Ngjarje e vërtetë: Për të isha vetëm një më shumë (1)

  • G.g /
  • 19 July 2021 - 11:26
Ngjarje e vërtetë: Për të isha vetëm një më shumë (1)

Jam afër të njëzetave dhe ende nuk kam pasur asnjë lidhje serioze. Çka nuk është në rregull me mua? Shpesh ia bëja vetes këtë pyetje duke shikuar në pasqyrë sytë e mëdhenj, të gjelbër dhe kaçurrelat e paepura, ngjyrë kafe të mbylltë. Nuk është se dukesha si top modele, por as e shëmtuar nuk isha. Ndoshta fakti se isha për nga natyra e turpshme dhe sepse më mungonte vetëbesimi, ende nuk kisha pasur të dashur, mendoja.

Përkundër jetës së rehatshme nën kulmin e shtëpisë së prindërve dhe përkundër asaj se studimet e dizajnit grafik më shkonin si mos më mirë, shpesh e kisha ndjenjën se jeta ishte duke më shkuar kot, e unë e pafuqishme shikoja dhe vuaja. Edhe nëse shihja ndonjë djalë interesant unë e dëboja atë me sjelljen time të ftohtë e bëja që të ikte. Përkundër kësaj, nuk mund të them se kurrë nuk kam qenë e dashuruar. Bile-bile, dashurohesha goxha shpesh, por e bindur se çdo gjë do të dështonte, shpejt hiqja dorë nga të gjithë, e edhe nga afrimi më i vogël. - Arta, ti je e marrë!

E, çka i mungon Muharremit?! Gjysma e femrave të fakultetit përjargen pas tij, e ti, hajt ashtu, e refuzon ftesën e tij për kafe - u tmerrua me mua shoqja ime Virdanja, kur në një rast, midis dy ligjëratave, Muharremi më kishte thirrur. - E, çka do të bënte një vajzë si unë me një "facer" si ai? Nuk është ai për mua - i thashë, duke rrudhur supet, kur me arsyetimin se më duhej të mësoja, kisha ndërprerë bisedën me Muharremin. - Pa lidhje! - tha Virdanja, e tmerruar nga përgjigja ime. - Hajde tani, më thuaj se çka të mungon ty? E pashme, e mençur, vetëm sikur të hapeshe edhe pak ndaj të tjerëve dhe ndaj rasteve të reja... Një kafe e përbashkët do të ishte një hyrje e mirë në forcimin e vetëbesimit tënd.

E, kush do të mund të ishte më i përshtatshëm për këtë, sesa Muharremi? Dua të them, është e vërtetë se flitet që ka thyer shumë zemra femrash, por dorën në zemër, për këtë shkak edhe është i famshëm, përndryshe do të ishte ndonjë zdralë - më tha duke bërë me kokë, e unë vetëm rrudha supet. Ngacmimet e Virdanes zgjatën edhe ditëve vijuese, derisa duke dalë nga floktaria, rastësisht hasa në Muharremin. Ashtu i gjatë dhe flokëzi, me xhinsi dhe me bluzë të ngushtë pambuku, dukej më shumë sesa i bukur. përkundër asaj se kisha bërë stil të ri të flokëve, përsëri fillova që të ndihesha e pasigurt. Kur filloi të më fliste, ndjeva sesi u bëra all në fytyrë.

- Tung, Arta. Më vjen mirë që të shoh - filloi ai me stilin e vet. - Shoh se ke kohë t'i rregullosh edhe flokët - vazhdoi ai. Edhe pse kjo do të duhej të tingëllonte si shaka, në zërin e tij hetohej njëfarë ironie. Për një moment shikimet tona u ndeshën. O Zot, sikur të mos dukej aq mirë, mendoja duke shikuar duart dhe muskujt e tij të fortë. - Tung, Muharrem, ç'a ka? - e pyeta. Duke kuptuar se ai kishte vërejtur shikimin tim, ula kokën. - Përpos faktit se më pëlqen stili yt i ri i flokëve dhe, nëse nuk ke ndonjë gjë tjetër në plan, do të të qerasja me një kafe, nuk kam gjë tjetër - më tha ai, duke më fiksuar me shikimin e tij, me sytë e tij të zi. - Kështu, dua të them... - fillova e dëshpëruar, duke u munduar që ta gjeja ndonjë arsyetim.

Për fat të keq, asgjë e mençur nuk më binte ndërmend. - D.m.th. po pranon. Mrekulli! Çka thua, të shkojmë në atë kafenenë që sapo është hapur, këtu afër? Thuhet se bëjnë kafen më të mirë në qytet - tha ai, me një fytyrë që gjithnjë e më shumë i skuqej. - Nuk kam asgjë kundër - ia dola të thosha, edhe pse më me dëshirë do të hyja në birën e miut. (vijon)

(Kosova Sot Online)