Ngjarje e vërtetë: Si e mashtrova burrin me një valltar të rastit (9)

  • E. /
  • 18 January 2021 - 15:47
Ngjarje e vërtetë: Si e mashtrova burrin me një valltar të rastit (9)

 Ndoshta edhe katër - vazhdoi ai duke mos vërejtur sesi fytyra ime shndërrohej në një maskë të ngurtë. - Ishte ajo fatkeqësia e tmerrshme në autostradë kur humbi jetën ai motoristi. Ne ishim aty në mesin e të parëve për t'i ndihmuar. Ti, duke i ndihmuar që të dilte nga nën motori, u lëndove në llamarinë. Bile, u desh edhe të të qepnin. A të kujtohet? Me atë rast e ngriti mëngën e bluzës sime dhe, nën të, u duk një vragë paksa më e gjatë dhe e kuqërremtë. Mjekja pohoi me kokë. - Kjo edhe mund të jetë ashtu. Sido që të jetë, nuk do të ishin të parët që jeni infektuar në atë mënyrë. Sa pjesëtarë të profesioneve mjekësore janë infektuar në atë mënyrë, para se të zbulohej mënyra e bartjes së virusit të sidës! Kjo d.m.th se, në rastin tuaj, e zbuluam burimin e infeksionit! A i keni njohur ata që kishin pësuar aksident? Dritoni sërish ishte më i shpejtë. - Jo, nuk i kemi njohur. Ishin ata disa turistë të huaj, në udhëtim e sipër.

Për burrin tim dhe për mjeken time tani çdo gjë ishte e qartë. Shkaktari ishte zbuluar dhe, ajo që kishte më së shumti rëndësi, ishte moralisht i pranueshëm. Më nuk kisha nevojë që të mendoja rreth ndjenjave të tyre - këtë brengë tani e kisha hequr qafe! Por, kjo nuk më kishte bërë të ndihesha aspak më mirë. Për më tepër, në sytë e mi kjo ishte vetëm edhe një rrenë, të cilën tani më duhej ta bartja në ndërgjegje. Në pyetjen time se si kishte mundur të ndodhte që sëmundja ime nuk ishte zbuluar për kaq shumë kohë, mjekja e pati përgjigjen e gatshme. - Shumë thjesht - tha. - Kurrë nuk keni pasur ndonjë ankesë dhe nuk keni qenë në spital. E, kjo është shtatzënësia juaj e parë! Supozoj se nuk keni dhuruar asnjëherë gjak, apo jo? Menjëherë mohova me kokë. - Ja, e shihni! A e dini, në mënyrë që dikush të vërtetohet se është HIV pozitiv, janë të nevojshme të bëhen disa testime.

Kjo diagnozë nuk konstatohet me anë të kontrollimeve të rëndomta. Këtë pjesë tanimë e kisha të qartë. Më pak e kisha të qartë se si kisha mundur unë të infektohesha me një marrëdhënie të vetme intime, derisa burri im, falë Zotit, nuk ishte infektuar tash e tri vjet nga unë. Por, kisha vendosur që të mos e lodhja më kokën me pyetje, përgjigjet e të cilave edhe ashtu nuk mund t'i merrja. Fakti që Dritoni kishte mbetur i shëndoshë dhe nuk ishte infektuar, e kuptoja si dhuratë nga qielli. Nuk e kisha dënuar me vdekje me anë të gabimit tim fatal dhe ky ishte ngushëllimi më i madh që kisha. Sikur edhe bebja të cilën duhej ta lindja të ishte e shëndoshë... Por, a mund të shpresoja për kaq shumë lumturi? Gjashtë muaj më vonë linda një fëmijë plotësisht të shëndoshë, një vajzë të bukur, të cilës ia vumë emrin Engjëllushe.

Gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, analizat treguan përfundimisht se ajo nuk ishte infektuar. Ky ishte lajmi më i mirë që mund ta dëgjoja dhe, për herë të parë pas një kohe të gjatë, mundesha në tërësi ta harroja diagnozën time. Në ndërkohë iu nënshtrova mjekimit. Familja ime dhe miqtë e mi janë duke më ofruar një mbështetje të madhe, por natyrisht, askush nga ta nuk e di të vërtetën. Dritoni ua ka rrëfyer të gjithëve atë tregimin me shpëtimin e të të aksidentuarve në autostradë, kështu që tani të gjithë më krahasojnë si bamirëse shembullore, e cila duke shpëtuar jetën e të tjerëve, rrezikoi jetën e vet.

Sikur ta dinin të vërtetën! A do të ishin edhe atëherë vazhdimisht rreth meje? Apo, do të ma kthenin shpinën me neveri? Kushedi... Sido që të jetë, nuk dua ta sfidoj fatin. Sidomos jo për shkakun e fëmijës tim. Vajza ime nuk ka fije faji dhe nuk dua që, për shkak të gabimit tim, të stigmatizohet. Nuk dua më që të mendoj rreth sëmundjes të cilën e bart në vetvete. Më nuk e konsideroj atë si ndonjë ndëshkim që më ka gjetur, por më shumë si një gjë të shkruar, një fatkeqësi të paracaktuar. Dua të besoj që përpara kam edhe shumë vite të tjera të bukura, me burrin tim dhe me vajzën. E, kushedi, ndoshta edhe kësaj sëmundje do t'i gjendet ilaçi!

NGA NESËR MUND TA LEXONI TREGIMIN TJETËR, TË BAZUAR NË NGJARJE TË VËRTETË:

(Kosova Sot Online)