Ngjarje e vërtetë: Dashurinë time donte ta blinte me para (3)

  • E. /
  • 04 October 2021 - 15:52
Ngjarje e vërtetë: Dashurinë time donte ta blinte me para (3)

Iu afruam grupeve të njerëzve, të cilët qëndronin rreth pishinës së ndriçuar në mënyrë diskrete. Gjithandej përreth kishte tavolina me ushqime e pije, e kamerierët endeshin duke i pyetur mysafirët se a iu mungonte ndonjë gjë. Tuana më njoftoi me koleget e punës. Prapa qeshjeve të tyre hetoja mosdurimin, tipik për femrat në shoqërinë e të cilave, papritmas, hyn ndonjë femër e bukur, më e bukur se to. Doja t'iu thosha se nuk kanë nevojë të më shikonin ashtu, meqë meshkujt të cilëve ato ua kishin vënë syrin, mua nuk më interesonin aspak, por Tuana më çoi te një grup tjetër të femrave. Pasi që u largova nga to, ndjeva shikimet e tyre të xhelozisë.

Mora njëfarë kokteji të gjelbër, me qëllim të largimit të nervozizmit të cilin ma shkaktuan ato femra. - Më shikojnë thuaja ti se ua kam marrë të gjithë meshkujt - i pëshpërita motrës. - Natyrisht që të shikojnë kur je konkurrenca më e madhe për to. Mos ua vej veshin, më mirë shikoji meshkujt e pranishëm këtu. Edhe ashtu, ata nuk t'i ndajnë sytë! - Kë ta zgjedh, kur pak a shumë, të gjithë janë njësoj? - i pëshpërita motrës. - Pronari nuk është me ta, e nuk janë as shokët e tij - më tha duke më tërhequr në drejtim të tyre. Në atë grup të meshkujve gjendej edhe drejtori im. U hutova pasi që na u ndeshën shikimet, mungoi shumë pak që të mos turpërohesha duke rënë në pishinë, meqë taka më hyri në ato rrjetet e çelikta. Mora në thua, por për fat të mirë, më shpëtoi një dorë e fortë mashkulli. - Nuk kam asgjë kundër garës për Miss fustanin e lagtë, por do të isha xheloz nga të gjitha shikimet e meshkujve? - bëri shaka i panjohuri. 

Po, faleminderit, mora në thua... - Me rëndësi është që ratë në duart e mia - ma preu ai fjalën. Tuana na njoftoi, ai ishte Naimi, pronari i fabrikës ku punonte ajo. Më kujtohet që atëherë pata menduar, "ku u gjet bash ky për të më shpëtuar". Atë mbrëmje biseduam shkurt meqë në fakt, as që kishte kushte për shoqërim vetëm të ne të dyve. Herë pas here i afroheshin disa meshkuj dhe femra, e unë argëtohesha me motrën në shoqëri të ish të dashurve të saj. Të hënën në mëngjes u habita kur në zyrën time hyri një njeri me një buqetë lulesh në dorë. M'u duk sikur ndokush ta kishte plaçkitur tërë dyqanin e luleve, meqë në atë buqetë tepër të madhe kishte gjithçka, nga trëndafilat e deri te orkidetë. - Ky me gjasë është ndonjë gabim - thash e hutuar. - A jeni ju Mirela? - më pyeti ai. - Po. Më as që më shikoi.

E la buqetën e madhe, më pas solli edhe një të dytë, më pas një të tretë, e ashtu derisa në zyrën time solli gjithsej pesë buqeta me lule. Koleget shikonin me xhelozi ato lule, e unë e pafuqishme, rrudhja supet. - Mirela, të thërret njëfarë Naimi - më tha kolegia, duke ma dhënë telefonin në dorë. - Mirëmëngjesi! Të dëshiroj ditë të këndshme - më tha me zë të butë. - Faleminderit. A mos e ke tepruar paksa me këto lule? - thash duke qeshur. - Me çfarë lulesh? - tha ai, duke u shtirë kinse nuk e dinte se për çka e kisha fjalën. - Nëse është kështu, pra, atëherë edhe ty të uroj ditë të këndshme.

Pashë se koleget ishin bërë të tëra veshë, prandaj e ndërpreva bisedën menjëherë. Nuk doja që ato ta merrnin vesh se kush mi kishte dërguar lulet. Pasi që e mbylla telefonin, ato u ngritën dhe që të gjitha filluan t'i shikonin lulet. Nuk ishte zor ta dije se çka ishin duke menduar në ato çaste, prandaj ua prita unë e para. Para se të ma bënin ndonjë pyetje, iu thashë me pacipëri: - A ka ndokush diçka të paqartë? Pa thënë asnjë fjalë, që të gjitha u kthyen te tavolinat e tyre dhe i ngulën sytë në ekranet e kompjuterëve. (vijon).

(Kosova Sot Online)