Ngjarje e vërtetë: E detyrova të martohej me mua, duke e gënjyer se isha shtatzënë (1)

  • E. /
  • 01 September 2021 - 15:50
Ngjarje e vërtetë: E detyrova të martohej me mua, duke e gënjyer se isha shtatzënë (1)

Para se Valdetja kishte hyrë në jetën e tij, ne ishim në lidhje për pesë vite rresht. Lidhja jonë është e vërtetë se nuk ishte si në fillim, por që të dy këtë e kishim konsideruar si një zhvillim normal. Pasioni dhe zjarri ishin zhdukur, por lidhja jonë ishte e qëndrueshme, përplot me mirëkuptim dhe respekt për njëri tjetrin. Të vetëdijshëm se pas gjithë atyre viteve nuk na dridhen gjunjët kur takojmë njëri-tjetrin, kemi menduar se ashtu duhet të jetë. Pasi që koha po kalonte, gjithnjë e më shumë po mendonim për martesën. Ganiu nuk më kishte propozuar martesë në mënyrë romantike, në gjunjë, por kjo ishte një rrjedhë logjike e lidhjes tonë. Ai shpeshherë e përmendte atë temë, e unë dëshiroja një martesë të madhe, fëmijët.

Edhe prindërit tanë prisnin nga ne që përfundimisht ta caktojmë një datë. Atëherë nuk e kisha vërejtur se Ganiu nuk ishte më i sigurt në neve. Më pak më fliste për dashuri, e më shumë për faktin se do të jem një grua e mirë dhe një nënë e kujdesshme. Dinim mirë të qeshnim kur e ëma e tij e përmendte martesën. Në fakt që të dy po mbushnim të tridhjetat dhe vjehrra e ardhshme po na bindte që ta 'kapim trenin e fundit". Në fakt gjithçka na ishte e servuar në pëllëmbë të dorës. Kemi përfunduar studimet, kishim nga një vend të punës dhe kishim ku te jetonim.

Vetëm po prisnim ta caktonim ditën D. Edhe nëse dikush do të ma përmendte dyshimin e tij, nuk do të besoja pasi që edhe ai po dëshironte jetë të qetë me gruan të cilën e dashuron dhe me tre fëmijët. Që të dy jemi ngopur me daljet e natës, me muzikë dhe me dehje së bashku me miqtë tanë. Ganiu nuk kishte frikë nga martesa e as nga obligimet, por kur shikoj sot prapa, po e vërej se e kishte të vështirë të qëndrojë edhe para altarit. Tani po e kuptoj se edhe çfarë i kishte munguar. Në ato momente të krizës së lidhjes sonë në jetën e tij ishte futur Valdetja, vajza me flokë të gjatë me ngjyrë të verdhë dhe me sy të kaltër si qielli. Ishin njoftuar në punë dhe menjëherë i ishte futur nën lëkurë. Ganiu as nuk e kishte kuptuar se çfarë po ndodhte, e tashmë ishte i dashuruar deri në veshë.

Por, ai nuk e kishte ditur se në atë grup të dashuruarish, ishte edhe Anila, një shoqe e ngushtë e motrës sime. Pas vetëm ditës së parë në vendin e punës, Anila i kishte treguar motrës sime Igballes si Ganiu dhe Valdetja secilën pauzë që e kanë po e kalojnë së bashku, flasin, buzëqeshin, e ai po kënaqej në zërin e saj, prekjet e rastësishme dhe aromën, të cilën ajo e lëshon përreth. Kur motra ime më kishte treguar gjithçka, unë isha e gatshme të vrapoja në zyrën e tij dhe të grindem me të para të gjithëve aty. - Si mundet të ma bëjë këtë? Ne tashmë jemi para martesës - po shpërtheja nga mllefi. - Ji e mençur. Secili prej tyre njëherë në jetë çmendet, prandaj ne femrat duhet të jemi të kujdesshme. Mos ia trego se e di se çfarë po ngjet - më këshilloi motra ime. Ganiu gjithnjë e më shumë po humbiste në mendime.

Pa marrë parasysh se çfarë bënte, ku ishte, nga fytyra e tij nuk po hiqej një buzëqeshje e lehtë. Më shumë se kurrë në këto pesë vite, ia kam dhuruar dhurata, gjellë të përgatitura, si dhe me gjëra të imëta për t'ia bërë me dije se kishte vëmendjen time. Ganiu po kënaqej, e unë erdha në përfundim se dashuria jonë nuk ishte fikur. - Vetëm vazhdo kështu dhe do të jetë i yti. Meshkujt ndoshta tërhiqen nga biondet me këmbë të gjata, por nuk martohen me to. Për gra i zgjedhin gjithmonë ato që bien më pak në sy, të cilat sillen përreth tyre - po më thoshte Igballja.

Ganiu, sidomos gjatë fundjavave, ishte më i shqetësuar se herëve tjera. Vetëm të dielën në mbrëmje arrinte të qetësohej, por unë e kisha marrë vesh vonë, pasi që e dilja e sillte të hënën kur ai takohej me të. Më e keqja që kisha mundur ta dëgjoja ishte se edhe ajo ishte indiferente. Shumë shpejt e kam kuptuar se me ledhatime e me vajtime nuk do t'ia dilja ta mbaj burrin tim. Derisa Ganiu po hamendej se cilën prej neve të dyjave do ta mbante, unë kisha menduar lëvizje konkrete. Ato lëvizje që atë bionden do ta largojnë përgjithmonë nga jeta jonë, nga burri im. (vijon)

(Kosova Sot Online)