Roman dashurie: Triumfi i dashurisë(10)
Kujtimi ia krisi gazit. - Unë jam duke folur seriozisht. Prejse kam qenë i vogël, nëna ime më ka folur për këto të Martat. Derisa isha fëmijë, mendoja se ishte duke më treguar përralla, por më vonë kisha hetuar se ajo me të vërtetë besonte në atë që më thoshte. - Me sa di unë, nëna jote nuk është boshnjake, apo jo? - Tash me të vërtetë po të besoj se qenke lodhur - edhe atë keq, bile.
Po kah dolën boshnjaket, tash?! Po, boshnjake është nëna ime, boshnjake nga Drenica. Po çfarë boshnjakeje të hamamit, bre!? Kujtimi, thjesht për të penguar kujtimet e natës së mbrëmshme që t'ia pushtonin mendjen, deshi që të vazhdonte përsëri me ndonjë shaka, por pasi pa se shoku i tij e kishte seriozisht, nuk tha gjë.
- Derisa ti e referoje rastin e atij djali, më beso se më rrëqethej lëkura... me gjasë ti mendon se jam i çmendur, apo jo? - Jo, bre! Ti e di se ne në psikiatri edhe nëse je i çmendur, nuk e përdorim atë fjalë, gjë që nuk d.m.th se nuk je... Nejse, më trego, si ka mundësi që unë kurrë nuk paskam dëgjuar për këtë mesele? - Ti je fëmijë i shehrit. Të tjerë tripa keni ju! - Jam i shehrit, por të dy prindërit i kam të katundit... - Ishin... janë katundarë me fakultet, ata. Me gjasë kanë menduar se ishte tepër e marrë që t'i flisnin djalit të tyre për gjëra të tilla.
Ramizi nuk pati faj që u ngatërrua, meqë i ati i Kujtimit tanimë kishte vdekur, kurse të ëmën e kishte ende gjallë. As Kujtimi në ato çaste nuk mund të vendoste se a duhej të thuhej "i kam pasur", apo "i kam prindërit... ". Por, sa herë që të tjerët ia rikujtonin faktin se i kishte prindërit intelektualë, ai ndihej mirë. I dukej vetja më me vlerë, por edhe më me përgjegjësi. "Djali i doktorit". - Edhe? Çka di për këto të shkretat të Marte? - Nuk di. Kohëve të fundit nëna më nuk më flet për to. Në fakt, ajo nuk flet tani thuajse për asgjë, por nejse. Ajo që më kujtohet, është se ato janë disa krijesa të malit. Do gra të mëdha, me këmbët plot lesh. - Ti a je duke fol për Kumrinë, a? Kumria ishte një pastruese trupmadhe, me këmbët plot lesh. Natyrisht, as që i shkonte në mend që t'i depilonte ato. Ramizi nuk u përgjigj në këtë shpoti të shokut, por vazhdoi me përshkrimin e të Martave.
- Ato jetojnë në mal dhe të gjitha e kanë vetëm një djalë. Ai është djali i së Martës, apo i të Martave. Dinë të jenë shumë të dhunshme. Mënyra e tyre e preferuar e mbytjes është zierja në kazan. "Duan të më ziejnë për së gjalli", iu kujtuan Kujtimit fjalët e pacientit. Filloi që të ndiente një mundim. I vinte për të vjellë, edhe pse ende nuk kishte futur asgjë në gojë, përpos kafes. "Do ta kem nga lodhja", mendoi ai. - Ramiz, me gjithë qejf do ta vazhdoja këtë muhabet, por disi nuk ndihem mirë. Megjithatë, bëre mirë që ma the këtë. Tani të paktën e di se deluzionet e këtij djaloshi qenkan në përputhje me kulturën dhe besimet, ku jeton. Shihemi nesër!
(Kosova Sot Online)