Roman dashurie: Atëherë kur më së paku e pret(43)

  • G.g /
  • 10 November 2020 - 13:07
Roman dashurie: Atëherë kur më së paku e pret(43)

- Por, ti nuk e do atë?

- Jo. Nuk e dua. Por, nuk ka lidhje. Prapëseprapë do të jem një grua e mirë për të.

E di se kjo është qesharake, kur dihet se vetëm një muaj para martese, ja, jam me një mashkull tjetër - edhe atë lakuriq, bile. Nuk duket e ndershme, por kjo vetëm pse je ti në pyetje, dikush i veçantë.

- Unë nuk them se kjo është e pandershme që sapo bëre dashuri me mua. Derisa të mos e thuash "po"-në e famshme, nuk është ndonjë mëkat i madh të jesh me dikë tjetër. Vetëm para ofiqarit ti përbetohesh se do t'i takosh vetëm një mashkulli.

Gane, pandershmëria ka karakter moral. Ti thua se e çmon atë njeri, si dhe dashurinë e tij ndaj teje. Por, unë nuk mendoj se kjo është e vërtetë.

- Urdhëro? Si po mendon? - Me faktin se po martohesh me të dhe po i jep shpresë se e do dhe se do ta bartësh unazën e tij me dashuri.

E ti, në fakt, e bën një gjë të tillë vetëm pse je në kërkim të sigurisë dhe nuk ke më guxim që të luftosh për dashurinë e vërtetë. Ajo u zbeh. Fjalët e tij ishin një gjë të cilën ajo kurrë nuk kishte guxuar t'ia pranonte vetes. Ishte munduar ta gjente ndonjë arsyetim për vetveten.

- Unë do ta dua. Asgjë nuk do t'i mungojë, nuk do ta tradhtoj. Do të përkujdesem për të sikur që do të përkujdesesha për mashkullin që do ta doja marrëzisht.

- Por, duart tua nuk do të jenë aq epshore sikur që ishin pak minuta më parë, e as puthjet tua nuk do të jenë aq të papërmbajtura. Trupi yt nuk do të jetë aq i nxehtë. Ai njeri, herët apo vonë, do ta marrë vesh këtë dhe do ta kuptojë se ti nuk e do, gjë që do të jetë një lëndim shumë më i madh sesa që do ta lëndosh tani, nëse e lë pa i thënë gjë. Ganja nuk donte të dëgjonte më. U kthye në shtrat dhe e shtyu marrjen e vendimit përfundimtar.

 Dy javët e fundit kaluan në një kaos të plotë emocional. Gjatë ditës përgatitej për dasmë, takohej me Milaimin dhe e luante rolin e nuses së ardhshme, e cila mezi pret të vijë dita e dasmës, muaji i mjaltit, etj. Në mbrëmje e merrte vendimin e vështirë që, pasi që të paraqitej Dreni, do t'i jepte fund tregimit të dashurisë me të. Por, kjo nuk ndodhi. Sa herë që e takonte, i thoshte vetes se nesër do ta dëbonte.

Më pas, nesër, nesër... E donte aq shumë, sa që zemra fitonte në çdo betejë kundër arsyes së shëndoshë. Megjithatë, ajo ndiente pendim, kaos dhe një mjerim të plotë. Por, kishte kuptuar se nuk kishte kontroll mbi veprimet e veta kur flitej për Drenin dhe shqetësohej rreth asaj se si do ta priste ditën e martesës, nëse do të vazhdonte të hante me dy lugë. (vijon)

(Kosova Sot Online)