Ngjarje e vërtetë: Fjeti me mua duke menduar se isha i pasur (4)

  • E. /
  • 03 October 2020 - 16:43
Ngjarje e vërtetë: Fjeti me mua duke menduar se isha i pasur (4)

ëJa, po vjen! – dëgjova djemtë se si pëshpëritnin dhe e pashë Renatën se si afrohej duke ecur korridorit të gjatë. Me xhelozi dëgjoja se si ata komentonin rreth këmbëve të saj, prapanicës, gjoksit, e më pas m’u kujtua se ata nuk kishin faj, meqë nuk e dinin se ajo tani ishte imja. Por, shumë shpejt do të duhej ta merrnin vesh. Pasi që Renata u afrua plotësisht, kërceva para saj dhe i hapa duart. Në magazinë përnjëherë u krijua një situatë e nderë. Athua çka mendonin tani kolegët e mi? Me gjasë se isha çmendur. Nejse, le të mendojnë ashtu! Me gjasë edhe isha çmendur. Tani do ta shohin ata, mendoja, duke iu gëzuar paraprakisht reagimit të tyre, pasi që Renata do të më hidhej në përqafim. - Çka?! – tha ajo duke u ndalur, derisa i rriti sytë pasi që më njohu. - Kjo është befasia për të cilën të kam folur! – i pëshpërita në vesh, duke pritur me padurim përqafimin e saj. - Nuk po kuptoj … - filloi të belbëzonte ajo. - A nuk është kjo mrekullia vetë? – thash duke buzëqeshur me naivitet. - Ti dhe unë në të njëjtën sipërmarrje.

Paramendo! Mund të shihemi çdo ditë. - A d.m.th. kjo se ti punon këtu, a? – tha ajo, duke ia hedhur një shikim të neveritur magazinës. - Po. A mund të besosh? Kuptoj se, duke qenë këtu, ti e ke pasur të pamundur që të më vëreje, prandaj edhe mu desh që t’i zbukuroja pak gjërat. - Si po mendon,“t’i zbukuroje”? Tani asaj ia rrëfeva të gjitha, i pranova të gjitha: nga huazimi i veturës dhe parave, e deri te sabotimi i veturës së saj. Derisa më shikonte gojëhapur, isha i bindur se ajo ishte duke u mahnitur me gjindshmërinë time. Dy ditë më parë, në shtrat, më kishte bërë be në dashurinë tonë, prandaj tani vetëm sa mund të më donte më shumë. Apo jo?! - Ti… ti… - belbëzonte ajo, e unë ende nuk e dija se çka mendonte ajo në ato momente. E kuptova vetëm pasi ndjeva një flakaresh të nxehtë në faqen time. - Por… - tani isha unë ai që ishte i hutuar. Kjo nuk mund të ishte e vërtetë. E, ku mbetën fjalët se unë isha “mashkulli i jetës së saj”? - Gënjeshtar! Ti nuk je ai njeri si u paraqite. Më ke mashtruar. Nuk dua të të shoh kurrë më! – bërtiti duke më shikuar me urrejtje në sy, duke u përgjigjur kështu në pyetjen time të pashqiptuar. Më pas u kthye në anën tjetër dhe u largua me shpejtësi. Pasi që pushuan së dëgjuari trokitjet e takave të saj, u ktheva kah magazina. Aty qëndronin kolegët e mi, të cilët tërë këtë ngjarje e kishin përcjellë me gojë hapur. - Mos më thuaj vetëm se ti dhe ajo... – filloi njëri nga ta, por e ndërpreva menjëherë. - Nuk dua të flas rreth kësaj teme. As tani, e as ndonjëherë tjetër! Ndoshta miku im i vjetër ka të drejtë.

Ndoshta problemi nuk qëndronte te femrat, por te unë. Ndoshta vazhdimisht lidhem me femra të gabuara. Nuk është e mundur që të gjitha të jenë femra të lehta. Nuk mund të jenë! Ja, p.sh., e dashura e tij nuk është e tillë. E, me gjasë nuk ishte as Merita. Ajo më shikon aq mirë sa herë që takohemi në mëngjes, derisa unë jam duke shkuar në punë. Unë në magazinë, e ajo në fabrikën e tekstilit, ku punon si rrobaqepëse. Asaj nuk i pengonte që unë nuk kisha auto. Ishte mësuar të udhëtonte me autobus. Dhe, nuk i pengon nëse nuk mund t’i ofrojë shampanjë dhe havjar. Sytë i shkëlqenin si shkëndija kur fundjavën e kaluar dolëm të hanim qofte në një lokal aty afër. Nuk e di se çka është duke ndodhur, por më duket se jam duke rënë në dashuri. Kësaj here përnjëmend. - A e sheh sesi menjëherë u njohe me një vajzë adekuate, sapo u bëre insan – thotë nëna ime, e bindur sesi rrobat e kanë sjellë këtë ndryshim. Ajo, natyrisht, as nuk mund ta marrë me mend se çfarë zhgënjimi kisha përjetuar mu për shkak të atyre rrobave! FUND.

(Kosova Sot Online)