Ngjarje e vërtetë: Diktatori në shtëpinë tonë (1)
Jo, jo dhe jo! Nuk mund të ma bësh këtë. - Por, si nuk e kupton? Nuk kam zgjidhje tjetër! - Nëse ajo vjen këtu, unë shpërngulem. - Vegim, ji i arsyeshëm: gruaja nuk mund të përfundojë në rrugë vetëm pse ne nuk mundemi më t'ia paguajmë qëndrimin në azil. - E ka ajo edhe vajzën tjetër. Le të shkojë te ajo! - Edhe ti e di se nuk mundet. - Jo, unë nuk e di këtë. Pse nuk po mundka? - Sepse Lulja ka banesë të vogël dhe nuk ka para. - E ne paskemi, a? - Hajde, pashë Zotin, mos më mundo… - Unë të mundoj? Punoj si kalë, çdo ditë vi në shtëpi i lodhur sa s'ka, jam duke u ngufatur në kreditë të cilave nuk ua shoh fundin, e tani do të më duhet që ta duroj edhe nënën tënde të marrë.
Bile t'ia lëshoj edhe shtratin tim, e unë të fle në sallon! Kjo nuk ishte grindja e parë midis meje dhe Vegimit gjatë këtyre 25 viteve martesë, por gjithsesi bënte pjesë në mesin e grindjeve më të ashpra. Kohëve të fundit asgjë nuk na shkonte mbarë. Krejt ajo që tha burri im, ishte e vërtetë: kishim një kredi të madhe, pagesa e të cilit ishte ende larg, që të dy punonim si të marrë, kishte kohë që nuk mund t'i lejonim vetes asnjë luks, e tani ndodhi edhe kjo: motra ime Lulja, me të cilën ndanim pagesën e qëndrimit të nënës në azilin e pleqve, kishte mbetur pa punë dhe nuk mund ta paguante më pjesën e vet. Meqë ne nuk mund ta paguanim shumën e plotë, atëherë kishte mbetur vetëm një zgjidhje. - Nuk e di si e ke paramenduar këtë - murmuriti Vegimi, duke bërë me kokë. E, unë sikur e kam ditur! Edhe unë rrëqethesha nga mendimi se çka ishte duke na pritur. Por, sikur që thash, nuk shihja zgjidhje tjetër.
E, si do t'ua shpjegojmë këtë gjë Hanës dhe Luanit? Hana dhe Luani ishin binjakët tanë 21 vjeçar. Nuk kuptoja çka kishte kjo lidhje me ta. - Ata edhe kështu janë të frustruar me mungesën e parave në familjen tonë, e tani do të çmenden krejt! E dija se Vegimi kishte të drejtë. Fëmijët tanë me të vërtetë ishin rritur në një fukarallëk kronik dhe çdo ditë iu duhej që të pajtoheshin me faktin se shumica e ëndrrave të tyre do të mbeteshin të tilla, ëndrra, sepse nuk kishim mundësi t'ua realizonim. Megjithatë, Vegimit iu kundërvura. - Ata janë rritur tanimë, nuk janë fëmijë. Duhet ta dinë se të rriturit kanë përgjegjësi dhe obligime. Ajo është gjyshja e tyre dhe duhet ta kenë të qartë se nuk mund ta lëmë në rrugë. Me gjasë kështu do të duhej të ishte në ndonjë familje relativisht normale, të rëndomtë.
Por, ne nuk ishim një familje e tillë. fëmijët tanë nuk e adhuronin gjyshen e tyre, sikur që ndodhë zakonisht me nipat dhe mbesat, e as ajo nuk shfaqte ndonjë dashuri kushedi sa të madhe ndaj tyre. - Më vjen të çmendem kur mendoj sesi do të duket kjo … - tani në zërin e Vegimit hetohej dëshpërimi. - Tanimë mund ta paramendoj duke i maltretuar fëmijët për çdo imtësi. E, edhe neve, po ashtu. Më së miri është që të iki diku! E kuptoja në tërësi sesi ndihej, meqë edhe vetë ndihesha ashtu. Por, ku mund të iknim ne të dy? Nesër para orës 11 duhej të shkonim në azilin e pleqve, për ta marrë nënën dhe për ta sjellë atë, me të gjitha gjësendet e saj, në shtëpinë tonë.
Tani ndokush do të mund të mendonte se çfarë familjeje e pashpirt jemi ne, kur nuk i duam pleqtë tanë. Por, ai që do të mendonte kështu nuk e ka pasur rastin ta njihte nënën time. Melekja ishte një grua me të cilën askush nuk donte që të jetonte, pa qenë i detyruar për një gjë të tillë: as burri i saj, i cili kishte ikur nga ajo tash e dyzet e kusur vjet, e as unë e Lulja, vajzat e saj. - Ja, vetëm edhe këtu duhet të nënshkruani dhe u krye - na tha me mirësjellje zyrtarja e azilit, kur të gjitha gjësendet i kishim paketuar, e ishim bërë gati për t'u nisur. (vijon).
(Kosova Sot Online)