Ngjarje e vërtetë: Si më tradhtoi burri ditën e martesës (2)

  • G.g /
  • 13 September 2021 - 10:03
Ngjarje e vërtetë: Si më tradhtoi burri ditën e martesës (2)

E tani? Në foto, Meti dhe unë në një përqafim të fortë, koka ime në supin e tij, më shihej edhe fytyra e lumtur. Fytyra e Metit nuk shihej. Por, shihja fytyrën e Valentinës. Edhe koka e saj ishte në supin e një mashkulli me të cilin vallëzonte, një koleg yni nga puna, Albani, me të cilin ai shihej shpesh, por shikimin ajo e ka të drejtuar kah Meti.

Ai e shikon atë prapa shpinës time, e ajo e shikon Metin prapa shpinës së Albanit. - A për këtë fotografi e ke thirrur Metin, a? - e pyeta Amirin sapo hyri. Ai u ndal, pa bërë zë, e në sy ia pashë një përzierje të shqetësimit dhe keqardhjes. - A ka edhe më shumë? - mezi ia arrita të thosha, meqë më ishte tharë fyti. Sytë mu mbushën me lot.

- Hana, nuk e di se për çka e ke fjalën. - Pse atëherë je shqetësuar? - Unë nuk jam shqetësuar, por po shoh se ti je. Kjo është vetëm një fotografi, të cilën ti je duke e interpretuar gabimisht. - A po e mbron shokun, a? A dmth kjo se mua nuk më ke shoqe dhe se nuk kam aspak rëndësi në atë farë paktin tuaj mashkullor? - e bombardova me pyetje.

- Ti e di se nuk është kështu - zëri i tij ndryshoi, por unë këtë e injorova dhe vazhdova me timen. - Por, megjithatë ti vendose që ta heshtje këtë dhe e thirre Metin, që t'ia tërhiqje vëmendjen. Këtë nuk do të ta falë kurrë. Mbretëroi heshtja. Dëgjohej vetëm zhurma e lehtë e kompjuterit që punonte. U ktheva kah ekrani dhe vetëm atëherë, Amiri foli: - Hajde, Hana, lëre këtë. E shpova me një shikim, gjë që bëri që ai të dilte jashtë. Pas kësaj i analizova hollësisht fotografitë e tjera, duke kërkuar tradhtitë e Metit. A ishte e mundur që ai ma kishte bërë këtë ditën e dasmës?

A ishte e mundur që kjo të ishte edhe e dokumentuar? Dhe, më pas, gjeta edhe një dëshmi. Në këmishën e Metit shihej qartë buzëkuqi i kuq si zjarri. Më kujtohej për mrekulli ajo situatë. Pas hedhjes së buqetës dhe kravatës, më tha se do të dilte me djemtë pak jashtë, e më pas u kthye me buzëkuq në këmishë dhe mjekër. Pasi që i thash se ishte i njollosur, vetëm buzëqeshi. - Tezja ma uroi edhe një herë martesën - më tha ai. - A mundesh të më ndihmosh që ta heqë këtë?

- Kaltrina është e ngarkuar me këto situata - i thash duke fshirë me dorën time buzëkuqin nga mjekra e tij, duke menduar rreth shoqërueses sime, e cila në çantën e saj të madhe kishte marrë gjithçka, e edhe preparatin për heqjen e grimit nga fustani i nusërisë dhe kostumi i rrobave. Tani e kisha të qartë se një buzëkuq të tillë, të kuq all, me siguri nuk e kishte vënë tezja e tij, e edhe sikur ta kishte vënë, mu kujtua tani, ajo tanimë ishte larguar nga dasma, pak para mesnate. Fotografia të cilën sapo isha duke e shikuar, e kishte përjetësuar momentin kur me dorë e thërrisja Kaltrinën.

Gjithçka në të ishte dinamike, ajo lëvizje e imja dhe gjuha e fytyrës, çifti në të djathtën time, i zënë duke vallëzuar, muzikanti nga ana ime e majtë, duke iu mëshuar timpaneve. Vetëm Meti ishte i shtangur, duke shikuar dikë në horizont. Ishte ai një shikim jo i rëndomtë, i cili bartte një porosi. Tani dija edhe ta interpretoja. Ai ishte një shikim i zemëruar, por edhe i frikësuar, në të njëjtën kohë. Gjithçka zhvillohej si në ndonjë film të keq dhe pa imagjinatë. E tradhtoi buzëkuqi.

E dija me saktësi se, kur kishte shkuar, nuk e kishte atë njollë, e kur ishte kthyer, po. Më pas, spontanisht klikova me maus dhe qitja fotografitë njërën pas tjetrës. Më nuk kërkoja dëshmi. Tanimë i kisha ato. E, kur arrita deri në fund, nuk mundesha të ndalesha. Vazhdimisht më përsëriteshin para syve ato fytyra, ato situata. A këto ishin fotot e mia të martesës, a? Athua lumturia ime zgjati kaq pak? A i erdhi fundi martesës sime, a? (vijon)

(Kosova Sot Online)