Lexoni edhe:
Ngjarje e vërtetë: A do të bëhet baba djali im shtatëmbëdhjetë vjeçar? (3)
Dukej se edhe miqtë tanë shumë shpejt hetuan se çka ishte duke ndodhur midis fëmijëve tanë. - Mos më thuaj se nuk ke parë sesi Saranda dhe Dini janë të dashuruar? Edhe pse ata mundohen ta fshehin një gjë të tillë, duket se ata duhen tepër shumë. Janë tepër të ëmbël, apo jo? - më pyeti Dea një mëngjes, derisa pinim kafe. - Eh, po - thashë duke qeshur. - Këto dashuritë rinore janë të këtilla. Vijnë papritmas dhe, edhe më shpejt ikin - shtova duke buzëqeshur, duke rikujtuar dashurinë time me Fitimin, për të cilën dikur kisha menduar se ajo do të zgjaste përjetë.
Më fal, por kësaj here nuk mund të pajtohem me ty. Dashuritë e vërteta janë të përjetshme dhe, vetëm ta dish, me të vërtetë nuk do të kisha asgjë kundër që, një ditë, të bëheshim "mikatesha" - bëri shaka shoqja ime, gjë që na bëri të dyjave të qeshnim. Koha kalonte dhe pushimit tonë i afrohej fundi. Edhe pse e dija se kthimi në shtëpi do të sillte obligime të reja, pas gati një muaji të qëndrimit në bregdet ndihesha me të vërtetë e pushueshme. E dija se ideja për pushim të përbashkët me miqtë tanë ishte vendim i drejtë. Mezi prisja verën tjetër, që ta përsërisnim tërë këtë.
Ngjarje e vërtetë: A do të bëhet baba djali im shtatëmbëdhjetë vjeçar? (3)Lexoni edhe:
Pasi që u kthyem në kryeqytet, miqtë tanë bujtën te ne. Të nesërmen, derisa përshëndeteshim, nuk mundja të mos e vëreja pikëllimin në sytë e Dinit. Pashë se ai mezi përmbahej që të mos qante. E dija se im bir vuante për faktin se më nuk do ta shihte aq shpesh Sarandën. Qëndronte aty dhe shikonte me pikëllim largimin e veturës së tyre. Pamja e tij më preku. - Hajde, Din, të hyjmë brenda. A je për petulla me çokollatë? - e pyeta, vetëm sa për ta disponuar. - Jo, faleminderit, nuk kam uri. Po shkoj në dhomë - më tha pa vullnet. - E di se nuk e ke të lehtë, por më beso, përsëri së shpejti do ta shohësh Sarandën - e ngushëllova, duke mos ditur sa afër të së vërtetës isha.
Përpos kësaj, tani ekziston interneti, telefonat... Mund të flisni sa herë që të doni - vazhdova. - E di, nënë. Por, kjo nuk është njësoj. Nuk ka as dhjetë minuta prej se u largua Saranda, e tanimë më mungon tmerrësisht. Do të doja ta mbaja për dore, të jem në afërsi të saj... Mendoj se e dua dhe kam frikë se, pasi që të shkojë në qytetin e vet, do të më harrojë tepër shpejt - më tha duke mbuluar fytyrën me dorë. - Mos u shqetëso. Saranda është vajzë e mirë dhe jam e bindur se ajo po ashtu ndien të njëjtën gjë për ty. Dashuria është diçka tepër e mirë dhe, në vend që të vajtosh, do të duhej të kënaqeshe në çdo moment, qoftë kjo nëse nënkupton edhe dashurinë në distancë - mundohesha që ta ngushëlloja. Sipas shprehjes të zymtë të fytyrës së tij dukej se dashuria e Dinit ishte më e fortë sesa që kisha menduar. Shumë shpejt jeta jonë u kthye përsëri në binarë.
Luani dhe unë u kthyem në punë, e Dini ia nisi shkollës. Besoja se kthimi në bankat shkollore do t'i ndihmonte që, të paktën momentalisht, ta harronte Sarandën, por kjo nuk ndodhi. Edhe më tej ai fliste vetëm për të, e shpenzimet telefonike ishin tepër të mëdha. Në një rast Luani këtë bile edhe ia tha haptazi. - Mirë, Din, çka është duke ndodhur me ty? Kuptoj se je i dashuruar, por ne nuk jemi miliarderë që të paguajmë shpenzime të tilla telefonike. Nëse edhe muajin e ardhshëm bën shpenzime të tilla, atëherë shpenzimet do t'i paguash vetë - i tha me të ashpër burri im, derisa Dini rrinte kokulur dhe nuk bëzante. (vijon)
(Kosova Sot Online)