Ngjarje e vërtetë: Nga kthetrat e nënës më shpëtoi vajza e varfër (1)
- Shumë faleminderit, doktor! E shpëtuat mikun tim më të mirë - shtrëngova dorën e shtrirë të një mashkulli më të vjetër dhe me një shikim të kënaqshëm e përcolla nga ambulanta e veterinarisë. Fytyra e tij ishte e kënaqur, derisa afër tij ecte një labrador ngjyrë ari. Edhe unë isha tepër i lumtur që ia dola t'ia shpëtoja qenin e preferuar, të cilin e kishte tash e 12 vjet. Eh, kësaj i thonë fat, mendova, derisa shikoja buzëqeshjen e asistentes sime të bukur, përndryshe edhe gruas sime: t'i gëzosh të tjerët, të bësh punën që të pëlqen dhe ta kesh pranë personin që të kupton! Sikur ta kisha dëgjuar nënën, nuk do t'i kisha asnjërën nga këto. Do të isha jurist me rroba të hirta, do ta bëja punën që nuk më pëlqen dhe, me gjasë, nuk do të isha aspak i lumtur. U rrëqetha me të mu kujtuar ditët e rinisë sime. Kush do të thoshte se një "djalë i mirë, i shtëpisë së mirë" mund të ketë kujtime kaq të këqija, por falë nënës sime, unë i kisha - edhe me bollëk, bile.
Terrori i nënës sime ndaj meje kishte zgjatur prej se e mbaja mend veten. Nuk je ti për ato lojëra primitive dhe të ndyta, më thoshte derisa, si i vogël, shikoja me lakmi sesi moshatarët e mi luanin futboll në fushën me pluhur. Unë, si djalë i mirë, i një familjeje me nam, mund të shkoja në kurs të tenisit dhe gjuhëve të huaja, por jo edhe të shoqërohesha me "rrjepacakë". Edhe pse ndjeja një refuzim të madh ndaj asaj që ajo më thoshte, isha i pafuqishëm. Bile as babai im, i cili, thënë shkarazi kishte pikëpamje krejtësisht të ndryshme, nuk mund t'i kundërvihej nënës sime. Jeta ime ishte tërësisht në duart e saj, prandaj ajo edhe i merrte të gjitha vendimet në lidhje me mua. Pas atij se me kë mundem, e me kë jo të shoqërohesha, pasoi vendimi rreth profesionit tim të ardhshëm. Meqë babai im ishte jurist, sikur edhe gjyshi dhe babagjyshi im, ishte goxha e qartë se çka duhej të bëhesha. Nuk kisha mundësi të zgjidhja. Kjo nuk do të ishte aq e tmerrshme, sikur të kisha pasur ndonjë prirje për këtë profesion, por nuk kisha. Derisa nëna ime syhapur më ëndërronte në rolin e një avokati të mirënjohur, unë mendoja krejt diçka tjetër. - Nuk dua as të dëgjoj! - atë e kaplonte kriza nervore sa herë që i thosha se doja të bëhesha veterinar. - Çfarë marrëzish po të sillen në kokë? Çfarë veterine? Do të jesh jurist dhe - kaq! Supozoj se nuk është vështirë t'ia qëlloni se cilin fakultet e regjistrova, kur erdhi momenti i vendimit. Natyrisht se nuk isha i lumtur, por meqë nëna ime ishte, unë besoja se i kisha siguruar vetes sadopak qetësi. Sa mendjelehtë që isha! E regjistrova vitin e dytë të drejtësisë, kur një ditë të ftohtë dimri, nga dritarja pashë diçka që më bëri të ndalesha. Atje, as dhjetë metra larg meje, qëndronte një vajzë e cila qeshej me zë. Era ia bartte flokët e zi, shkëlqyes, të gjatë deri në supe dhe ajo e kishte buzëqeshjen më të mirë që kisha parë ndonjëherë. Ishte e veshur me rroba sportive, me bluzë të gjerë, pantallona dhe atlete, e në dorë mbante lidhëset e dy qenve. Njëri nga ata qen ishte pekinez, e tjetri nuk e di, por po ashtu i një race të vogël. Shkak i qeshjeve të saj ishin mu këta dy qen, të cilët me këmbët e tyre të shkurtra, ngriheshin lart për ta përshëndetur vajzën. - Ja, ja, qetësohuni! Tani do t'ua jap shpërblimin.
Ju jeni vajza të mira, shumë të mira! - iu thoshte me dashuri vajza atyre, derisa nga çanta, të cilën e kishte lidhur rreth belit, nxirrte dy keksë për qen. Qentë i hëngrën keksët me dëshirë dhe shëtitja mund të vazhdonte. Dola jashtë dhe e shikoja si i magjepsur sesi kalonte andej. Në një moment, shikimet tona u ndeshën. Kur njëri nga qentë bëri turr të vinte në drejtimin tim, duke më kërcyer me putrat e veta të vogla në gju, në sytë e vajzës përsëri u vërejt gëzimi. - Mos, Bebe! - e qortoi ajo qenin pekinez, por nga shikimi shihej se atë e kishte argëtuar kjo pamje. Me gjasë dukesha qesharak ashtu i shtangur dhe i zënë në befasi, meqë ajo nuk pushonte të qeshuri. - Është evidente se i do kafshët - më tha me spontanitet, duke e ngrehur qenin nga vetja. - Bebja nuk ua bën këtë të gjithëve. Më fal nëse t'i ka fëlliqur pantallonat! - Nuk ka rëndësi - thash duke fshirë me shpejtësi pluhurin që kishte lënë putra e Bebes në pantallonat e mi. (vijon)
(Kosova Sot Online)