Ngjarje e vërtetë: Si u takova me dashnoren e burrit (7)

  • A.P /
  • 31 October 2021 - 09:42
Ngjarje e vërtetë: Si u takova me dashnoren e burrit (7)

Derisa shkela me këmbë në asfalt, do të bëja be që dy sy ishin duke më shikuar me kujdes. Më duhej të mos bija kaq shumë në sy, përndryshe ata dy do të dyshonin edhe më shumë dhe do t'mi prishnin planet. E, këtë nuk e doja assesi. Prej se në një mënyrë kaq subtile kisha marrë vesh se më mashtronte burri, asgjë në jetën time më nuk ishte njësoj. Edhe më tej, dorën në zemër, ngrihesha çdo mëngjes në të njëjtën kohë, shkoja në punë, i bëja punët e shtëpisë sikur edhe më parë, por, thjesht, gjërat nuk ishin njësoj. Këtë ndryshim te unë e para e vërejti Mina. - Disi je e mërzitur dhe pa fije vullneti. Kurrë nuk ke qenë kështu, nënë. Mos po të qortojnë shefat në punë? Jo, askush nuk më qortonte në punë. - Kam vërejtur se më nuk e merr as mp3 në autobus. Pse? Vajzës sime të mençur nuk mund t'i ikte asgjë. Por, çka duhej t'i thosha unë asaj? Se më nuk dëgjoja muzikë, meqë më duhej ta spiunoja dashnoren e babait të saj?!

- Asgjë nuk kam, zemër - u mundova që ta qetësoja. - Vetëm jam pak e lodhur, kaq. Kjo edhe ishte e vërtetë. Me të vërtetë isha e lodhur. E lodhur nga përgjimi i bisedës në autobus, duke dashur që ta mësoja ndonjë detaj interesant nga jeta sekrete e burrit tim. E lodhur nga kërkimi i dykuptimësisë në sjelljen e Fatmirit. E lodhur nga përpjekjet që, nga jashtë, të dukesha normale dhe që askush të mos vërente tek unë asnjë ndryshim. Personi i vetëm që e dinte se çka isha duke përjetuar ishte motra ime. Atë, dorën në zemër, ende nuk ia kam dalë që ta bindë se Fatmiri është duke më mashtruar, por pasi që ia tregova shumë "rastësi", ajo filloi të dorëzohej. - Aspak nuk e di çka të të them - më tha kur biseduam për herë të fundit. - Nga njëra anë do të ishte tepër e marrë ta sulmoje Fatmirin për diçka që nuk ke asnjë dëshmi. E, në anën tjetër, ky grumbullim i dëshmive do të të çmend! Këtë e dija edhe vetë. Por, nuk kisha ndonjë opsion të tretë. Në ndërkohë, jeta në autobus vazhdoi që të zhvillohej me rrjedhën e vet normale. Është e çuditshme se si, me kalimin e kohës, sa shumë njihen midis veti njerëzit që udhëtojnë në terminin e njëjtë. Kështu, p.sh. çdo mëngjes takoja një grua të re, e cila një miku të saj, po ashtu të ri, gjatë tërë udhëtimit i fliste rreth bebes së saj. Sikur të mos ishte puna si ishte, do të kënaqesha duke qeshur me atë se si gruaja i tregonte mikut të saj rreth çdo lëvizjeje që kishte bërë bebja, sa dhëmbë i kishin dalë dhe cila ishte fjala e saj e parë. Ishte evidente që mikut të saj nuk i interesonin këto llafe aspak, por nuk kishte çka të bënte. Më pas, aty ishin dy zonja të vjetra, ku përmendësh e dija se nga cilat sëmundje vuanin ato.

Çdo mëngjes ato shkonin në një banjë të afërt termale, për të bërë ushtrime kundër reumës. Aty ishte edhe një zotëri i vërtetë, me të cilin ndonjëherë edhe këmbeja ndonjë fjalë. Ishte tepër krenar me mbesën e tij, e cila ishte duke u shkolluar në akademinë ushtarake. - E dini, në fillim nuk isha për këtë, mendoja rrezik! Por, tani shoh se kisha gabuar. Ajo është aq e lumtur, e edhe unë jam krenar kur shoh se si përparon - më thoshte ai, sikur të ishim të afërt prej vitesh. Herë pas here me atë autobus udhëtonte edhe një mashkull tepër i bukur, nuk e kisha zakon t'i shikoja meshkujt e huaj, por ky ishte tepër i bukur, meqë në gishtat e tij nuk shihja asnjë unazë, fillova të mendoja se ai ishte gej. Dhe, natyrisht, në fund, ishin edhe ato dy vajzat, të cilat i kisha përcjellë tash e sa ditë. Atë mëngjes biondina përsëri ia nisi temës së saj të preferuar. (vijon)

(Kosova Sot Online)