Ngjarje e vërtetë:Dashurinë time donte ta blinte me para (5)

  • G.g /
  • 30 December 2020 - 11:46
Ngjarje e vërtetë:Dashurinë time donte ta blinte me para (5)

E ftova që të pinim kafe dhe t'ia ofronim njëri-tjetrit dorën e pajtimit. Besoja se bëhej fjalë për pakujdesi. Naimi tanimë kishte shkuar në kafene kur mbërrita unë. Pa kostum, kravatë dhe këpucë të shtrenjta, mezi e njoha. I veshur me kostum sportiv, me një bluzë të thjeshtë, dukej si ndonjë mashkull, i cili do të mund të më pëlqente. Si dikush në të cilin do të mund të bija në dashuri.

Atë kafe, si dhe pijet e tjera që pasuan, i pimë deri në mesnatë. Unë e para e shikova orën dhe u rrëqetha nga mendimi se nesër do të vonohesha në punë. - Pse reagove ashtu? Kjo është vetëm një dëshmi se shoqërimi ynë ishte shumë i këndshëm - shpjegoi ai. - Kjo po ashtu d.m.th. se nuk do të bjerë në gjumë para orës 01:00 dhe se nesër nuk do të zgjohem me kohë.

Apo, në rastin më të mirë, gjatë orëve të para në punë nuk do të bëj asgjë, pos do të dremis - iu përgjigja. - Nuk duhet të shqetësohesh. Sot bisedova me drejtorin tënd dhe nuk do të ketë kurrfarë problemesh nëse vonohesh në punë. Edhe ashtu kemi shumëçka për të bërë, prandaj do të themi se kemi filluar që në mëngjes që të punonim - donte të më qetësonte.

- Çka nënkupton saktësisht puna jonë? - e pyeta me dyshim. - D.m.th. se mund të flesh sa të duash, e unë do të them se tanimë kemi filluar me punën rreth projekteve të reja. Sikur që të tha drejtori, thirrjet e mia duhet t'i kuptosh seriozisht - tha ai, duke buzëqeshur. - Është bërë vonë dhe nuk mund të kuptoj se çka dëshiron të më thuash. A mund të jesh më konkret? - Dua që sonte të flesh te unë.

Nesër në mëngjes do të të çoj në shtëpi që të ndërrohesh dhe më pas të çoj në shtëpi - më tha ai troç. - Faleminderit, por më me dëshirë do të flija në banesën time - e refuzova. - Si të duash, por kafenë e mëngjesit duhet ta pish me mua. Dhe, me të vërtetë më thirri sapo u ula në orën 8 para tavolinës sime. Ende nuk e kisha ndezur kompjuterin, e celulari im kishte filluar të cingëronte.

Ai ishte i relaksuar dhe i buzëqeshur. Nuk kishte asnjë gjurmë të atij njeriu i cili, një ditë më parë, kishte qenë në zyrën e drejtorit tim. Nga ajo kafe e mëngjesit, Naimi dhe unë thuajse nuk u ndamë kurrë. Një muaj më pas shkova që të jetoja te ai. Pas dy muajsh jete të përbashkët më bindi që ta lija punën. Askush nuk u befasua nga kjo, përpos motrës sime. Ajo habitej sesi përnjëherë kisha harruar të gjitha ato biseda rreth barazisë në martesë, rreth pronës së përbashkët, fitimeve dhe të ngjashme.

- Të thosha se është mirë ta kesh një mashkull të pasur afër vetes. Tani, përfundimisht, edhe ti u binde në lezetin e jetës së pabrenga - tha ajo. - Hoqa dorë nga parimet e mia, për t'ia bërë qejfin Naimit. U mundova t'ia shpjegoja se këtë e bëjnë njerëzit që duhen, meqë bërja e qejfit mashkullit që e do, nuk do të duhej të ishte gjë e vështirë. - Meshkujve të tillë edhe unë do t'ua bëja qejfin - përfundoi motra ime. Jeta elegante, të cilën ma kishte mundësuar Naimi, nuk ishte sipërfaqësore ashtu si e paramendoja. Koktejet, mbrëmjet, ngjarjet e ndryshme humanitare, rrobat e shtrenjta, të gjitha këto i mbushnin ditët e mia.

Nuk kisha nevojë të shqetësohesha për asgjë, meqë Naimi mi plotësonte të gjitha dëshirat. Shumë shpejt harrova ngutjen për të shkuar në punë, harrova klientët tekanjozë, faturat e grumbulluara të cilat më prisnin çdo muaj, thirrjet e shpeshta dhe ndonjëherë insistuese, rrogën, e cila vazhdimisht vonohej. Krejt kjo tani ishte pas meje. Me Naimin i kisha të gjitha dhe nuk më duhej ta çaja kokën për asgjë. Por, idili nuk zgjati shumë. Pas një ndeje, ai ma tërhoqi vëmendjen se një të njohuri të tij i kisha kushtuar tepër punë.

Edhe pse as që më kujtohej sesi e kishte emrin ai njeri, Naimi insistoi që deri edhe në detajet më të vogla t'i tregoja se çka kishim biseduar. Dhe kështu, nga dita në ditë sjelljet e tij ishin gjithnjë e më dramatike. Në fund, ai më tha se atij njeriu unë i kisha buzëqeshë dhe kisha flirtuar me të një orë të tërë. (vijon)   

(Kosova Sot Online)