Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (70)

  • E. /
  • 11 January 2022 - 15:51
Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (70)

KAPITULLI 38

Bora bie butë. Ty të dua me butësi. "Romeo's Quest" Gjatë atyre pak ditëve në Çikago, nëna dhe unë nuk i tejkaluam mospajtimet. Nuk punuam në mosmarrëveshjet tona. I kaluam në pikëllim Kërshëndellat e para pa Gabbyn. Natën e Vitit të Ri e pastruam edhe dhomën e gjumit. Nëna e mori kitarën e Gabbyt dhe, duke buzëqeshur, ia drejtoi Danielit. "Mund ta marrësh". Ai kundërshtoi. "Jo, jo". "Të lutem", tha nëna me zë të ulët, duke kaluar gishtat nëpër telat e kitarës. "Meriton që dikush t'i bjerë". Danieli më shikoi dhe buzëqeshi, duke pohuar me kokë. "Faleminderit", tha ai, duke marrë kitarën në duar. Derisa unë dhe nëna palosnim rrobat e fundit për t'ia dërguar një shoqate humanitare, Daniel filloi t'i binte kitarës së Gabby-t. "A e di ndonjë këngë të grupit 'Beatles'?" e pyeta. Nëna e shikoi atë dhe buzëqeshi, duke pritur përgjigjen e tij.

Ai i ra melodisë së këngës "Let It Be", duke kënduar me zë të ulët. Zëri i tij ishte më i butë sesa që e kisha dëgjuar ndonjëherë. Ai më bënte që trupi të më dridhej këndshëm. Jashtë dritares binte borë qetë-qetë, duke mbuluar degët e pemëve, duke mbuluar çdo sipërfaqe të Çikagos. Dhe, kur arriti mesnata, që të gjithë qanim. "Çka mendon?", e pyeta Danielin derisa ktheheshim në stacionin e trenave në Exhvud. "A mendon se ajo do të mund ta lërë alkoolin"? "Nuk e di", tha ai. "Por, shpresoj që po". "Edhe unë". Shikova përreth dhe i buzëqesha Danielit. Qëndronim në një kënd të fshehur në stacionin Amtrak. "Ajo dëshiron që të kthehem e të jetoj me të, që të punojmë në përmirësimin e raportit tonë".

Ai pohoi ngadalë. "E di". Zëri im u bë më i butë me ta filluar temën tjetër. Gjatë ndarjes, nëna ma kishte dhënë letrën e fakultetit të ëndrrave të mia. "Jam pranuar në Universitetin e Kalifornisë jugore". "E di", tha ai dhe e uli kokën deri në tokë. "Pa marrë parasysh të gjitha, pa marrë parasysh sa shumë mundohemi... pse ndjej se do të të humbas edhe ty"? Edhe unë e kisha të njëjtën ndjenjë, por nuk mund ta thosha me fjalë. "OK, mirë, Henry do të më marrë së shpejti.

Të të thërras më vonë? Nëse jo, atëherë shihemi në shkollë, gjatë javës". U ngrita në majë të gishtave dhe e putha në buzë, duke u munduar që t'ia lehtësoja dyshimet. Ai ma kafshoi pak buzën e poshtme dhe unë ofshava. "Të dua"! "Edhe unë ty"! Derisa e shikoja duke iu afruar derës, zemra më dhembte. Pas provimeve tona finale, që do të mbahen pas disa javësh, ekzistonte edhe një semestër i tërë gjatë të cilit, unë dhe Daniel, do të duhet të shtiremi kinse nuk e duam njëri-tjetrin. Por, kësaj here, nuk do të jem në klasën e tij. Ideja e përjetimit të kësaj gjëje edhe një herë ishte e dhembshme. Doja të isha egoiste.

Doja që ai ta linte punën. Doja që ai të ikte me mua, por e dija që kjo nuk ishte e mundur. Atij i pëlqente dhënia e mësimit. Atij i pëlqente bendi i tij dhe shtëpia e tij ishte këtu, në Exhvud. E, çka në lidhje me fakultetin? Më kishin pranuar në shkollën time të ëndrrave, por kjo nënkuptonte katër vjet larg Danielit. Katër vjet të tjera të ndarjes. Derisa vazhdonte semestri i fundit, gjithnjë e më shumë më bëhej e qartë se, kisha rënë në dashuri me njeriun e duhur, në kohë të gabuar. "Hej, Ashlyn." Kjo thirrje më frikësoi, meqë më erdhi papritmas. "Jake, më frikësove. Çka po bën këtu"? "Sapo u ktheva nga shtëpia e gjyshit…", më tha ai, duke bërë një grimasë të çuditshme. "A ishit duke u puthur me z. Daniels?" (vijon)

(Kosova Sot Online)