Roman dashurie: Ai i vërteti (7)

  • E. /
  • 29 March 2021 - 15:57
Roman dashurie: Ai i vërteti (7)

Qershori kalonte ngadalë. Doruntinës i dukej sesi ai, me qëllim ishte zgjatur, në mënyrë që asaj t'i duhej të priste më shumë për pushimet e përbashkëta me Rinorin. Nuk mund të shiheshin shpesh, meqë ai ishte duke i kryer disa obligime, në mënyrë që, më pas, të mund të pushonte pa gajle. Asaj nuk i pengonte një gjë e tillë, meqë e dinte se do t'i kalonin dy javë bashkë dhe se, atëherë, do të jetë shumë e lumtur. Edhe pse emocionet e saj nuk kishin kaluar kaherë kufijtë e miqësisë, i duhej që të pranonte sesi shumë i interesonte se çka do të ndodhte me të. I pëlqente, me të ndihej mirë dhe vetvetja, sikur afër një vëllai, të cilin kurrë nuk e kishte pasur.

Përndryshe, Rinori tanimë kishte paguar biletat e avionit dhe hotelin, edhe pse me njëfarë kokëfortësie nuk pranonte që t'i tregonte se ku do të shkonin. Dinte vetëm se nuk do të shkonin diku larg, meqë nuk i kishte thënë të aplikonin për vizë. Për të krejt ishte njësoj. Mbështetej te fakti se Rinori nuk do ta zgjidhte ndonjë vend të keq. Tri ditë para nisjes, bëri listën e gjësendeve të cilat do t'i merrte me vete. Edhe nëse do t'i merrte vetëm gjërat më elementare, përsëri i duheshin dy valixhe. Mendonte se çka do të vishte, por në të njëjtën kohë donte të merrte çdo gjë që i rrinte mirë, meqë donte që të dukej sa më bukur.

Më parë ishte grindur me të ëmën e cila edhe pse e pëlqente Rinorin, nuk mund të pajtohej me mendimin se do të mbetej vetëm për dy javë të tëra. - Nuk e di si nuk i tutesh Zotit, Doruntina! E di mirë se unë vuaj nga zemra. Çka nëse më ndodhë diçka dhe, kur të kthehesh, më gjen të vdekur? - Nënë, të lutem mos ji kaq egoiste. Ti e di shumë mirë se kam nevojë për pushim. E, çdo herë kur kam dashur që të të dërgoj diku, ti më ke thënë se nuk ke dëshirë të shkosh askund. Fundja, jam marr vesh me fqinjën që të të vizitojë, do t'i lë asaj para për të të blerë çka ke nevojë në dyqan.

Por, plaka nuk kishte ndërruar mendjen. Doruntinës i vinte vështirë tërë kjo situatë, por e dinte se nuk mund të rrinte pa shkuar në pushim. Po të qëndronte në shtëpi, do të tentonte që ta bindte të ëmën që të dilnin diku, ajo do të refuzonte me arsyetimet më të këqija të mundshme. Tani, kur kishte mbaruar edhe një grindje, mundohej që vetes të mos ia prishte pushimet e premtuara. Telefoni cingëroi disa herë para se Doruntina arriti ta hapte. - Je duke fjetur, apo duke bërë dush? Ishte Rinori. Sapo ia dëgjonte zërin, i përmirësohej disponimi. - Jo, isha në dhomë, e u vonova derisa erdha te telefoni. - E nënën ku e ke? - Këtu, në kuzhinë. Por, përsëri jemi grindë. 

Përsëri? Tani për çka? - I pengon fakti që po shkoj në pushime. Klasike për të, apo jo? Në anën tjetër të telit të telefonit nuk dëgjohej asgjë. Për një moment Doruntinës iu duk sikur u ndërpre lidhja, por më pas dëgjoi frymëmarrjen e Rinorit. - A je ende aty? Çka u bë që s'po flet? Sapo ai tha fjalët e para, ajo e diti se pasonte një zhgënjim. - Doruntina, më duhet të të lus diçka. E di, me të vërtetë doja të shkonim bashkë, por arrita që të pajtohesha me Jehonën.

Gjatë kohëve të fundit isha tepër i lodhur nga puna dhe doja që dikush të më bënte të qeshesha, prandaj e ftova atë. Tani do të isha me të vërtetë njeri i keq, sikur t'i thosha jo. - Mund të më ftoje mua. Edhe unë do të mund të të bëja të qeshesh. Nuk besonte se këtë e tha me zë të lartë, sidomos për shkak se e dinte që, në zërin e saj, dëgjohej zemërimi dhe dëshpërimi, gjë që mund të interpretohej si xhelozi. - E di, por ty të kam shoqe, e jo argëtuese. E edhe mënyra sesi qeshem në ato momente, nuk ka natyrë miqësore, por më shumë... seksuale. Më kupton? - Po, po!

(Kosova Sot Online)