Roman dashurie: Shumë larg shtëpisë (19)
Teuta vendosi qëndisjen e saj në një anë dhe hoqi syzat e leximit para se ta përqendronte vëmendjen te vajza e saj. "Më thuaj, Adelina, mos të kemi keqtrajtuar ne?" Adelina që tani mund të shihte se ku do të dilte ky muhabet. "Jo." "A të kemi lënë pas dore?" "Ligjërisht, jo"! Teuta ofshau. "Me të vërtetë nuk e di se çka d.m.th. kjo". Adelina u ul afër saj në shtrat. Donte të shpjegohej para së ëmës në një mënyrë që nuk do ta lëndonte atë, por nuk dinte si ta bënte këtë. "Kjo d.m.th. se ju më dhatë ushqim, strehim dhe të gjitha gjërat që mu nevojitën". "Deri këtu tingëllon mirë", tha Teuta. "Kjo është më shumë sesa që marrin shumica e fëmijëve.
A po i sheh ato reklamat me fëmijë të varfër, asht e lëkurë? Duket sikur janë me njërën këmbë në, e me tjetrën mbi dhe". Adelina nuk donte që të zemërohej me të ëmën. Kjo bisedë ishte tepër e rëndësishme dhe kishte pritur një kohë të gjatë për ta bërë atë. "Pra, ti mendon se ju i keni kryer obligimet tuaja prindërore dhe unë jam një pjellë e keqe, e cila iku dhe ju la juve në një situatë të keqe?", pyeti Adelina. "Nuk do ta formuloja bash kështu", tha Teuta, duke i kryqëzuar duart mbi gjoks. "Do të doja ta dija se çka është ajo që nuk ta kemi dhënë, e që ty të është dukur aq shumë se do të duhej ta kishe pasur". "Inkurajimi, shpërblimi, një ndjenjë e vërtetë e familjes", u përgjigj Adelina. Teuta ofshau.
"Ne të kemi inkurajuar që të bësh mirë". "Por, jo aq sa duhet. E keni bërë thjesht sa për ta kryer obligimin tuaj. Dukej sikur ju turpëroheshit se e keni një fëmijë inteligjent në familje, por në të njëjtën kohë, silleshit sikur nuk isha në gjendje të bëja asgjë tjetër, pos të mësoja. Pra, praktikisht, ju mua më vendosët në një kuti dhe, më pas, më ndëshkuat pse isha aty. Dhe, ruana Zot, unë nuk guxoja asnjëherë që të dilja nga ajo kuti". "Çka t'u kanë tekë këto kutia, bre?", e pyeti e ëma, me një shikim me të vërtetë pyetës. "Më vjen shumë keq për Omerin", tha Adelina, pa u përgjigjur në pyetjen që ia bëri e ëma.
"Ai ka vetëm katër vjet dhe ju jeni duke ia bërë atij të njëjtën gjë. Paramendo se çka do të ndjejë ai kur t'i mbushë, p.sh., të katërmbëdhjetat". "Apo të tridhjetepestat?", e pyeti Teuta. "Ju më bënit të ndihesha sikur nuk e kisha vendin këtu. Sikur nuk isha pjesë e familjes", tha Adelina me zemërim. "Çka mund të them? Më kishit shlyer fare". "Pra, ne qenkemi një familje të të degjeneruarish, të cilët refuzuakan çdo fëmijë që manifeston shenja të inteligjencës. A kështu mendon, a?" Sikur që kishte pritur, e ëma nuk e kishte kuptuar si duhej. "Jo saktësisht…" "Epa, tani je një avokate e njohur e një korporate të madhe", tha Teuta, e tëra e skuqur nga zemërimi. "Çka po mërzitesh se çka mendojnë njerëzit e vegjël"? "Mos mi thuaj vazhdimisht këto fjalë, nënë", reagoi e bija.
"Unë në fakt e urrej punën time". Teuta u befasua. "Njëmend, a?" "A e sheh? Ti u befasove. Ti mendon se një punë e ftohtë, e pa shpirt, më përshtatet mua për mrekulli". Adelina u ngrit nga shtrati, e nervozuar. "Ti as që më njeh mua". Ajo mezi ishte duke i përmbajtur lotët. "Pra, qenka faji jonë që ti e urren punën tënde"?, iu drejtua Teuta. "Më duket se është faji jonë edhe pse, si më duket, paske mbetur pa burrë. Mos është ende herët që të hysh në krizë të moshës së mesme?" Adelina bëri një grimasë të dhembshme në fytyrë. "Jam duke u përpjekur që të shpjegohem para teje, nënë. T'i ndaj ndjenjat e mia me ty. A e ke idenë se sa vështirë është kjo për mua?" "Më duket sikur je duke më fajësuar mua", tha Teuta, duke lëpirë buzët. Ajo nuk donte të dëgjonte më. I vinte mirë që nuk ishte burri i saj në këtë rast, për t'i dëgjuar këto kopalla. Ai do të reagonte si mos më keq. Adelina tundi kokën. "Nuk mendoj se dëshiron ta dish. Më me dëshirë do të supozoje, ashtu sikur ke bërë gjithmonë në lidhje me mua. Pse të mundohesh, kur edhe ashtu e ke krijuar një opinion për mua, apo jo?" (vijon)
(Kosova Sot Online)