Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (41)

  • E. /
  • 01 January 2021 - 15:45
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (41)

Pjesa e shkruar me alfabetin hebre dhe në gjuhën hebraishte ishte me shkronja më të vogla dhe mezi vërehej në një kënd të dokumentit. Ajo që kishte lexuar e kishte befasuar dhe ngazëllyer, në të njëjtën kohë, Moshen. Aty tekstualisht thuhej: "Unë, ... (filan fisteku), shkruesi i këtyre rreshtave, kam gjak hebreu. Jam hebre". Kaq! Moshe nuk i kishte treguar orientalistit se çka kishte të shkruar aty. Në fakt, e kishte gënjyer duke i thënë se as ai nuk mund ta lexonte atë pjesë. Kujtimit i kishte bërë shumë përshtypje ky detaj, sa që për një moment kishte harruar Të Martet krejt. - Profesor, pse nuk i tregove? Megjithatë, ai ka të drejtë ta dijë këtë gjë!

Kujtim, me gjasë ke të drejtë... Por, nuk di si të ta them... Unë jam shumë krenar që jam çifut, jo pse jam nacionalist, por thjesht ndihem krenar me përkatësinë time kombëtare. - Natyrisht... - Të lutem, mos më ndërprit! Kujtimi ia nguli sytë profesorit. Jo, ai nuk ia tha këtë me ton të lartë, apo me zemërim. Fjalët e tij më shumë kishin ton lutës. - Desha të them se ndihem shumë krenar që jam çifut, por vetëm Zoti e di... Moshe shikoi Kujtimin, i cili buzëqeshi lehtazi. - Është vetëm mënyrë e të shprehurit, kur them Zoti... Mund të them se vetëm unë e di... se sa herë jam ndier në siklet për shkak të përkatësisë sime kombëtare.

Është si një bekim dhe si një mallkim në të njëjtën kohë... Kurrë nuk e kishte parë Moshen në këtë dritë, të pikëlluar, prandaj Kujtimit i erdhi keq për të. Sikur tërë ajo energji që e karakterizonte atë, ishte zhdukur si me shkop magjik, kështu që tani Moshe dukej si një plak tepër i lodhur, sikur përnjëherë mbi supe i kishte rënë tërë barra e viteve të tij. Nuk rrezatonte më me atë optimizmin dhe pozitivitetin e tij. - Profesor, më vjen keq që kjo bisedë të pikëlloi kaq shumë. Moshe ofshau, por më pas vazhdoi bisedën me një zë pak më të lartë. - Kështu, Kujtim.

Desha të mendohesha mirë e mirë para se t'i thosha atij profesorit tuaj se gjyshin e paska pasur donmeh, e me këtë me gjasë edhe ai është i tillë, çifut, apo të paktën, pjesërisht çifut. - Don...meh? - Kështu quheshin çifutët e konvertuar në islam, por që fshehurazi, vazhdonin me praktikimin e fesë së të parëve të tyre. - Aha... Ne në Kosovë i kemi pasur laramanët, të krishterët gjoja të konvertuar në islamizëm. - Laramanë? Shihe ti, sa emër adekuat... Për disa minuta nuk foli asnjëri nga ta. Më pas, pasi që sikur u kthjell nga mendimet, Kujtimi shprehu habinë e tij.

Me të vërtetë interesante. Paska jetuar tërë jetën si hoxhë, si mysliman, e këndej paska qenë çifut... Mesa di unë, profesor, çifutët nuk kanë qenë aq shumë të përndjekur në Perandorinë osmane, sikur në Evropë. Apo jo?! - Po, Kujtim. Mund të thuhet se nuk ishin të përndjekur në mënyrë të organizuar dhe shtetërore, por as qytetarë të barabartë nuk ishin. Të thash, të jesh çifut është bekim dhe mallkim i madh, në të njëjtën kohë. Kështu, disa çifutë edhe pse nuk ballafaqoheshin me ndonjë presion të drejtpërdrejtë, shtireshin kinse ishin konvertuar në krishterim, apo islamizëm, me qëllim që t'i iknin asaj damkës të të qenit çifut. Më vonë, disa konvertoheshin me të vërtetë. Për një moment pasoi një heshtje. 

(vijon) 

(Kosova Sot Online)