Roman dashurie: Gruaja me sekrete (32)

  • E /
  • 02 June 2021 - 15:54
Roman dashurie: Gruaja me sekrete (32)

Atë natë nuk kishte fjetur si duhej. Kur në mëngjes kishte provuar të zgjohej çdo pjesë e trupit po i dhembte. E kishte dridhur gripi. E kishte matur temperaturën. Temperaturën e kishte tridhjetë e nëntë. Përnjëherë e kishte lajmëruar zëvendësuesen dhe i tha se nuk mund të shkonte në punë. Ajo, përnjëherë obligimet i kishte marrë mbi vete. Vlora kishte marrë ilaçin, u mbulua dhe pothuajse e kishte zënë gjumi. Pak më vonë e kishte zgjuar cingërima e telefonit. Mezi e kishte gjetur të humbur diku në shtrat. - Alo? - Jam unë, po dëgjoj se je e sëmurë. Jam këtu para shtëpisë tënde, ta kam sjellë drekën dhe pemë, nëse do mundesh të zbresësh dhe t'i marrësh? Isha e befasuar me këtë reagim të Dinit. - Ngjitu lart. - Jo, nuk do ta bëja. - Përse? - Nuk është në rregull po të ngjitem lart. Samiri do të mund t'i kuptonte gabimisht gjërat. Sepse, ti jeton vetë, dhe nuk është në rregull ... - Të lutem, ngjitu lart dhe mos filozofo mirë! Pothuajse ishte qesharake ajo që kishte thënë Dini. E kur ia kishte hapur derën, pothuajse përnjëherë po ndihej më mirë. Po e shikonte i brengosur. - Ufff, shih sa e sëmurë që je.

Shko shtriju, unë do të t'i sjell të gjitha. Do të gjendem disi rreth enëve. - Provoje. Dhe u kthye në shtrat, por as nuk kishte guxuar që të shikohej në pasqyrë. Po dukej tmerrshëm dhe tash ishte zemëruar në veten e saj pse kishte lejuar të dukej ashtu. Pak më vonë ai u shfaq si një shërbyes, kishte supë të ngrohtë dhe disa pjesë të peshkut të pjekur. Aty kishte çaj me limon. - Ku e ke gjetur atë tabak, po e kërkoj tash e disa ditë. - Me sa duket nuk e ke kërkuar në vendin e duhur. Hajde, drejtohu pak dhe ha. Nuk më shkojnë punët mirë nëse e kam të sëmurë partnerin. Dje kam arritur marrëveshje pune me Vedatin. Një tip i hatashëm, pak mashtrues, por me sa duket xhemi jonë e ka pushtuar. - Super! Të lumtë. Kishte filluar të hante dhe vetëm tani e kishte kuptuar se sa e uritur që ishte.

E ai vetëm ishte ulur dhe po e vështronte. Asaj po i pëlqente, sepse ai ishte kujdesur për të. - Shumë të faleminderit për të gjitha. Me siguri se do ta kisha anashkaluar ushqimin, sepse nuk kam forcë ta përgatis, e më duket se nuk kam gjë në frigorifer. Do të duhej më vonë të shkoj për furnizime. - Do të përkujdesem për to. E më pas e uli kokën duke buzëqeshur. - Më fal. Natyrisht se ka kush të brengoset për to. Unë po të vardisem duke harruar se ke të dashur për gjëra të tilla. Vlora nuk kishte mundur të heshte më. - Nuk jam më me Samirin. - Përse? - Nuk ka rëndësi. Thjesht, nuk është ai për mua. Kjo është e tëra. - Në rregull. Kishte mundur ta ndjente se si Dini po eksplodonte prej emocioneve. Fytyra i ishte skuqur, por ishte munduar ta fshihte këtë, por pa sukses. - Atëherë kjo do të thotë se më duhet të shkoj në shitore? Po shkoj menjëherë. A ke ndonjë dëshirë? - Mos shko, nesër do të qëndroj në këmbë, do ta shohësh. - Jo, kurrsesi! Do të duhet ta shtysh për tri apo katër ditë. Puna nuk do të ikë. Vij shpejt, e ti të hash krejt këto. Kur kishte mbetur vetëm, Vlora buzëqeshi dhe jo vetëm se ishte n gjendje të ngrihej prej shtratit, por edhe të vallëzonte.

(Kosova Sot Online)