Ngjarje e vërtetë: Si u martova me një grua të tmerrshme? (4)

  • E. /
  • 20 May 2021 - 15:48
Ngjarje e vërtetë: Si u martova me një grua të tmerrshme? (4)

- Natyrisht. Jam në gjendje. Edhe deri tani jam kujdesur për ta, rreth shtëpisë dhe të gjithave. Fakti që ti nuk ke ditur asgjë rreth kësaj, është një tregim tjetër. Dhe, si ndodhi që ti, kështu papritmas, tani ia mban anën Dianës? A nuk ishte mu ti ajo që vazhdimisht, që nga fillimi kur ishim njoftuar, flisje kundër saj dhe bëje gjithçka që të na ndaje? A nuk ishe ti që më thoshe se Diana është personi më i neveritshëm dhe më i urryer në vend? Si ka mundësi që tani, mu ti, të dalësh në mbrojtjen e saj? - thosha unë, duke u habitur me fjalët e nënës. - Atëherë ishe i vetëm, i ri, mund ta kishe cilëndo femër që do të doje. Femrat të vinin prapa. Mund të zgjidhje cilën ta donte shpirti.

Natyrisht se isha kundër saj, por kjo ishte atëherë. Nëse ke harruar, ke qenë ti ai që e zgjodhe dhe u betove për dashuri të përjetshme, në të mirë dhe në të keq, në shëndet dhe në sëmundje - nëna filloi që t'i përsëriste fjalët që dje i dëgjova nga Diana. Nuk mund ta kuptoja se çka ishte duke ndodhur me të, pse dukej se, papritmas, kishte ndërruar anë dhe se më shumë mërzitej për Dianën, sesa për shëndetin e mbesave të saj dhe timin. Kurrë nuk mbanim sekrete para prindërve tanë, prandaj e luta për një shpjegim shtesë. - fëmijët kanë nevojë për nënën, që ta kenë afër. E, mënyra sesi e përzure nga shtëpia është thjesht një turp i madh - vazhdoi ajo. - E, ku e di ti se çka ndodhi? - ia bëra pyetjen, ku përgjigja në të tanimë ishte evidente. - Dje Diana, e tëra e lagur, në pizhame dhe papuçe erdhi te unë.

Duhet të të vijë marre! A kështu sillet një burrë, a? Babai dhe unë kurrë nuk të kemi mësuar diçka të tillë. Me një sjellje të tillë ma more fytyrën sikur askush tjetër më parë. Si do të të dukej ty sikur dikush të të nxirrte në rrugë, me këtë mot, ashtu të zhveshur dhe zbathur? A ke menduar fare me kokë, apo vetëm je udhëhequr nga zemërimi? Mjeku erdhi dhe e kontrolloi. Lutu që të mos marrë ndonjë kallje të mushkërive, apo ndonjë sëmundje tjetër. - Nënë, të dëgjoj dhe nuk mund të besoj. Është e vërtetë se nuk jam sjellë si kavalier, por as ajo kurrë nuk është sjellë si zonjë. Më së miri se çdokush tjetër, ti e di se çfarë gruaje është ajo. Nuk munda më ta shikoja dhe dëgjoja.

Nuk mund ta duroj më. Fëmijët dhe unë kemi të drejtë për rehati dhe gëzim, e edhe ajo ka të drejtë që të jetë e lumtur. Ne nuk mundemi dhe nuk duam më që të jetojmë bashkë, pa marrë parasysh se çka do të thuash ti. Gjithmonë kam vlerësuar qëndrimet dhe mendimet tua, por këtu bëhet fjalë për jetën time dhe të fëmijëve të mi dhe askush tjetër nuk do të përzihet këtu. Nëse më ke thirrur vetëm që të më poshtërosh, atëherë nuk do të duhej të më thërrisje fare. Jam i lodhur dhe i mërzitur nga gjithçka. Nuk dua që të grindem dhe të debatoj edhe me ty. Ka kohë që jam bindur se të gjitha fjalët që i kishe thënë dikur për Dianën janë të vërteta dhe përfundimisht kam vendosur që të shkurorëzohem.

As ajo, as ti, e as ndokush tjetër nuk mund të ma ndryshojë këtë mendim - ia bëra nënës të qartë sesi nuk kisha ndërmend të negocioja me të rreth qëllimeve dhe jetës sime në të ardhmen. - Do të vij dhe do të ta sjell gruan në shtëpi. Ajo është gruaja jote, e jo e imja - më tha pasi që më dëgjoi. - Mos e sill! - i thashë me një ton të tillë të zërit, i cili me gjasë ia ngriti flokët përpjetë, por thjesht e dija se duhej të reagoja në atë mënyrë, meqë nëna me të vërtetë ishte në gjendje që ta kthente Dianën në shtëpi. Gjatë pjesës tjetër të ditës unë dhe fëmijët biseduam rreth obligimeve që i kishim, duke planifikuar për ditët e ardhshme. Asnjëri prej tyre ende nuk ankohej pse nuk e kishin nënën në shtëpi. Sikur unë, edhe ata ishin çliruar përfundimisht. (vijon)

(Kosova Sot Online)