Lexoni edhe:
Ngjarje e vërtetë: Sekreti që nëna ime e mori në varr (2)
Hej, çka po bën? - u tmerrua motra ime. - Babi ishte ai që i dhuronte nënës tulipanë dhe nuk dua që këtë ta bëjë ndokush tjetër. Kjo ishte në njëfarë mënyre mbrojtje e nderit të nënës sime dhe respekt ndaj saj. Ato lule nuk e rrezikonin babin në asnjë mënyrë, jo vetëm për faktin që më nuk ishte gjallë, por edhe për shkak se ishte varrosur në një varrezë tjetër, në varrezën e madhe familjare e cila me dekada të tëra i takonte familjes së tij. Për vendin e prehjes së përjetshme, nëna kishte zgjedhur një varr të vogël në vendin ku kishte lindur dhe ku ishte rritur.
- Të kam duruar gjatë tërë jetës sime, do të ishte radha që, të paktën pas vdekjes, të më lësh të kënaqem në qetësi - bënte ajo kështu shaka me babanë kur e preknin këtë temë, në një kohë kur vdekja që të dyve iu dukej si tepër e largët. Çfarë dashurie e madhe ishte ajo! Dhe, kur të takohen dy shpirtra të tillë binjakë, ata mbesin të tillë përgjithmonë, përkundër të gjithave. Nëna dhe babai me siguri nuk kishin nevojë që të varroseshin njëri afër tjetrit, në mënyrë që të bashkoheshin sërish në atë botë. Për mua dhe Limanin situata ishte e ndryshme: ishim afër me trup, por larg me shpirt.
Ngjarje e vërtetë: Sekreti që nëna ime e mori në varr (2) Lexoni edhe:
Jetonim në të njëjtën shtëpi, flinim në të njëjtin shtrat, por nuk mund të ishim më të largët midis veti, sesa që ishim me të vërtetë. Ndoshta shkurorëzimi me të vërtetë ishte zgjidhja e duhur. Ngjyra all e kuqe e tulipanëve nuk i iku pa e vërejtur as Limanit, kur i çova ata në shtëpi. - Ku i more këto lule? - u habit ai. Me gjasë as që i shkonte ndërmend që ato lule i kisha marrë në varreza. Me siguri mendonte se mi kishte dhuruar ndokush. - Mi dhuroi dashnori - iu përgjigja, duke dashur ta provokoja paksa, por më kot. - Të bukura janë, por paksa shqetësuese - vërejti ai.
- Duken sikur të ishin zhytur në gjak. Derisa i vendosja në vazo, duart më dridheshin vazhdimisht. - Atëherë këto lule janë më se të përshtatshme për një femër të lënduar - thash vet me vete. As që kisha vërejtur se Limani më ishte afruar dhe, kur më kapi për beli, u drodha, sikur me të vërtetë të ma kishte prekur ndonjë plagë të haptë. E shtyva me dhunë dhe vazoja ra në tokë, duke u bërë copë e grimë. Sikur edhe zemra ime. - Shiko çka bëre! - i thashë me zë të lartë, natyrisht duke mos menduar vetëm për vazon, por edhe për martesën tonë, të cilën ai po ashtu e kishte shkatërruar.
Ai u përkul për t'i mbledhur copëzat e vazos. Ky ishte një gjest plot simbolikë. - Lërmë, të paktën, ta përmirësoj gabimin, Bardha - pëshpëriti ai. - Disa gjëra tanimë nuk mund të përmirësohen më, meqë mbetet shenja në vendin ku janë thyer. - E vërtetë, por plagët mund të shndërrohen në vragë. Me anë të balsamit të faljes. Unë ty ta fala kur... Nuk e përfundoi fjalinë deri në fund, i vetëdijshëm se kishte bërë hapa të gabueshëm, në tentimin e tij për t'u afruar me mua, se pa kujdes kishte shkelur në terrenin e minuar të raportit tonë. Dhe, unë me të vërtetë eksplodova. - Kur konstatuam se nuk mund të lind fëmijë? - bërtita. - Këtë ma fale? Pamundësinë time që të ngel me barrë?
Nuk mjaftonte fakti që më mundonte ndjenja e fajit, por më duheshin edhe fajësimet tua? A për këtë më mashtrove, a? Që të më ndëshkoje? Burri im mundohej që ta ruante qetësinë, por grushtet e tij të shtrënguara tregonin se edhe ai ishte i tendosur aq sa edhe unë. - Nuk mundemi më kështu, Blerina - tha ai duke ofsharë. - Po, nuk mundemi dhe ndoshta do të duhej të ndahemi. Fundja, kjo nuk na çon askund. Martesa jonë është shndërruar në një qorrsokak. - Vetëm për shkak se nuk mund të kemi fëmijë, kjo nuk dmth se duhet të ndahemi. - Vetëm unë nuk mund të kem fëmijë - theksova unë. - Por, ti mund të kesh gra të tjera dhe, kjo është e tëra. (vijon)
(Kosova Sot Online)