Lexoni edhe:
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (50)
I lehtësuar paksa nga ajo që kishte parë, hoxha paska pritur derisa E Martja kishte pushuar së lëvizuri, e më pas, gjithmonë duke u lutur, ngadalë paska dalë nga skuta, për të parë se çka kishte ndodhur me nusen e djalit. Nusja kishte mbetur e strukur, sytë i paska pasur të zmadhuar dhe plot frikë dhe nuk paska bërë zë me gojë. Ajo as sot e kësaj dite nuk flet dhe nuk është e aftë që të përkujdeset për fëmijët dhe punët e shtëpisë. Pasi që kishte parë të renë që kishte shpëtuar pa u lënduar, hoxha qenka ulur në një kënd për të marrë frymë dhe për ta marrë veten nga ajo që kishte ndodhur. "Nuk do të duhej ta vrisja", paska menduar ai (sikur që më tregoi më vonë). "Tani do të vijnë xhindet e tjerë, familjarë të kësaj që vrava dhe, nuk do të më lënë rehat". Për herë të parë në jetë, hoxha (sikur që më tregoi më vonë) paska menduar që t'i shkruante hajmali vetvetes, shtëpisë së vet.
Ai është i njohur jo vetëm në Prishtinë, por edhe në mbarë vilajetin për hajmalitë e tij shumë efikase, por edhe për modestinë e vet. Ai nuk kërkon kompensim nga njerëzit që shkojnë te ai për të kërkuar ndihmë. Vetë hallexhiu vendos se sa do t'i japë. Por, ndodh shumë shpesh që, pasi që t'i jetë ofruar një shumë e caktuar lirash, mulla Ademi ta kthejë një pjesë prapa, pasi që sheh që hallexhiu në fjalë është i varfër, apo tepër i sëmurë. Allahu i madhërishëm e shpërbleftë robin e vet Ademin për mirësinë që ka dhe i lutem Të Gjithëmëshirshmit dhe Mëshirëplotit që, sado pak, të më bëjë si ai! Nejse, pasi që hoxha paska pushuar pak..." - Kujtim! Ishte Sabrina. Me gjasë e thërriste që të hanin drekë.
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (50)Lexoni edhe:
KAPITULLI I NJËZETEDYTË
Sabrina nuk e kishte thirrur për drekë. Kishte ardhur Ramizi. Kur e pa, Kujtimi për një moment mbeti pa fjalë. - Ramiz?! Hajde urdhëro, hyr brenda! - Mirdita Kujtim! - Hajde, hajde! Ramizi kishte disa ditë që nuk ishte rruar. Kjo e befasoi Kujtimin, meqë më parë shoku i tij rruhej me rregull, ndonjëherë edhe nga dy herë në ditë. U përshëndetën duke u përqafuar. Por, që të dy vazhdonin që të ndiheshin në siklet. Hynë në sallon. Vajzat ishin në shkollë, kurse Rinori kishte dalë të luante me Smajlin, një moshatar të vetin. Sabrina përsëri iu kthye punëve në kuzhinë edhe pse Kujtimi do të preferonte që, të paktën ajo, të ishte aty. Të mos mbetej vetëm me Ramizin. - Të kërkova në klinikë, por më treguan se e ke të lirë sot.
Po, Ramiz. Dje isha kujdestar... - A pate punë?! - Si zakonisht... Po ti? A të paskan liruar, a? Ramizi qeshi lehtazi. Me të vërtetë pyetja e Kujtimit disi u duk e pavend, pak edhe qesharake. - Po, po... - Të lutem mos më keqkupto Ramiz... - Mos ke gajle, o sheherli! Kujtimi filloi të ndihej më lirshëm pasi që pa se Ramizi, për çudi, ishte në humor të mirë. - Ramiz, më vjen shumë keq që nuk të vizitova asnjëherë... - S'ka gajle, bre... - Më beso! Pata vendosur gjithsesi të vija... - Po, a jemi duke u bërë psikiatër ne, a çka? Të kuptoj shumë mirë. Edhe unë me gjasë do të ndihesha ashtu sikur që je ndier ti. Nuk është e lehtë ta vizitosh shokun në burg. Kujtimi ia qiti Ramizit dorën në sup, duke ndier disi një ndjenjë falënderimi ndaj tij. I erdhi mirë që shoqëria e tyre, si duket, nuk kishte marrë fund. Autor: H. B. I. (vijon)
(Kosova Sot Online)