Lexoni edhe:
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (40)
Moshes papritmas iu kujtua e kaluara e tij si ushtar, ia hodhi një shikim Kujtimit dhe e pyeti veten, vallë, sikur Kujtimi ta dinte se ai ka vrarë palestinezë, myslimanë, a do të pranonte që të bashkëpunonte me të? Kaluan edhe disa momente pa thënë gjë. Si duket Moshe kishte larguar më në fund mendimet e zymta. - Kujtim, ja ku e ke një kopje të dokumentit për Të Martat, të kthyer në alfabet latin nga ai profesori i orientalistikës. Moshe "i vjetër", optimist dhe energjik, ishte kthyer përsëri.
KAPITULLI I SHTATËMBËDHJETË
"Bytyn mileti, bizbitevi, jon sagllam se Të Martat jon hak. Kit mesele hyqymeti....". Kujtimi filloi ta lexonte dokumentin që ia kishte dhënë Moshe, duke parë se aty kishte më shumë fjalë turke, sesa shqipe. Fillimi deri diku ishte i kuptueshëm, bile disi ngjante në të folmen e "kullerave", të cilët për t'u dukur sa më "kull", flisnin me një gjuhë të bastarduar, sikur të udhëhiqeshin nga rregulli "sa më të bastarduar të folmen, aq më kuller je". Ekzistonte vetëm një dallim i vogël këtu. Për dallim nga "slengu" i kullerave, në dokument nuk kishte fjalë me origjinë sllave.
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (40)Lexoni edhe:
Por, sa më shumë që thellohej në leximin e dokumentit, aq më i pakuptueshëm bëhej ai. Thuajse tërë fjalët ishin turqisht, e vetëm lidhëzat dhe struktura e fjalive shqip - edhe atë në një shqipe që dallonte shumë nga ajo e sotmja. Kjo bëri që ai ta linte diku në orman dokumentin, duke murmuritur vet me vete se, fundja, as që i intereson kjo meseleja e Të Martave. Sikur të fillonte të merrej në hollësi e të studionte të gjitha deluzionet e pacientëve, ai rrezikonte që edhe vet të bëhej psikotik. Megjithatë, meqë ia kishin pranuar kërkesën që të shkonte në Seminarin e psikiatrisë në Salzburg të Austrisë, mendonte ta përgatiste rastin e Kujtimit për ta prezantuar atje.
Kështu që, përkundër asaj sesi ndihej momentalisht, ai e dinte se, më vonë, do t'i duhej t'i kthehej përsëri atij dokumenti. Luftimi thuajse ishte përmirësuar plotësisht. Ishin të rralla rastet kur pacientët reagonin aq mirë dhe aq shpejt në terapi. Kujtimi donte që ta lëshonte pacientin në shtëpi, gjë me të cilën pajtohej edhe Dr. Flamuri, por duke ditur se në çfarë kushtet jetonte familja e pacientit, Kujtimi i kishte propozuar drejtorit që ta angazhonin punëtoren sociale, që të bisedonte me zyrtarët e komunës së Podujevës, për ta shqyrtuar mundësinë e gjetjes së një zgjidhjeje të përshtatshme për këtë rast. - Kujtim ti mirë je kujtuar për këtë gjë.
Ja ky rast paska nevojë për mbështetje sociale, ja askush tjetër. Por, të them të drejtën, unë kam një përvojë të hidhur me këto shërbimet sociale. Fjalë kanë shumë, e punë thuajse aspak. Drejtori kishte të drejtë, por atyre nuk iu mbetej asgjë tjetër, vetëm që të bënin tërë atë që kishin mundësi, e më pas, të shpresonin se fundi do të ishte i mirë. Faji nuk qëndronte aq te punëtorët socialë, sa te mundësitë tejet të kufizuara të shtetit. Fëmijëve përfundimisht iu kishte kaluar lija e ujit, zonja Emine kishte shkuar te e bija në Angli, kurse Sabrina besonte se kishte gjetur një vend të përshtatshëm të punës edhe pse ende nuk kishte vendosur përfundimisht. (vijon)
(Kosova Sot Online)