Roman dashurie: Shumë larg shtëpisë (12)

  • E /
  • 08 March 2021 - 15:47
Roman dashurie: Shumë larg shtëpisë (12)

Zbulimi i faktit se Tefiku ishte i dashuruar në të, bëri që Adelina të ndihej edhe më keq sesa që ishte ndier deri atëherë. Meqë edhe ashtu rregullisht ndihej tmerrshëm, nuk kishte dëshirë që të fliste rreth atyre ndjenjave. Por, kur Omeri e ftoi që të dilnin në një park, aty afër, ajo pranoi menjëherë, meqë këtë e pa si shans që të dilte pak jashtë dhe t'i "freskonte" mendimet. "A do të vijnë edhe vëllezërit e tu?" pyeti Adelina. Omeri mohoi me kokë. "Ata mendojnë se ky është një park fëmijësh të vegjël, meqë aty ka lodra të shumta". "Epa, mua më duket sikur një park i mrekullueshëm", i tha Adelina me qëllim. Pasi që i treguan Besës se ku do të shkonin, ata u nisën për në park, i cili gjendej dy blloqe larg. Sapo arritën, Omeri menjëherë hipi në një luhatëse.

"A dëshiron të të shtyj?" e pyeti ajo. "Jo. Dua që të rri ulur këtu dhe t'i shikoj zogjtë". Adelina buzëqeshi. "Me sa duket, ti nuk loz kur vjen këtu. Apo jo"? Ai mohoi me kokë. "Jo, nuk luaj. Por, më pëlqen qetësia këtu, e edhe më pëlqen që t'i shikoj zogjtë. Në këtë park kam parë zogj me ngjyra të ndryshme, të bukura". Adelina donte që ta përqafonte. Ai nxori një qese të vogël nga xhepi dhe ia drejtoi Adelinës. "Dëshiron një ëmbëlsirë?" "Ku i more këto?", e pyeti ajo. "Sa herë që vi këtu, e vjedh nga një qese nga magazina jonë. Janë çipsi me çokollatë", tha ai, duke e hapur qesen dhe duke filluar vet të hante. "Do ta marr edhe unë një", tha ajo, duke e shtrirë dorën.

Ai ia vendosi një çips të vogël në dorë dhe filloi që të luhatej. "Faleminderit". "Ti do të jesh këtu për Kërshëndella, apo jo?", e pyeti ai, me sytë e tij të mëdhenj, solemn, që prisnin konfirmim. "Tani kanë mbetur vetëm edhe pak ditë!" "Po, definitvisht", tha ajo duke ngrënë ëmbëlsirën. Edhe pse nuk ishte e bërë në shtëpi, ajo ishte e shijshme. Ia kujtoi fëmijërinë. "E, më pas, do të zhdukesh. Sikur dinozaurët". "Jo, Omer. Ne jemi miq tani, apo jo?" Ai pohoi me kokë, por pa entuziazëm. "Nëse jemi miq, atëherë më beso kur të them se nuk do të zhdukem më. Kanë ikur ato ditë". Adelina vërejti se qesja e çipsave të Omerit ishte kthyer me grykë teposhtë, derisa ai luhatej, kështu që u ngut ta pengonte derdhjen e çipsave në tokë. "Duhet të kesh kujdes që të mos i derdhësh çipsat, të cilët ti i quan ëmbëlsira".

"I quaj ëmbëlsira meqë janë me çokollatë", tha ai. "Mua më duket si eufemizëm", shtoi ajo duke qeshur. Ai e shikoi me habi. "Çka është eufemizmi?" "Ep... si të ta them... kur thua diçka, por në fakt dëshiron të thuash diçka tjetër". "Sikur nëna që thotë se është e lumtur që ti je këtu". Adelina ia shtrëngoi lehtazi dorën atij. "Jo, kjo është thjesht një rrenë". "A të pëlqejnë ty gjyshja dhe gjyshi?", e pyeti ai pa sherr. "Gjyshi di të jetë paksa i ashpër disa herë, por kështu është njeri i mirë, pjesën më të madhe të kohës". Adelina ofshau. Omeri kishte njohuri më të shumta sesa që pritej nga një fëmijë katër vjeçar. "Gjyshja dhe gjyshi janë prindërit e mi dhe unë i dua ata", tha ajo. "Unë të pyeta a të pëlqejnë", insistoi Omeri i vogël.

Adelina u nervozua nga ky insistim. "Ata janë njerëz të ndershëm dhe punëtorë", u përgjigj ajo me diplomaci. "D.m.th. nuk të pëlqejnë", tha ai. "Kjo është në rregull. As mua nuk më pëlqejnë ata gjithherë, por përkundër kësaj, i dua". Ai më pas filloi që ta këndonte një këngë për veten e tij, pasi që u ul në luhatëse dhe filloi t'i shikonte zogjtë. Ai dukej tërësisht rehat me ndjenjat e tij rreth kësaj teme. Edhe Adelina do të donte të kishte një sqarim të tillë të ndjenjave të saj. Ajo kishte krijuar aq shumë shtresa të kompleksitetit emocional, sa që tani e kishte vështirë t'i thjeshtësonte ato. (vijon)

(Kosova Sot Online)