe përvoja të paharrueshme. Ndoshta momenti më i veçantë është kur shoh që publiku këndon këngët e mia, dhe unë nuk dëgjoj zërin tim. Ky është një moment që më emocionon gjithmonë dhe më bën të kuptoj sa e fortë është lidhja me adhuruesit e muzikës time.

Image

Sipas jush, ku është muzika shqipe sot, a jeni e kënaqur me standartin aktual apo duhet ndryshime urgjente?

Gjyle Qollaku: Është e vërtetë që muzika shqipe ka ndryshuar shumë në vitet e fundit. Ndryshe nga fillimet e karrierës time, sot shumë muzikë është komerciale dhe digjitalizimi ka sjellë mundësi të reja për industrinë. Megjithatë, kjo ka sjellë një rritje të sasisë së muzikës, por jo gjithmonë të cilësisë. Publiku shqiptar gjithsesi ruan një dashuri të madhe për këngën tradicionale dhe muzikën e bukur shqipe. Unë nuk jam kundër zhvillimeve digjitale, por mendoj se është e rëndësishme që të ruhet cilësia dhe të mos bëhet vetëm për klikime dhe përfitime.

Image

Nga pikpamja e juaj Viti i Ri më mirë festohet sot apo vite më parë?

Gjyle Qollaku: Po, ka një ndryshim të madh. Më parë, përgatitjet për Vitin e Ri fillonin një muaj më parë, qytetarët bëheshin gati, dhe televizioni bënte programe speciale me orë të tëra. Tani ka më pak aktivitet dhe më shumë fokus tek teknologjia dhe media digjitale. Ky ndryshim ka ardhur për shkak të ndikimit të digjitalizimit në të gjithë botën, dhe natyrisht, edhe shqiptarët janë prekur nga kjo tendencë.

Image

Për fund, cila është motoja që përdor më shpesh si mesazh për shoqërinë dhe jetën në përgjithësi?

Gjyle Qollaku: Motoja ime është: "Ecni me kohën! Shijoni momentet dhe jini optimist në çdo situatë të jetës suaj. Vlerësoni gjithçka pozitive që ju rrethon."

Intervistoi: Armend Preteni

(Kosova Sot Online)