Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (76)

  • E. /
  • 06 February 2021 - 16:13
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (76)

- Analizat e para tregojnë se kemi të bëjmë me një krijesë të veçantë, Kujtim... me një - neandertal. - Neandertal?! - Po, po... E di se nuk duket logjike, se shkenca thotë që neandertalët janë zhdukur shumë kohë më parë, si një degë e humanoidëve të cilët u mbizotëruan nga paraardhësit e njerëzve të sotshëm, por, si duket, sikur edhe shumë herë tjera edhe kësaj here shkenca e paska pasur gabim. - Profesor, a je i sigurt?! Sa të besueshme mund të jenë këto analiza? - Të thash Kujtim, bëhet fjalë për analizat e para, duhet të bëhen analiza të tjera, më të hollësishme, por me një siguri prej 90% mund të them se kemi të bëjmë me këtë që të thash. Përnjëherë Kujtimi u zhyt në mendime.

 Harroi tërë zemërimin rreth aktiviteteve ilegale të Moshes. "Athua mund të jetë e mundur që këtu te ne, në Kosovë, të jetë zhvilluar beteja e fundit midis neandertalëve dhe njerëzve modernë? Athua të Martat të kenë qenë, në fakt, neandertalët e fundit, që kishin mbijetuar"? Aq sa i dukej e pamundur, aq dëshironte dhe uronte që një gjë e tillë të ishte e vërtetë. Disi, ishte i sigurt se, po të konfirmohej një gjë e tillë, atëherë Kosova dhe shqiptarët do të bëheshin të njohur në botë, përfundimisht. Në fillim as që mendonte për përfitimet personale. Por, më vonë iu kujtuan fjalët e profesorit, se "do të hynin në analet e shkencës". Për një çast filloi që ta përfytyronte veten si fitues të çmimit Nobel.

Si një shkencëtar të afirmuar botëror, i cili do ta kalonte pjesën e mbetur të jetës duke mbajtur ligjërata nëpër universitetet e botës. Sado tërheqëse që iu duk kjo gjë, prapëseprapë një zë i brendshëm nuk e la rehat. "Athua e kam merituar një gjë të tillë? Unë fundja nuk kam bërë asgjë. Thjesht e kam shoqëruar Moshen në aventurën e tij, në luftën e tij me mullinjtë e erës. Pa marrë parasysh se kjo, si duket, rezultoi me një zbulim të madh". - Profesor, shpresoj të jetë kështu si thua! Kjo me të vërtetë do të ishte e arritur e madhe për ty, si shkencëtar... - Për të dy ne, Kujtim! Edhe për ty! - Jo, profesor.

E çka bëra unë?! - Kujtim, ne kemi qenë ekip që nga fillimi, kështu që çdo meritë, apo kritikë, na takon të dyve. - Po, por... - Pa "por", të lutem! Ashtu! Mendoj se kjo meriton që ta festojmë me një kafe. Si thua ti? Kujtimit iu qesh. "Me një kafe?! Hajde jahudi, hajde"! - Po, po! Gjithsesi! Me një makiato të madhe bile! Moshe nuk kishte si të mos e vërente dozën e lehtë të cinizmit në atë që tha Kujtimi, por i kapluar nga entuziazmi sikur që ishte, në vend se ta zemëronte, kjo gjë e bëri të qeshte. - Kujtim, me makiaton më të madhe që është pirë ndonjëherë në Prishtinë! Të dy qeshën.

KAPITULLI I TRIDHJETË

Ishte duke ia prezantuar një klienti kushtet e kredisë, kur i cingëroi celulari. Pa se një numër fiks e thërriste në numrin të cilin e kishin vetëm njerëzit më të afërm të tij. Por, meqë bëhej fjalë për një klient tepër të rëndësishëm, ndërtimtarin më të madh në qytetin e Nishit, e mbylli telefonin pa u lajmëruar fare. Kërkoi falje nga klienti dhe, sapo u përgatit që të vazhdonte muhabetin me të, celulari i cingëroi përsëri. - Më fal, z. Prorokovic! Më duhet gjithsesi të lajmërohem. Dy minuta... Autor: H. B. I. (vijon) 

(Kosova Sot Online)