Lexoni edhe:
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (2)
Edhe, a u kthyen? - Prit, të tregoj! Po, u kthyen, por kur filluan të merrnin erë, filluan të dyshonin se mos e kishin gabuar shtëpinë. Ato panë gruan e cila (gjoja) flinte e qetë me fëmijët e saj, panë një renditje tjetër të gjësendeve, gjë që i bëri edhe më shumë të bindeshin se e kishin gabuar shtëpinë dhe u larguan. Kur nëna e atij djali u bind se Të Martat me të vërtetë ishin larguar, u zgjua me shpejtësi, mori boshtin dhe shtizën e leshit dhe i futi në zjarr. Kur u zgjua të nesërmen në mëngjes, në oxhak gjeti një qyp me lira. - Qyp me lira? - Po, po. Kështu thoshin. Kjo vlente vetëm për ata që kishin punuar të martave nga harresa. Më pas thoshin se një grua, nga një fshat tjetër, ishte bërë kinse kishte harruar dhe kishte punuar të martën.
Më pas kishte futur boshtin dhe shtizën në oxhak, me shpresë se, të nesërmen do të gjente lira. Por, kur ishte afruar në mëngjes te oxhaku, kishin plasur gacat dhe ia kishin verbuar të dy sytë. Kujtimi thuajse kishte mbetur gojëhapur dhe kishte absorbuar çdo fjalë që kishte thënë e ëma. - Hëh, si në filma të Hollivudit, ata trilerë, nënë! Zonja Emine filloi të qeshte. - Atëherë nuk kishte filma, bir. Duhej vet të ishe regjisor, skenarist dhe ta luaje rolin kryesor. - Kushedi ku i kanë marrë ato lira, e janë arsyetuar duke thënë se i kanë gjetur në oxhak. - Nuk e di valla, por ata njerëz fukara ishin dhe fukara mbetën.
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (2)Lexoni edhe:
Askush nuk i pa ato lirat e tyre. - Nënë, a u kënaqët duke biseduar, a? Ëmë e bir... Ishte kjo Sabrina, e cila kishte ardhur t'iu tregonte se kafjalli ishte gati - Po, de. Ëmë e bir. Pse, mos ke ti diçka kundër?, e pyeti me buzë në gaz zonja Emine - Valla pak po më vjen inat! Të gjithë u ngritën duke qeshur për të shkuar në kuzhinë. KAPITULLI I PESTË Sapo ishte ndarë nata me ditën. Gjethet dhe bari ishin ende të lagësht. Edhe pse ishte verë, natën kishte qenë goxha ftohtë. Herë-herë dëgjohej kënga e gjelit, e cila përzihej për merak me cicërimën e zogjve, sikur qershia mbi tortë. Vera kishte qenë me të reshura të shpeshta të shiut, prandaj bari kishte mugulluar vrullshëm gjithandej. Gjethet e drunjve ishin shumë të dendura. Si në verë, më. Ishte një si mal i vogël, nja dhjetë-njëzet trupa drunjsh, që gjendeshin në periferi të fshatit, rrëzë një bjeshke të lartë. Afër atij "malëzi" gjendej një... kasolle. Kasolle sepse zor se do të mund të quhej shtëpi.
Tymi që dilte nga oxhaku i rrëzbitur, bënte me dije se, përkundër pamjes së shkretë të saj, aty frymonte dikush. Në afërsi nuk kishte shtëpi të tjera. Për shkak të lartësisë më të madhe, nga shtëpia-kasolle mund të shiheshin thuajse të gjitha shtëpitë e fshatit, nja tridhjetë sosh. Por, ishin vetëm 4-5 shtëpi që atë mëngjes të freskët vere nxirrnin tym nga oxhaku. Sikur edhe pas çdo lufte tjetër, edhe pas luftës së fundit, në mbarë vendin kishin ndodhur ndryshime sociale. Disa për të mirë, e disa për të keq. Sikur të gjithë njerëzve iu kishte hyrë një xhind në trup, i cili i shtynte që, me çdo kusht, të shkonin për të jetuar në "shehër", mundësisht në Prishtinë. Edhe pse shumicën prej tyre për këtë gjë i detyronin vështirësitë ekonomike, kishte edhe të tillë që në fshat kishin ndërtuar shtëpi pas lufte, por më pas kishin vendosur të shkonin për të jetuar në qytet, qoftë edhe në ndonjë kontejner, nga ata të dhuruar nga UNICEF-i, me shpresë se do t'ia dilnin që, përfundimisht, të bëheshin "sheherli". H.B.I (vijon)
(Kosova Sot Online)