Roman dashurie: Si u dashurova në ty (109)
Ajo është ende duke gjakderdhur. "Nell, dashuri, unë jam këtu". "Jo, jo… ti nuk kupton. Bebja… e humba beben". "E di, e dashur. E di. Të kam ty. Këtu jam". Nuk mundem të mos më dridhet zëri. Edhe unë jam i tronditur sa ajo, por nuk mund të dorëzohem tani. Përfundimisht duket se kupton që jam unë. Më njeh. M'i kap duart dhe kthehet për të më parë. Fytyra e saj është e kuqe dhe e mbuluar me djersë. "Colton? Oh Zot, ti nuk duhej të më vije pas". Më nuk mund ta mbaj zemërimin. "Çka dreqin po thua, Nell? Të dua...
Pse doje të ikje? Çka do të mendoje se do të të thosha"? Ma mëshon me grusht, me një të rame të dobët. "Unë e di se çka më ke thënë. Një bebe është gjëja e vetme që të duhet. Një bebe. Një bebe e mallkuar". "Jo, Nell. Jo. Këtë nuk e thashë. Thashë se shtatzënësia është gjëja e fundit që na duhej. Nuk thash se bebja është gjëja e fundit që na duhet. Dhe, pa marrë parasysh krejt, nuk duhej të ikje. Ti je e imja. Bebja do të ishte edhe e imja. Unë do të përkujdesesha për ty. Gjithmonë do të përkujdesem për ty". Jam duke qarë. Sikur të isha vajzë. "Jam këtu, jam këtu". Ajo nuk bëzan. Më shikon me sytë gjysmë të mbyllur, të dobët, të pajetë, duke gjakderdhë në mua. "Më fal. Më vjen keq. Vetëm isha tepër e frikësuar. Kam frikë, Colt".
Kjo është hera e parë që ajo më thërret Colt. "E di, Nelly-baby. Tani je me mua. Do të jesh në rregull". "Jo… jo. Kjo nuk është në rregull. E humba beben, Colton". Zëri i saj është i dhembshëm. "E di…", edhe zëri im dridhet. "E di". "Nuk doja të kisha fëmijë. Nuk doja të bëhesha nënë. Jam tepër e re. Kjo ishte tepër herët.
Gjatë tërë kohës lutesha që të mos isha shtatzënë. Por, nuk doja të ndodhte kështu. Të betohem. Më fal... nuk doja që të ndodhte kjo". Zëri i saj është aq i dobët, sa që mezi e dëgjoj. Ajo ka humbur shumë gjak. Nga gjoksi teposhtë edhe unë jam mbuluar me gjakun e saj. Duart më dridhen, e edhe këmbët. Kam vrapuar shumë, në një distancë të madhe, tani është vetëm adrenalina ajo që më mban. Vrapoj me gjysmë fuqie. Më pas, shoh ndriçimin e verdhë të oborrit të familjes Hawthorne, derën e të cilit e hap me duart tërë gjak. Rachel Hawthorne dëshiron me çdo kusht ta dijë se çka ka ndodhur. Jim Hawthorne është në telefon. "Colt, çka ndodhi?", më tha zëri i Rachelit që vinte nga larg. Nuk mund ta lë. Asaj i ka humbur vetëdija. Ende vazhdon që të humbë gjak. Një dorë që më prek në sup, më kthjellë, më kthen në realitet. "Colton, çka ndodhi? Pse i tërë ky gjak?" më pyet Jim, me zërin e tij të ashpër dhe komandues. "Abort", është fjala e vetme që arrij t'ia them. "Abort?
Nell ishte shtatzënë? Me ty?", tani ai është edhe më i zemëruar. "Nuk e dija... nuk dija gjë. Nuk më kishte treguar. Iku. Erdhi këtu..." E shikoj fytyrën e saj të bukur, por të shuar. Ia mëshoj lehtazi shpullë. "Të lutem, Nell. Zgjohu. Zgjohu"! Ajo nuk zgjohet. Kokën e ka të varur në njërën anë. Dora e saj bie poshtë dhe luhatet. Mezi merr frymë... apo nuk merr fare?! Ma marrin Nellin nga dora. Nuk dua t'ua jap, por nuk më pyesin.
E kthej kokën dhe shikoj. Aty janë prindërit, Jim, Rachel. Që të gjithë më shtyjnë tej. Më bërtasin, por nuk ua dëgjoj zërin. Vetëm një gumëzhinë. Një njeri me uniformë më del përpara. Është nga autoambulanca. (vijon)
(Kosova Sot)