Ngjarje e vërtetë: Edhe pse jam e ve, kam të drejtë në dashuri (6)

  • E. /
  • 08 March 2021 - 15:52
Ngjarje e vërtetë: Edhe pse jam e ve, kam të drejtë në dashuri (6)

Biseda me Ilirianin zgjati edhe pasi që pushoi shiu së rëni. Ndiheshim mirë dhe nuk ishim për ngutë. E dija sesi i vinte keq që të më propozonte menjëherë një takim tjetër, por isha e bindur se kjo do të ndodhte së shpejti. Ashtu edhe ndodhi: edhe pse nuk ishim marrë vesh, javën tjetër përsëri u takuam në varreza. Shi nuk binte kësaj here, por megjithatë hymë në kafene. Shumë shpejt ajo u bë "kafeneja jonë", e filluam që të caktonim edhe takime të tjera. Ishim dy njerëz të pjekur dhe nuk kishim nevojë që të filozofonim rreth asaj se ku çonte shoqërimi ynë. Megjithatë, nuk shkoi gjithçka aq lehtë. Unë sapo isha bërë e ve, edhe atë jo një e ve dosido, por e veja e një mjeku të njohur e të respektuar. Paraqitja ime me një mashkull tjetër jo vetëm se do të shkaktonte neveri te të njohurit, por do të na dëmtonte edhe si familje.

Kisha rënë në kurthin e rrenave të mia. Me vite kisha ndihmuar Amirin që ta ndërtonte imazhin e një njeriu të përkryer, të një eksperti, babai dhe burri të pashoq. Isha pjesëmarrëse në farsën e tij dhe kjo tani më kthehej si bumerang. Kujtimin për një njeri të tillë nuk guxoja që ta njollosja duke dalë me dikë tjetër. Në anën tjetër e dija se ishte vetëm çështje ditësh kur Ilirianit do t'i bëhej bajat loja jonë e fshehjes. Njoftimin me motrën e tij e kuptova si hapin e parë të daljes në publik. Më thirri një ditë për drekë te ta. Nuk doja të shkoja, por nuk kisha asnjë arsye të vlefshme për të refuzuar. E entuziazmuar sikur ndonjë vajzë e re, u përgatita për atë takim. Rreth motrës së tij nuk dija asgjë, pos që quhej Iliriana dhe se kishte përjetuar njëfarë traume të rëndë, pas së cilës ishte mbyllur në vetvete.

Detajet nuk i dinte as vëllai i saj. Tani ajo përsëri e kishte qitë jetën e vet në binarë, prandaj Iliriani donte që, në mënyrë diskrete, të largohej nga shtëpia e prindërve. Ishte një mashkull i mençur, i cili donte që sa më parë ta hapte një kapitull të ri në jetën e vet. Gjithçka ishte në rregull, por unë kisha frikë se mos ajo e njihte familjen time dhe do të më gjykonte që, kaq shpejt nga vdekja e burrit, isha duke u takuar me një mashkull tjetër, qoftë ai edhe vëllai i saj. Doja që ta evitoja atë takim edhe për shkakun se ai nënkuptonte hyrjen në familjen e Ilirianit. Por, nuk doja që ta humbja atë. Prej se u njoftova me të, jeta ime mori një dimension tjetër. Për dallim nga Amiri, të cilit i duhesha për realizimin e qëllimeve të tij, Ilirianit i duhesha si partner jetësor, me të cilin do të ndaja të gjitha momentet e bukura dhe më pak të mira. Edhe pse kishim kaluar aq shumë kohë së bashku, Amiri kurrë nuk më kishte lejuar që të isha aq e afërt me të, sa që kisha dëshirë unë. Përkundrazi, Ilirianit i duhej afërsia ime.

Ndonjëherë më priste pas punës, blerjes, shkuarjes te floktari, apo thjesht, më thërriste gjatë ditës, vetëm sa për të ma dëgjuar zërin. Donte që me mua t'i qante të gjitha hallet, gëzimin dhe hidhërimin. Më mundonte edhe fakti që e dija se, pas atij njoftimi me motrën e tij, do të duhej që edhe unë ta njoftoja atë me fëmijët e mi, mendim i cili më bënte që të rrëqethesha nga frika. Por, lidhja jonë kishte hyrë në atë fazë sa që një gjë e tillë, thjesht duhej të ndodhte. Duhej që të lëviznim nga pika e vdekur, të shkonim përpara, apo të ndaheshim. Nuk doja ta humbja, prandaj mblodha guximin për të shkuar në atë drekë. Ndoshta isha duke e tepruar me mendimin se jemi familje e njohur. Një drekë te shoku nuk do të thotë asgjë, e ngushëlloja veten. Sikur vetëm ta dija se çka më priste. (vijon)

(Kosova Sot Online)