Ngjarje e vërtetë: "Nëna më torturonte, donte të më bënte manekene" (6)

  • 15 February 2021 - 15:52
Ngjarje e vërtetë:

Derisa lotët rrëke i rridhnin nëpër faqe, në fytyrë i shihej një fajësi e madhe. Mu desh që ta pickoja veten, për t'u bindur se nuk isha në ëndërr. Thuajse nuk mund të besoja se kjo grua e ënjtur dhe e shpupurisur në fakt ishte nëna ime, e cila gjithmonë ndreqej me kujdes. Sado që isha e zemëruar në të, në atë moment nuk mund të ndjeja dhembje për të. - Nënë, ti mirë e di se unë kurrë nuk kam dashur që të bëhesha manekine, por avokate. Nuk kuptoj çka të ndodhi kohëve të fundit - i thash me zë të qetë. - Po, më kujtohet. Ma ke thënë të paktën 100 herë, vetëm se unë nuk ta kisha vënë veshin. Apo thënë më mirë, nuk doja të të dëgjoja. E di, zemër, dikur edhe unë isha vajzë e re dhe e bukur dhe kisha ëndrra për të ardhmen e lumtur - filloi ajo, me shikimin e fiksuar diku në largësi. - Por, ajo ishte një kohë tjetër, kur realizimi i ëndrrave tona ishte shumë i vështirë.

Pistat e modës kishin qenë gjithnjë ëndrra ime jetësore, të cilën, në një moment, thuajse edhe e kisha realizuar - tha ajo, duke u ndalur, meqë zëri filloi t'i dridhej. Kjo ishte hera e parë që nëna ma hapi zemrën tërësisht dhe, më duhet ta pranoj, rrëfimi i saj mu duk goxha interesant. - Dhe? Dua të them, çka ndodhi më pas? Nuk kalove në ndonjërin nga audicionet? - e pyeta, pasi që tani rrëfimi i saj më kishte bërë për vete. - Jo, zemër. Ajo që ndodhi ishte një vajzë e vogël, e mrekullueshme - tha ajo me buzëqeshje, derisa unë në fillim nuk kisha kuptuar asgjë.

Sapo kisha mbaruar shkollën e mesme, kur u dashurova në babanë tënd në shikim të parë. Pa planifikuar, ngela shtatzënë menjëherë. Të linda ty dhe, më pas, kujt i duhej një manekine e martuar, me stria dhe me vragë nga prerja cezariane? - tha ajo, duke komentuar më shumë për veten e saj. Derisa me sytë e përlotur e kishte fiksuar shikimin diku larg, më dukej se, për herë të parë në jetë, mund ta kuptoja. - Më vjen keq, nënë. Por, nëse je e martuar dhe më ke mua, kjo nuk dmth se jeta jote ka mbaruar. Në botën e modës ka aq shumë gjëra që do të mund t'i bënte një grua si ti - thash duke ia shtrënguar dorën. - Ishe një bebe aq me vaj. Babai me orë të tëra të mbante në duar, derisa përfundimisht të zinte gjumi.

Por, të doja më shumë se çdo gjë tjetër në jetë. Ndoshta të doja tepër. Derisa të shikoja sesi rriteshe, mendoja sesi ëndrrat e mia, qoftë edhe në mënyrë indirekte, mund të realizoheshin ende. Doja që ti të vazhdoje aty ku e kisha lënë unë. Ishte e qartë se diku gjatë rrugës, e kisha humbur busullën. Me tërë fuqinë e vullnetit tim, që ta bëja vetëm atë më të mirën për ty, kalova në ekstremizëm dhe gati sa s'të humba. Më beso, kurrë më nuk do ta bëj një gjë të tillë. Ja, përfundimisht e di tërë të vërtetën. E di se tani je e zemëruar në mua, por sinqerisht shpresoj se, një ditë, do të më falësh. Do t'ia falësh gabimin nënës tënde të çmendur - pëshpëriti ajo, ku lotët sërish filluan t'i rridhnin nëpër fytyrë. - Nënë, unë të dua. Të lutem mos e harro kurrë këtë - thash dhe, përfundimisht, fillova të qaja. Pasi që ajo më përqafoi fuqishëm, më dukej sikur unë dhe nëna, përfundimisht, i kishim tejkaluar mosmarrëveshjet. FUND

(Kosova Sot Online)