Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (15)

  • E. /
  • 03 December 2020 - 15:53
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (15)

Pasi bëri një pauzë, duke e fiksuar shikimin kah dritarja, duke e vrarë mendjen, zonja Emine u përgjigj. - Kam pasur një shoqe, një moshataren time, së cilës, së gjorës, i kishte vdekur i ati që në fëmijëri, kur i kishte vetëm gjashtë vjet. Më pas ajo mbeti me të ëmën, e cila ishte boshnjake... "Boshnjake përsëri", mendoi Kujtimi. A thua kjo meseleja e Të Marteve të ishte legjendë, mit, besëtytni boshnjake? - ... kishte edhe një vëlla të vogël. Ajo më tregonte e tmerruar se si, disa herë, Të Martet kishin shkuar te shtëpia e saj dhe mezi kishin shpëtuar nga to. Ishin munduar të mbroheshin, duke vënë të gjitha gjësendet që kishin në shtëpi për ta bllokuar derën.

Ajo më pati thënë se gjatë tërë natës kishte dëgjuar zhurma dhe rrapëllima të derës, e të nesërmen kur kishte dalë në oborr, disa lëndë të gjata e tepër të rënda drush, të cilat kishin qenë të palosura në një kënd, i kishin gjetur të gjitha të shpërndara nëpër tërë oborrin. Të nesërmen kishin përvëluar tërë gjësendet e shtëpisë dhe për disa ditë kishin shkuar për të qëndruar te disa të afërm. Qëllimi ishte që, kur të ktheheshin Të Martet, të mendonin se ato më nuk jetonin aty dhe t'i linin rehat. Të Martet kishin një shqisë të fortë të nuhatjes, mund ta njihnin shtëpinë nga era e saj karakteristike, prandaj edhe përvëlimi i gjësendeve dhe dyshemesë kishte për qëllim që ta largonte atë erë, duke i bërë ndoshta Të Martet të dyshonin se e kishin gabuar shtëpinë dhe të mos ktheheshin më.

 Por kjo ishte pjellë e imagjinatës së saj, apo jo?! Dua të them, është e qartë se një gjë e tillë nuk është reale... - E di, more bir, e di. Por, asokohe ishim fëmijë dhe, normalisht, edhe unë besoja në tërë atë që më thoshte shoqja ime, kështu që kurrë nuk më kishte shkuar në mend ta vija në pyetje, të dyshoja në atë që më thoshte ajo. Fjalët e saj më patën frikësuar aq shumë, saqë nëna ime disa ditë nuk më pat lënë të rrija me atë shoqen, Sofijen. - Po a ishte kjo bindje vetëm te familja e kësaj shoqes tënde, që kishte nënën boshnjake, apo edhe te të tjerët? - Jo... edhe te të tjerët, jo, jo. Jo vetëm te boshnjakja. - A paska pasur edhe raste të tjera, a? - Po, ka pasur, por tani nuk më kujtohen... Po... Ishte një djalë i një mëhalle tjetër të fshatit, i cili sa herë që më shihte më ngacmonte. Një herë, shoqet më patën treguar se shtëpinë e tij e kishin vizituar Të Martet.

Nëna e tij kishte bërë be se nuk do të punonte të martave, por një ditë kishte harruar dhe kishte filluar të tirrte lesh. Pasi që i kishin shkuar Të Martet në shtëpi, ato e kishin vluar ujin në kazan, për ta zier të gjallë nënën e tij. Por djali, kopil sikur që ishte, ishte larguar paksa nga shtëpia, kishte hipur mbi një grumbull plehu dhe, me tërë fuqinë kishte bërtitur: "U kall mali, u kall Djali i Të Martës, u kall mali u kall Djali i Të Martës". Këtë e kishte përsëritur disa herë, derisa Të Martet, të shqetësuara nga ajo që kishin dëgjuar, kishin dalë e ishin larguar si të çmendura me vrap, e kah mali, i cili gjendej mbi fshat. Më pas, e ëma e atij djalit, kishte marrë ujin e valë dhe kishte përvëluar gjithçka... sikur që të tregova më parë. Po ashtu, ua kishte ndërruar vendin gjësendeve të shtëpisë. Më pas ishte pastruar edhe vet dhe kishte marrë fëmijët e kishte rënë në shtrat, gjoja sikur ishte duke fjetur. Ajo e dinte se Të Martet do të ktheheshin përsëri. H.B.I (vijon)

(Kosova Sot Online)