Lexoni edhe:
Ngjarje e vërtetë: E detyrova të martohej me mua, duke e gënjyer se isha shtatzënë (2)
- Ky ishte kulminacioni i atij pasioni dhe tani gjithçka mori teposhtën. Është çështje kohe kur do të ndalet, prandaj prit edhe pak - motra ime ishte e kënaqur me tregimin e Anilës. - Ganiu im e ka marrë vesh se çfarë është ajo Valdetja. E kishte kuptuar gabimisht sjelljen e saj flirtuese, fjalët, buzëqeshjet, shikimet - edhe unë shpresoja se vuajtjeve të mia ishte duke iu ardhur fundi. Mora frymë lirshëm pasi që Anila më tha javën tjetër se, pas atij seminari, ata dy ishin larguar midis veti. Më nuk dilnin bashkë në pauza, nuk bisedonin, bile evitonin edhe shikimet.
Ganiu sërish sillej me kujdes ndaj meje dhe kjo më jepte kurajë. Insistimet e nënës dhe motrës sime se, për një mashkull të tillë ia vlente që të luftoja, ishin treguar me vend. Për këtë shkak bëhesha sikur nuk vëreja sesi ai luftonte me emocionet e veta, prandaj vazhdoja t'i ndiqja qorrazi këshillat e tyre. Herë pas here e shihja sesi shëtiste gjatë natës, apo sesi, i kredhur në mendime, shikonte me orë të tëra në një pikë në mur. Vuante tepër për të, këtë ia kisha pranuar vetes, por jo edhe atyre. Një mëngjes Ganiu shkoi më herët në zyrë dhe e gjeti vetëm Valdeten aty.
Ngjarje e vërtetë: E detyrova të martohej me mua, duke e gënjyer se isha shtatzënë (2)Lexoni edhe:
Ajo ishte duke qarë, por sapo pa se dikush e hapi derën, me të shpejtë i fshiu sytë. Por, Ganiu e vërejti këtë dhe u shqetësua. - Valdete, çka është duke ndodhur? - e pyeti. - Asgjë, pse më pyet? - Meqë paske qarë. - Nuk kam qarë. - A edhe mua po më rrenë, a? - iu afrua me butësi dhe ia kapi dorën. - Gani, nuk mundem më kështu. Nuk mund të sillem sikur nuk ka ndodhur asgjë midis nesh - përsëri filluan t'i dilnin lotët. Disa sekonda heshti, e më pas, pasi ofshau thellë, tha: - Ajo natë për mua pati rëndësi të madhe. Ti për mua ke rëndësi të madhe, më të madhe sesa që mund ta paramendosh. E di se nuk mund të ndjesh për mua sikur unë për ty, meqë më the se je në një lidhje serioze, por kjo më dhemb.
Çdo pjesë e trupit tim është e gatshme që të vdesë për ty - ia pranoi ajo. - Valdete, edhe unë të dua ty. Atë mëngjes nuk më dëgjove deri në fund. Ma ndërpreve fjalinë në mes, e unë doja të të thosha se sa të dua. E shikoi, kurse lotët vazhdonin t'i rridhnin faqeve. - Ti më the se, pasi që do të ktheheshim, çdo gjë do të ishte njësoj, prandaj mendova se doje vetëm aventurë. - Ti e di se unë nuk mendova ashtu. - Tani e di, por atëherë isha i ofenduar - i tha dhe e puthi. Gjatë tërë asaj dite shikoheshin midis veti dhe buzëqeshnin. Por, ai nuk ishte indiferent as ndaj meje, prandaj nuk mund të më thoshte se midis nesh çdo gjë kishte marrë fund. Kishte frikë të më thoshte se në jetën e tij tani ekzistonte një femër tjetër, e unë hezitimet e tij dija t'i ktheja në dobinë time. Sot e di se Valbona nuk ishte shkak i ndarjes, por atëherë te ajo shihja një armike të ashpër. Kur e kishte njoftuar, Ganiu kishte kuptuar se nuk ishte i kënaqur me lidhjen tonë, meqë marrëdhënia jonë ishte monotone, e thatë, e kishim mbetur bashkë vetëm për shkak të shprehisë. Për këtë shkak, më nuk jam e zemëruar kur më kujtohet se çka fliste atyre ditëve për mua. - Me ndjenja të tilla nuk do të ishte në rregull që të hyje në martesë.
E kam të qartë se nuk ka siguri, se çdo dashuri vjen e shkon, por të paktën ditën e martesës të gjithë do të duhej të ishin të dashuruar marrëzisht. Valbona më kishte ndihmuar që t'i jepja fund një lidhjeje e cila nuk çon askund. Valbona kurrë nuk kishte kërkuar asgjë nga unë, e as nuk më jepte siklet. Disa herë më kishte thënë se unë duhej të vendosja, meqë nuk donte që, një ditë, ta fajësoja atë nëse as lidhja jonë nuk do të kishte sukses - thoshte atëherë Ganiu. Pas asaj bisede Anila kuptoi se më nuk kishte shaka. Menjëherë më thirri dhe më tha se tani ishte momenti për veprimin vendimtar. - Ose ti, ose ajo, mendo mirë. Përndryshe, ai qysh sonte mund të vijë dhe të të thotë se ka vendosur që të të braktisë - më kishte thënë ajo. - Nuk jam e sigurt. Do të bisedojmë edhe një herë pasi që të vish te ne - thashë. - Më beso, bëje këtë menjëherë. Ai thoshte se ishte tepër afër dita kur do të shëtisin të përqafuar rrugëve pa frikë se do t'i shihte ndokush. Mezi e pret momentin kur do të dalin dorë për dore nga zyra. Tani ose kurrë. Duhet ta bësh atë - më tha ajo. (vijon)
(Kosova Sot Online)