Lexoni edhe:
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (30)
Kujtimi disa herë ishte munduar ta gjente arsyen e kësaj "dyndjeje" të përditshme të llapjanëve në Prishtinë dhe kishte ardhur deri te përfundimi se, meqë Podujeva, si qytet, por edhe si komunë, ishte njëra ndër më të prapambeturat, të paktën deri vonë, atëherë me gjasë kishte qenë zori ai që i kishte shtyrë llapjanët të flirtonin me "shehrin e madh", Prishtinën. Ja, psh edhe Mitrovica gjendej në një distancë përafërsisht të njëjtë nga Prishtina, si Podujeva, por numri i mitrovicasve që vinin në Prishtinë, apo edhe i vushtrriasve, që gjenden përgjysmë më afër Prishtinës, ishte shumë më i vogël.
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (30)Lexoni edhe:
Kur mbërritën te ato që dikur kishin qenë baraka të një kazerme të ushtrisë jugosllave, e që tani, me disa anekse të reja, shfrytëzoheshin nga FSK-ja, profesori Moshe e theu heshtjen. - O, a kazermë qenka kjo, a? - Po, profesor. Edhe pse FSK-ja, forcat tona të sigurisë, ende nuk janë ushtri, të paktën zyrtarisht, ato janë duke i shfrytëzuar disa kazerma të ish-ushtrisë jugosllave. Profesori Moshe kishte marrë me vete një çantë mesatarisht të madhe, sikur ato të kampingut, e cila linte përshtypjen se ishte goxha e rëndë. Sapo e pa, Kujtimi filloi ta pyeste veten se, vallë, çka mund të kishte aty, por profesorit nuk i tha gjë. Kujtimi, nga ana e tij, kishte marrë vetëm një fletore, një laps dhe - kamerën.
Tani thuajse e merrte kamerën gjithkund me vete. Pak nga mirësjellja, por më shumë me qëllim të thyerjes së monotonisë, Kujtimi vendosi që të bënte muhabet me profesorin edhe pse ende i hapej goja dhe, më me dëshirë do të voziste pa thënë asgjë, vetëm duke e dëgjuar radion, mundësisht ndonjë kaba. - Profesor, ju më thatë se gjyshi juaj, gjatë luftës paska qëndruar në Shqipëri? - E, po. E vërtetë është! - A ke marrë vesh te kush ka qëndruar dhe, a keni rënë në kontakt me atë familje? - Po... - Në Korçë më the se ka qëndruar, apo jo? - Jo.
Jo në Korçë, por në Elbasan... - Po, e vërtetë, mu paska përzier... - Po... Unë e di saktësisht se te kush ka qëndruar. Nuk e di a ke dëgjuar, por shteti im, Izraeli, ka dekoruar të gjithë pjesëtarët e popujve të tjerë, apo më mirë të them, ata që i ka identifikuar, që kanë ndihmuar çifutët gjatë Luftës së dytë botërore. - Shumë gjest me vend. - Gjyshi im, me nënën time dhe me pjesëtarët e tjerë të familjes së tij, kanë qëndruar te familja Nosi e Elbasanit. Me gjasë ti ke dëgjuar për Lef Nosin! - Për kë? Emri që sapo e dëgjoi, ishte krejtësisht i panjohur për Kujtimin. U ndie keq, sikur nxënësi kur mësuesi e pyet diçka që ky do të duhej ta dinte, e këtij assesi t'i kujtohej. - Për Lef Nosin. Ai konsiderohet si njeriu që e shpëtoi nga zhdukja Deklaratën e pavarësisë së Shqipërisë.
Nëse është kështu, me gjasë duhet të kem dëgjuar, por për momentin nuk më kujtohet. Kujtimi edhe një herë u ndie keq. Kësaj here pse iu desh të rrente. Kurrë nuk kishte dëgjuar për këtë farë Lef Nosin. - Kujtim, ka mundësi edhe të mos kesh dëgjuar, sepse diktatura komuniste në Shqipëri, për shkak të akuzave për bashkëpunim me gjermanët, e pushkatoi Nosin menjëherë pas luftës. Kujtimi vetëm bëri me kokë, pa ditur se çka të thoshte. Profesori dukej se preferonte shumë këtë temë, prandaj vazhdoi. - Është interesant fakti që Shqipëria është vendi i vetëm evropian që, në fund të Luftës së dytë kishte më shumë hebrenj sesa që kishte pasur para lufte... - Po, kam dëgjuar për këtë. Kësaj here Kujtimi nuk ia fuste kot. (vijon)
(Kosova Sot Online)