Lexoni edhe:
Ngjarje e vërtetë: Abortova, sepse më helmoi burri (10)
Më pas menjëherë u ndal vetura dhe dikush tha: "Arritëm!" Meqë ende nuk m'i kishin zgjidhur sytë, njëra nga to, mendoj se ishte Hana, më kapi për dore dhe më dërgoi në njëfarë rruge me gurë, ku dëgjoja qartazi rrapëllimën e takave të mia. Gjatë tërë kohës sa ecnim, qeshnim si të marra. E, më pas, dikush ma hoqi shaminë nga sytë dhe përnjëherë pashë se ndodheshim në njëfarë ambienti, brenda. Athua, çka ishte?! Ndonjë bar? Sido që të jetë, në mes të atij ambienti gjendej një podium i vogël, e rreth e përqark tij ishin të vendosura disa karrige.
E tani, çka? Ku është ajo befasia e madhe? - pyeta e hutuar, duke shikuar përreth vetes. - Prit pak dhe do të shohësh - erdhi përgjigjja e përcjellë me një të qeshur të çuditshme. Nuk vonoi shumë dhe u fikën dritat. E, podiumi i ndriçua nga disa reflektorë të fortë. Kur para nesh doli një djalosh gjysmë i zhveshur, që ishte i pashëm si aktor, i cili filloi që të vallëzonte, çdo gjë m'u bë e qartë. Shoqet e mia kishin vendosur që, për mbrëmjen e vajzave, të më qerasnin me një striptiz! - Hajde, zemër! Kënaqu edhe një herë, sa nuk je martuar ende! - më tha Hana, duke ia bërë valltarit me dorë, që ta gjallëronte edhe më shumë vallëzimin. Nuk mund të besoja se ato e kishin bërë një gjë të tillë.
Ngjarje e vërtetë: Abortova, sepse më helmoi burri (10)Lexoni edhe:
E, çka do të thoshte Dritoni, sikur ta merrte vesh këtë gjë? Në fakt, ai kurrë nuk kishte qenë aq tepër xheloz, por prapëseprapë isha në dijeni për qëndrimet e tij konservatore. - Hajde, relaksohu, çka je shtangur?! - më ngucnin ato. - Si nuk kupton që ky është shansi i fundit për ty që t'i kullosësh sytë në një mashkull si ky? Nga nesër ti do të bëhesh një zonjë serioze, gruaja e një politikani serioz, e atyre nuk ju shkojnë për shtati gjërat e këtilla. Ende je e lirë, mos e harro këtë! Në fillim e shikoja me siklet djaloshin plot muskuj i cili më sillej andej-këndej, por jo për një kohë të gjatë, meqë i kisha të gjitha kushtet që të lirohesha relativisht shpejt. Së pari, isha në shoqëri të shoqeve të mira, e së dyti, aty ishin edhe pijet alkoolike, të cilat atë natë rridhnin rrëke. Bukuroshi i qiti shoqet e mia në trans, por ai sikur të ishte duke vallëzuar vetëm për mua. Në fakt, ai edhe vallëzonte për mua, meqë ajo ishte mbrëmja ime e vajzërisë.
Pas çdo gote që zbrazja, bëhesha gjithnjë e më e "lirë". Më pas fillova ta bëja atë që, në gjendje normale, nuk do ta bëja kurrën e kurrës. U ngjita në podium te djaloshi valltar dhe fillova të vallëzoja me të. Bile, edhe t'i hiqja rrobat nga trupi. Nëse shoqet më parë ishin duke bërtitur dhe duke e nxitur valltarin, tani ato u çmendën fare. I shihja sesi ma bënin me dorë, si të marra. Bile, Hana dhe një shoqe tjetër hipën mbi tavolinë dhe filluan të vallëzonin edhe vetë. Ishte kjo një mbrëmje të cilën duhej ta mbaja mend gjatë tërë jetës. Për të mirë, natyrisht. Por, në një moment të caktuar gjërat dolën jashtë kontrollit dhe ndodhi diçka që askush nuk kishte mundur ta parashikonte. Atë mbrëmje, pas tërë atyre pijeve alkoolike, si dhe pas tërë asaj çmendurie emocionale, unë përfundova në shtrat me valltarin.
Vetëm Zoti e di se çka ka ndodhur me atë rast, meqë mua tani nuk më kujtohen detajet. Thënë sinqerisht, as që kam dashur ndonjëherë t'i kujtoja ato. E vetmja gjë që më kujtohet qartë rreth asaj mbrëmjeje, është vetja ime, krejtësisht lakuriqe, duke qëndruar shtritë në shtrat me atë djalosh, po ashtu pa asnjë rrobë në trup. Nuk mund të besoja se kisha bërë një gjë të tillë! Tanimë ishte vendosur gjithçka rreth dasmës. Në shtëpi më priste fustani i bardhë i nusërisë, buqeta me lule. Restorantin tanimë e kishim rezervuar. Si mund të lejoja që të më ndodhte një gjë e tillë? A më kishin lënë mendtë?! E tmerruar, me shpejtësi kisha mbledhur plaçkat e mia dhe isha larguar nga vendi i krimit. Po ta marrë vesh Dritoni... (vijon)
(Kosova Sot Online)