Lexoni edhe:
Besiana Mehmedi: Maestro Riza Dolaku ju do jetoni me artin tuaj, ishit dhe do mbeteni çdoherë unik
- Qetësohu, menjëherë po vij - tha ai. - Nuk ke nevojë të vish, Igballja është me mua. Jemi duke dalë nga spitali. Më prit në shtëpi - i thashë unë. Ganiu e mori pallton dhe doli me vrap nga zyra. E dinte se sa shumë më duhej në këto momente. Atyre ditëve ai më rrinte afër, bënte gjithçka për të ma lehtësuar dhembjen. Pasi që i thashë se mund të ecja, ia nisëm që të shëtitshim. Në fillim duke bërë shëtitje të shkurtra, rreth banesës, e më pas edhe në qytet. Dhe, më pas, në një moment, sikur më theri zemra, sepse pashë ato flokët e njohura, të verdha dhe dredha. I pa edhe Ganiu. Ajo vinte në drejtimin tonë dhe kaloi pa na shikuar, sikur të mos na njihte fare. Ndjeva që burri im donte ta ndalte, por Valdetja shikonte përpara, me kokën lartë, por unë pash se ajo ishte e mërzitur, pash mërzinë në sytë e saj. Flisja rreth bebes, e cila do të lindte së shpejti, por Ganiu nuk më dëgjonte.
Nuk mundi të durohej më dhe u kthye. Edhe unë shikova në atë drejtim, por edhe Valdetja u ndal dhe filloi që të na shikonte. Për një moment shikimet e tyre sërish u ndeshën, por më pas secili vazhdoi rrugës së vet. Unë mora frymë lirshëm, por kuptova se për shkak të asaj gruaje tërë jetën do të më duhet që të isha tepër e kujdesshme. Nga ai takim burri im nuk e mori veten për një kohë të gjatë. Një ditë, derisa ishte duke u rruar, e dëgjova sesi fliste vet me vete. - Kë doja ta mashtroja? Hyrën, vetveten, atë? Kurrë nuk do të më shuhet dashuria ndaj Valdetes - thoshte ai. Këto fjalë më lënduan pa masë, sikur të ma kishte ngulur ndokush një thikë në zemër, por prapëseprapë nuk hoqa dorë nga Ganiu. E dija se ai e donte një tjetër, por unë e doja atë dhe vetëm atë. Isha një grua e mirë për të dhe me tërë fuqinë time mundohesha që t'ia plotësoja të gjitha dëshirat. Mendoja se, me kalimin e kohës, ai do të harronte. Edhe Ganiu sillej mirë me mua, i bindur se si humbja e bebes më kishte shkatërruar në aspektin emocional. I shfrytëzova ato momente të dobësisë së tij dhe, gjithnjë e më shpesh, i thosha se doja përsëri të ngelja shtatzënë. - Ti e di se sa e rëndësishme është kjo për mua - i pëshpëritja. - A nuk do të duhej të prisnim paksa? A të kujtohet çka na tha mjeku? - kundërshtonte ai. - Mos u mërzit, çdo gjë do të jetë në rregull. Ganiu im i mirë mendonte se kishte ndonjë arsye për abortin spontan dhe nuk donte që edhe një herë ta përjetoja agoninë e humbjes së bebes. Për këtë shkak vendosi që, pa dijen time, të shkonte e të bisedonte me gjinekologun. Donte të këshillohej me të dhe ta kuptonte se sa e rrezikshme ishte një shtatzënësi e re. - Gruaja juaj është paciente imja, por unë me të vërtetë nuk di për çfarë aborti e keni fjalën ju. Hyra nuk ka qenë shtatzënë, jam plotësisht i sigurt në këtë, meqë ka qenë në kontroll një muaj më parë - i kishte thënë ai, duke e tronditur. Ganiu kishte qëndruar si i ngurosur para gjinekologut, i vetëdijshëm që unë i kisha trilluar të gjitha. Kur atë ditë ai më ballafaqoi me të vërtetën, në fillim mohova gjithçka. I thosha se gjinekologu me gjasë më kishte përzier gabimisht me ndonjë paciente tjetër, e më pas, u nervozova dhe ia krisa vajit.
- Hyr, ma thuaj të vërtetën! Për herë të fundit po ta kërkoj këtë gjë - insistonte ai. E ngrita shikimin dhe e shikova drejt në sy. - Po, Gani. Të gjitha që i kam thënë kanë qenë rrena, meqë kisha frikë se do të të humbja. E di për lidhjen tënde me Valdeten, Të gjitha i di që nga fillimi, por kurrë nuk kam bërë zë. Shihja sa shumë ajo kishte rëndësi për ty. Ndaj meje ishe i ftohtë, kurrë i disponuar. Unë të doja tepër shumë për të të dorëzuar te një femër tjetër. Nuk doja që ta zgjidhje atë dhe shpresoja që bebja do t'i ndryshonte të gjitha. (vijon)
(Kosova Sot Online)