Lexoni edhe:
Ngjarje e vërtetë: Kur tërë kjo do t'i takojë së kaluarës (1)
Ajo ditë ishte e jona, ai vend ishte i yni dhe ato përqafime, tonat ishin. Më duhet të them se, gjatë asaj kohe, çdo moment i kaluar së bashku ishte i vlefshëm meqë kishim shumë pak momente të tilla për shkak të pengesave dhe problemeve të shumta, nga të dyja anët. Edhe para asaj dite, kur zyrtarizuam fillimin e lidhjes tonë, shumë pak kohë kalonim bashkë.
Qëndronim pak, por ato momente i shfrytëzonim maksimalisht, prandaj çdo gjë mbahej mend. Që nga fjala e parë që e kishim këmbyer bashkë, veten e gjenim te njëri-tjetri dhe ndjenim njëfarë lidhshmërie. Një kohë të gjatë kam ruajtur porosinë e parë të cilën e kisha marrë nga ajo.
Ngjarje e vërtetë: Kur tërë kjo do t'i takojë së kaluarës (1) Lexoni edhe:
Një kohë me të vërtetë të gjatë. E, sa më gëzonte zilja e telefonit sa herë që më vinte ndonjë thirrje, apo mesazh, po aq na zhgënjente zilja e celularit të saj, kur e thërrisnin prindërit dhe i thoshin se ishte koha që të kthehej në shtëpi. Momentet tona të përbashkëta në këtë mënyrë mbaronin deri në një takim të radhës, aq shumë të pritur. Momentet e gëzueshme dhe të këndshme nuk harrohen lehtë. Dashuria e vërtetë nuk vdes, ndjenjat qëndrojnë gjithmonë të forta.
Vetëm herë pas here ato ndeshin në pengesa, prandaj fuqia e atyre ndjenjave e huton njeriun dhe ai bën gabime. Gabime të marra, të cilat mund t'i kushtojnë shtrenjtë. Gabimet e tilla edhe mua mund të më kushtonin pas disa muajsh, derisa "çimentoja" në themelet e lidhjes ende nuk ishte tharë mirë. Si i ri i pa përvojë që isha, me një dëshirë të zjarrtë që të isha sa më shumë me të, nuk kisha mirëkuptim se e dashura mund të kishte edhe obligime të tjera, se kishte prindër të cilët ia vështirësonin jetën. Jo, mua më ngutej, doja që sa më parë të arrija diku, të arrija asgjë.
Në fakt, në atë situatë nuk kishte asgjë të gabueshme, ku axhamia bën gabime fëmijërore, gjë që ndodhë shumë shpesh. Ndonjëherë isha i vetëdijshëm për atë që isha duke bërë, mjaft i mençur që t'i njihja gabimet e mia fëmijërore. Vetëm pasi derdha lotët e parë të saj për shkak të mosdurimit tim, u qetësova dhe e pranova situatën të tillë si ishte. E ajo, një vajzë e dashuruar, kishte frikë mos po e humbte të dashurin. Për këtë shkak ajo gjente kohë, duke kundërshtuar prindërit, sa më mirë që dinte, në mënyrë që të më bënte të lumtur dhe të mos më humbte. Përvidhej gjatë natës që ta shihte, ta përqafonte dhe puthte.
E unë, axhami si axhami, përkundër kësaj sakrifice, gjeja diçka që nuk më pëlqente dhe që doja ajo ta ndryshonte. Shprehitë e ndryshme, njerëz të ndryshëm në jetën e saj, shumë imtësi dhe marrëzi, kërkoja nga ajo t'i hiqte nga jeta e saj. Ajo më adhuronte dhe gjithçka bënte që unë të isha i lumtur, që ta ledhatonte sërish si në muajt e parë, para se të kisha filluar me kërkimin të metave dhe gabimeve. (vijon)
(Kosova Sot Online)