Lexoni edhe:
Roman dashurie: Si u dashurova në ty (52)
Kujtimi mbeti vetëm dhe, për herë të parë pas shumë kohësh, i erdhi dëshira që ta ndezte një cigare. Ai kurrë nuk kishte qenë duhanxhi i zjarrtë, por për nja 5-6 vjet e kishte pirë duhanin. Filloi që të ecte ngadalë andej-këndej. Si duket u deh nga ajri plot oksigjen i fshatit, sepse, më pas, për nja 10 - 15 minuta qëndroi thuajse pa lëvizur. Më pas sikur u zgjua nga gjumi dhe pa se, në krah, vazhdonte ta mbante çantën e profesorit. U nis që t'ia jepte. Por, pa u afruar mirë te dera e shtëpisë, pa Moshen duke dalë. - Profesor, a e do çantën? - Jo, Kujtim, nuk ka nevojë! Unë mbarova. Sa më përket mua, mund të largohemi. Kujtimi nuk kuptoi pse i ngutej profesorit. I dukej se ishin duke u larguar pa mbaruar punë, por megjithatë u pajtua që të shkonin.
Roman dashurie: Si u dashurova në ty (52)Lexoni edhe:
KAPITULLI I KATËRMBËDHJETË
Nga Moshe Kujtimi më pas mori vesh se Fatimja dhe Nurija nuk i kishin treguar kushedi se çka rreth Të Marteve. Thuajse gjatë tërë rrugës, deri në Prishtinë, nuk u ndalën së foluri. - Sapo ua përmenda Të Martat, tmerri kaploi fytyrat e tyre, sidomos të vajzës së re dhe thuajse krijuan një mur të padepërtueshëm ndaj meje, duke mos u përgjigjur, apo duke u përgjigjur shumë shkurt në pyetjet e mia. Kujtimit nuk iu durua pa reaguar edhe pse ishte i vetëdijshëm se ishte duke tejkaluar modestinë, të cilën zakonisht e praktikonte me më të vjetrit.
Profesor, mendoj se gabove kur preferove të bisedoje i vetëm me Fatimen dhe Nurijen... Moshe e shikoi me befasi, si duket nuk e kishte pritur këtë reagim të drejtpërdrejtë nga Kujtimi. - ... e di se ju... ti je një antropolog dhe unë nuk dua të përzihem në profesionin tënd, meqë faktikisht nuk di asgjë rreth tij, por mendoj se prania ime, si psikiatër, do ta lehtësonte komunikimin tënd me ato. Profesori buzëqeshi lehtazi dhe ia vuri Kujtimit dorën në sup. - Kujtim, ke plotësisht të drejtë. Unë antropologjinë e dua shumë, por më duhet të pranoj se nuk jam kushedi çfarë antropologu i zoti... Sinqerisht! Nuk ta them këtë me modesti. Kujtimi nuk reagoi, vetëm vazhdonte ta dëgjonte me vëmendje.
Bëra gabimin që e bëj shpeshherë. Duke qenë tepër i entuziazmuar rreth asaj që pres ta studioj, a mësoj, jam i prirë që t'i lë anash, apo të mos i marr parasysh faktorët e tjerë të rëndësishëm. Sikur p.sh., në këtë rast, është dashur ta di se dikush që me të vërtetë e beson ekzistimin e këtyre Të Martave, dikush që me të vërtetë ndihet i rrezikuar nga to, nuk është edhe burimi më i përshtatshëm dhe real i marrjes së informatave në lidhje me këtë temë. - Po ti, profesor, pse u dorëzove aq shpejt?! Sikur të më thërrisje mua brenda, ndoshta do të mund t'i qetësonim ato dhe t'i bënim më bashkëpunuese. - Nuk e di, Kujtim! Por, intuita më tha se duhej të largohesha, meqë nuk prisja të merrja ndonjë informatë të rëndësishme.
Megjithatë, vet hyrja ime brenda në atë shtëpi ishte shumë e dobishme për mua si antropolog dhe sociolog, po ashtu. Sikur u ktheva 100 vjet prapa në kohë... Kujtimit sikur i ra diçka ndërmend aty për aty. - Po serbishten profesor?! A edhe këtë gjuhë e flisni, a? Pasi që një herë e analizoi me shikim, për t'u bindur se kjo temë nuk ishte e papërshtatshme për ta diskutuar me Kujtimin, Moshe u përgjigj me tonin e një njeriu që arsyetohet për ndonjë gabim që e ka bërë. H. B. I.
(Kosova Sot Online)